Zhvillohet mbledhja e parë e grupit Ndërministror të Punës për reformën e pensioneve

Nën drejtimin e Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, zotit Erion Veliaj, zhvilloi mbledhjen e parë grupi Ndërministror i Punës për reformën e pensioneve. Gjatë fjalës së tij, zoti Veliaj vuri theksin në domosdoshmërinë e reformës së sistemit të pensioneve, si dhe ftoi të gjithë aktorët e interesuar për të dhënë kontributin e tyre. “Reforma e sistemit të pensioneve do t’i nështrohet një diskutimi të gjerë e gjithëpërfshirës dhe për këtë process do të ngrihet edhe këshilli. Janë të ftuar të kontribuojnë nga gjithë spektri politik. Jam krenar që jam pasues i Dashamir Shehit, i cili ka themeluar bazat për skemën e pensioneve. Do të doja të kishte diskutime dhe me grupet e ndryshme parlamentare, ekspertët që partitë politike mund të ofrojnë, veç atyre të Qeverisë”, deklaroi zoti Veliaj. Ministri bëri të ditur se është planifikuar një konferencë kombëtare bashkë me Bankën Botërore, punëmarrësit etj. Konferenca do të mbahet në Mars dhe do të hartohet edhe dokumenti për politikat për zhvillimin e skemës së pensioneve. Ndërsa foli për thelbin e reformës dhe përmbajtjen e saj, zoti Erion Veliaj, siguroi të gjithë pensionistët apo ata që janë afër moshës së daljes në pension, që të mos frikësoheshin. Kjo reformë është vërtet e domosdoshme, por nuk do të prekë ata që tashmë janë në pension apo afër tij. “Çdo pensionist i tanishëm duhet të mos trembet se asnjë e drejtë e tyre deri tani nuk do të preket. Nuk iu drejtohet reforma pensionistëve të sotëm, por të punësuarve të sotëm. Kjo nuk cënon të drejtat e qytetarëve që janë afër moshës së daljes në pension. Ky është investim afatgjatë”, deklaroi ministri.

Mministri Veliaj foli dhe për bashkëpunimin me Institutin e Sigurimeve Shoqërore për pastrim të skemës së pensioneve nga çdo abuzivitet. “Nuk do të ketë reformë nëse nuk ka pastrim nga abuzimet. Ashtu siç bëmë pastrim për ndihmën ekonomike edhe procesi i reformës së pensioneve do të shkojë në këta binarë. Do të ketë edhe modernizim të skemës”, vërejti Veliaj. Sipas tij, nga reforma dhe skema e re, duhet të garantohet që çdo i moshuar të ketë një pension dinjitoz. Gjithashtu sipas tij, duhet të forcohet lidhja mes kontributeve dhe pensioneve për të qenë të drejtë e të ndershëm. “Është e arsyeshme të heqim pensionin tavan e t’i jepet e drejta çdokujt të kontribuojë më shumë nëse do. Reforma konsiston edhe në zhvillimin e skemave alternative të kontributit shoqëror. Është normale që njerëzit të jenë përfitues të disa skemave. Do të ketë benefite të mjaftueshme për të moshuarit. Deficiti mund të reduktohet, duke e bërë skemën të vetëmjaftueshme dhe të përballueshme”, deklaroi zoti Veliaj.

Dhe për Drejtoreshën e Përgjithshme të Sigurimeve Shoqërore, zonjën Vjollca Braho, reforma e sistemit të pensioneve është e domosdoshme. “Zhvillimet demografike e sociale kanë bërë të nevojshme ndërmarrjen e një reforme”, u shpreh zonja Braho. Ajo vërejti se është e domosdoshme të bëhet i mundur dixhitalizimi i sistemit aktual. “Ky dixhitalizim, sqaron Braho, bëhet me mbështetjen teknike nga ana e Bankës Botërore”. Reforma konsiston në dixhitalizmin e sistemit, për grumbullimin e gjithë materialit dokumentar për vjetërsinë në punë në Shqipëri. “Me financimin e Bankës Botërore dhe Qeverisë, u bë i mundur ndërtimi i Arkivës Qendrore të Sigurimeve Shoqërore, në Lundër. Ka filluar të mblidhet gjithë dokumentacioni për vjetërsinë në punë. Është bërë e mundur zhvillimi i sistemit on-line të pagesave të pensioneve”, theksoi zonja Braho. Sipas saj, një pjesë e madhe e pagesave të pensioneve bëhet përmes Postës Shqiptare sha dhe projekti do të fillojë të zbatohet edhe për fshatin. Ajo bëri të ditur se është përgatitur regjistri elektronik i pensioneve. Braho tha se është duke u bërë edhe zhvillimi dhe implementimi i llogarisë on-line të pensioneve dhe dizhitalizimi i vjetërsisë në punë. “Ka përfundur ky proces për kooperativat dhe është duke u bërë për ndërmarrjet shtetërore”, sqaroi kreu i ISSH-së. Sipas Brahos, sistemi i sigurimeve shoqërore nuk është i balancuar por deficitar, dhe kap 1.7% të GDP-së dhe shkak kryesor për këtë është numri i vogël i kontribuesve dhe lëvizjet demografike, emigracioni. “Pjesa më e madhe e shqiptarëve të aftë për punë kanë shkuar jashtë shtetit. Ka evazion, pasi kemi mosdeklarime të punësimit apo pagave reale, që ndikojnë në skemën e sigurimeve shoqërore, duke e bërë defiçitare”, vazhdoi zonja Braho. Ajo vëren se, ka një lidhje të dobët mes pensionit minimal e maksimal dhe pensioni minimal dhe ai mesatar janë thuajse të njëjtë, si rezultat i kompensimeve. Sektori agrar duket se është ai që e agravon më tepër skemën e pensioneve sipas konkluzioneve, pasi këtu është numri më i madh të pasiguruarve.

Ashtu si dhe ministri, zoti Veliaj edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Sigurimeve e Sigurimeve Shoqërore, zonja Vjollca Braho, vërejti se pjesa e subvencionimit për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe ata që jetojnë në fshat e kanë çuar këtë subvencionim drejt një skeme asistenciale. Ajo përmendi se një pikë ku duhet parë është ajo e moshës së daljes në pension. Sipas saj, “faktor i rëndësishëm është diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension pesë vjet më pare, edhe pse jetëgjatësia e tyre është më e madhe se e burrave, gjë që në fakt rrit defiçitin”. Defiçitare për të është edhe skema suplementare, ku 80 përqind e saj subvencionet nga shteti. Por defiçitar është edhe niveli i lartë i debitorëve, sipas zonjës Braho janë rreth 46 mijë subjekte që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore. Ndërkohë edhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare deklaroi se e mbështet këtë nismë për reformim të sistemit të kontributeve përmes afrimit me legjislacionin e brendshëm dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.