Këshilli Administrativ miraton rezultatin financiar të sigurimeve shoqërore për vitin 2024

Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në datën 12 Qershor 2025, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, në të cilën analizoi aktivitetin financiar të ISSH për vitin 2024 dhe miratoi “Rezultatin financiar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2024”.

Të ardhurat kontributive të drejtpërdrejta për vitin 2024 u realizuan në masën 139.4 miliardë lekë, me një tejkalim 2,069 milionë ose 101%, kundrejt planit.

Numri i kontribuesve që kanë kontribuar direkt në skemën e sigurimeve shoqërore, në vitin 2024, arriti në 805,416 persona, 22,164 persona me shumë krahasuar me vitin 2023, ose 3% më shumë.

Gjatë fjalës së saj, znj. Manjani, vlerësoi performancën financiare pozitive të ISSH – së, rritjen e numrit të kontribuesve në sasi dhe cilësi, si dhe qëndrueshmërinë e skemës së sigurimeve shoqërore.

Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, vuri theksin në mirëadministrimin e skemës, por edhe në punën e bërë në drejtim të ruajtjes së programuar të shpenzimeve dhe realizimin, sipas programit të buxhetit të miratuar nga Kuvendi.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i angazhuar për të vazhduar punën për informatizimin e sistemit, për të rritur më tej të ardhurat kontributive, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët, si dhe për të zbatuar politikat reformatore të qeverisë në fushën e pensioneve.