Seminari Teknik Ndërkombëtar i ISSA-s

Më 16 dhe 17 shtator 2026, në Hotel Plaza Tirana, u zhvillua Seminari Teknik Ndërkombëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore (ISSA), me temë “Forcimi i shërbimeve në skemat e pensioneve – Përmbushja e nevojave të personave të moshuar” (Strengthening services in pension schemes – Meeting the needs of older persons).

Seminari, i organizuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe ISSA, mblodhi në Tiranë drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të sigurimeve shoqërore nga 20 vende evropiane, përfshirë Çekinë, Gjermaninë, Italinë, Moldavinë, Portugalinë, Serbinë, Sllovakinë, Francën, Suedinë dhe Turqinë, si dhe përfaqësues të ISSA-s.

Modernizimi i shërbimeve të pensioneve.

Gjatë dy ditëve të seminarit u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi për modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve në skemat e pensioneve, ndër të cilat:

  • komunikimi dhe informimi i qytetarëve;
  • planifikimi për pensionin;
  • zhvillimi i shërbimeve digjitale dhe me shumë kanale;
  • automatizimi i proceseve të pensioneve;
  • përmbushja e nevojave të të vetëpunësuarve dhe punonjësve në bujqësi;
  • përmirësimi i aksesit dhe cilësisë së shërbimeve për personat e moshuar.

Një pjesë e veçantë e programit iu kushtua situatave ndërkombëtare dhe shërbimeve të pensioneve, duke përfshirë informimin e përfituesve, koordinimin ndërkufitar, dëshminë e jetës dhe pagesat e pensioneve jashtë vendit.

Tirana – një platformë për bashkëpunim ndërkombëtar

Organizimi i këtij seminari në Tiranë ishte një mundësi për ISSH-në dhe institucionet shqiptare për të prezantuar përvojën dhe progresin e arritur në fushën e sigurimeve shoqërore, si dhe për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira me institucionet homologe evropiane.

Ky aktivitet kontribuoi gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit institucional në fushën e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.

Vlerësim për organizimin dhe mikpritjen

Në përmbyllje të seminarit, drejtuesit e ISSA-s dhe përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse vlerësuan bashkëpunimin me ISSH-në, profesionalizmin e treguar në organizimin e aktivitetit dhe mikpritjen e ofruar për delegacionet ndërkombëtare.

“Mikpritje ekselente dhe organizim i nivelit më të lartë evropian!” – ky ishte vlerësimi i përcjellë nga delegacionet pjesëmarrëse gjatë mbylljes së Seminarit Teknik Ndërkombëtar të ISSA-s në Tiranë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i përkushtuar për ofrimin e shërbimeve moderne, digjitale dhe në përputhje me standardet evropiane, në funksion të qytetarëve dhe përmirësimit të vazhdueshëm të skemave të sigurimeve shoqërore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *