Mbledhja e dytë e Grupit ndërministror të punës për reformën e pensioneve

Prezantohet dokumenti i politikave për reformën e pensioneve.

Gjatë ditës së sotme, në ambientet e  Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë u zhvillua mbledhja e dytë e Grupit ndërministror të punës për reformën e pensioneve, ku u prezantua dokumenti i politikave, si dhe dy opsionet për reformën. Gjatë këtij takimi ekspertët e grupit, që kanë hartuar këtë document, dhanë spjegime teknike lidhur me të gjitha parashikimet që kanë të bëjnë me reformën në pensione.

Gjatë këtij takimi, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, vuri në dukje problemet thelbësore të skemës aktuale të pensioneve, që janë defiçiti i lartë, që e bën skemën financiarisht të papërballueshme, si dhe numri shumë i ulët i kontribuesve. Gjithashtu ai vuri në dukje faktin se është emergjent realizimi i reformës, pasi këto dy probleme mund të shkaktojnë krizë brenda një kohe të shkurtër. “Skema e re, të cilën jemi duke e punuar, është moderne dhe jo vetëm që do të ofrojë një zgjidhje afatgjatë për dy problemet e sipërpërmendura, por do të garantojë edhe pensione të larta në përputhje me nivelet e kontributit të gjithsecilit në këtë skemë”, theksoi ministri Veliaj.

Ndërkohë ekspertët dhe anëtarët e grupit ndërministror të punës do të vijojnë diskutimet deri në nxjerrjen e produktit përfundimtar, që më pas do të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.