Përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve, kthimi i përgjigjeve brenda afateve, lehtësimi i procedurave dhe zgjidhja e problematikave ishin në qendër të diskutimeve në takimin e Drejtorit të Përgjithshëm të ISSH-së, z. Astrit Hado, me drejtorët e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, që u zhvillua në datën 2 tetor 2019, në ambjentet e ISSH-së.

Gjatë fjalës së tij, Z. Hado deklaroi se “jemi ne ata të cilët duhet të gjejmë dhe të përdorim çdo mundësi që na jep ligji për të lehtësuar dhe përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore duhet të jenë në dispozicion të zgjidhjes së kërkesave në mënyrë efektive, duke eleminuar sorollatjet nga njëra zyrë në tjetër”.

Gjithashtu, Drejtori i ISSH-së, paralajmëroi të gjithë punonjësit se në rast ankesash për shërbim jo cilësor ndaj qytetarëve nuk do të ketë asnjë tolerim.

Një vend të veçantë në këtë takim zuri dhe zbatimi i Ligjit nr. 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

Duke filluar nga data 1.9.2019, në strukturat pritëse të sigurimeve shoqërore, ka filluar pritja/regjistrimi i kërkesave për pension për shkak të profesionit dhe për shtesë të pensionit të pleqerisë ose invaliditetit, sipas parashikimeve të Ligjit nr. 29/2019.

Administrimi i tyre së bashku me dokumentacionin përkatës bëhet nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.