1. PENSIONI I PLEQËRISË

Baza ligjore:

Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Kushtet e përfitimit:

a)Personat që kanë moshën dhe periudhat e sigurimit, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pleqërisë sipas tabelës së mëposhtme:

Shkarko në PDF Tabelën e moshës së daljes në pension pleqërie

Shkarko në PDF Tabelën e pagave referuese para vitit 1994

b)Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi.

Masa e pensionit të pleqërisë:

– Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social;

– Shtesa do të jetë 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive;

– Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

2. PENSIONI I REDUKTUAR I PLEQËRISË

Baza ligjore:

Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Kushtet e përfitimit:

a)Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension;

b)Nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar.

Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë:

-Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit.

-Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 % në muaj.

Shëmbull: Nëqoftëse një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 % (që del nga prodhimi i 20 (muaj) që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 06 %, që është koeficienti i miratuar).

3. PENSIONI I PLOTË I PLEQËRISË SI NËNË ME SHUMË FËMIJË

Baza ligjore:

Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Kushtet e përfitimit:

a) Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur:

b)Plotësojnë moshën 55 vjeç;

c) Kanë 30 vjet periudhë sigurimi;

d) Janë tërhequr nga veprimtaria ekonomike;

e) Kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur mbi 8 vjeç.

Masa e pensionit të pleqërisë si nënë me shumë fëmijë:

– Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë;

– Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, 30 vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social;

– Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë kontributive;

– Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Dokumentacioni bazë për përfitimin e PENSIONIT TË PLEQËRISË, PENSIONIT TË REDUKTUAR TË PLEQËRISË dhe PENSIONIT TË PLOTË TË PLEQËRISË SI NËNË ME SHUMË FËMIJË :

– Fotokopje e kartës së identitetit;

– Certifikatë e gjëndjes familjare;

– Çertifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);

– Vërtetim nga Komuna/Bashkia për ndryshimin e gjeneralitetit;

– Vërtetim nga qendra e fundit e punës për gjeneralitetin.

–  Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në çertifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe çertifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijet që nuk figurojnë në çertifikatën e gjëndjes familjare;

– Dy copë fotografi.

a) Dokumentat që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:

– Libreza e punës;

– Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;

– Vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore;

– Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme);

– Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);

– Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;

– Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).

b) Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe reabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe:

– Vërtetim i gjendjes gjyqësore;

– Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;

– Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë;

– Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qënien në punë.

c) Dokumentat që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:

– Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);

– Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.