Instituti i Sigurimeve Shoqërore, duke marrë shkas nga emisioni i datës 10 shkurt 2022,  i transmetuar nga “Fix Fare”, në Top Channel, dëshiron të shprehë keqardhjen për evidentimin e këtij rasti të izoluar, të mitmarrjes, të ndodhur në Agjencinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Pogradec.

Menjëherë pas marrjes në dijeni të rastit, ku qytetarja Mimoza Bejko ( dhënë me regjistrim me figurë nga televizioni) ka denoncuar për mitmarrje punonjësen Arjana Beholli, u urdhërua nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z.Astrit Hado, pushimi i saj nga puna.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore dëshiron të inkurajojë të gjithë qytetarët, të cilët mund të ndeshen me raste të ngjashme abuzimi, që të denoncojnë përmes kontakteve në faqen zyrtare të ISSH-së, www.issh.gov.al, si edhe nëpërmjet Platformës së Bashkëqeverisjes (shqipëriaqëduam.al).

Falënderojmë emisionin investigativ “Fix Fare” për trajtimin e problematikës dhe denoncimin e rastit, duke i inkurajuar gazetarët për përmbushjen e detyrës së tyre për informimin e opinionit publik.

Nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj sjelljeve jo korrekte dhe kundër Ligjit, që mund të evidentohen nga çdo punonjës i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Jemi plotësisht të angazhuar në ofrimin e shërbimeve me standarde, pa kosto dhe brenda të gjitha afateve të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.

Shprehim edhe një herë keqardhjen për  këtë ngjarje të shëmtuar dhe do të vijojmë marrjen e masave dhe forcimin e procedurave të kontrollit, për të garantuar moscënimin e imazhit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.