Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado mori pjesë në Konferencën Kombëtare për Antikorrupsionin, në panelin: “Rritja e transparencës dhe efektivitetit të administratës publike: Përdorimi i mjeteve digjitale për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve për qytetarët”.

Gjatë fjalës së tij z. Hado tha se fokusi i punës sonë është automatizimi i proceseve në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimet në kohë reale dhe me cilësi.

Në periudhën 2020-2022 janë kryer në total 538,749 aplikime, ku vetëm për periudhën janar-maj 2022 janë realizuar 125,457 aplikime.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ofron 56 shërbime përmes platformës e-Albania dhe për shumicën e tyre përgjigjja merret online. Ky revolucion ka sjellë thjeshtësim të procedurave, standartizim të aplikimeve, eliminim të një sërë dokumenteve, por edhe shërbim më të mirë e më të shpejtë.

Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, theksoi se e gjithë kjo, nuk do të ishte bërë e mundur pa ndërveprimin midis institucioneve, rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit të qytetarëve, monitorimin efikas të të gjithë proceseve, si dhe rritjen e mëtejshme të transparencës.

Një rol të rëndësishëm në zbatimin e kësaj reforme madhore kanë edhe burimet njerëzore, që çdo ditë aftësohen për të garantuar ecurinë e procesit dhe me profesionalizëm trajtojnë e zgjidhin çdo problematikë që mund të lindë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të vijojë të jetë i angazhuar për të adresuar drejt sfidat dhe për të përmbushur objektivat që dikton teknologjia digjitale.