

Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane, hyrë në fuqi më 1 korrik 2025, u firmos sot nga krerët e dy delegacioneve të nivelit të lartë teknik shqiptar dhe italian, nga z. Astrit Hado – Drejtor i Përgjithshëm ISSH dhe znj. Valeria Vittimberga – Drejtoreshë e Përgjithshme e INPS, Marrëveshja Teknike për shkëmbimin elektronik të formularëve zbatues.
Për herë të parë, në marrëveshjen me Italinë, formularët do të shkëmbehen në rrugë elektronike, duke shkurtuar kohën e transmetimit të dokumentacionit për dhënien e përfitimeve.
Kjo marrëveshje synon të lehtësojë dhe përshpejtojë procedurat administrative ndërmjet institucioneve kompetente të sigurimeve shoqërore të të dy vendeve, duke mundësuar shkëmbimin e sigurt dhe efikas të kerkesave për përfitime në të dy vendet, në mënyrë elektronike.
Firmosja e këtij dokumenti përbën një hap tjetër konkret në zbatimin e plotë të marrëveshjes dypalëshe, me qëllim garantimin e të drejtave të qytetarëve që kanë punuar dhe kontribuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali.