Intervista e plotë e Zv/Drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Ali Emini, botuar në gazetën “Shekulli”, datë 31 janar 2013, faqe 12-13.
Emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të marrin pension pleqërie, minimal apo maksimal, duke iu njohur si vjetërsi pune vitet brenda dhe jashtë vendit. Për të përfituar pension pleqërie minimal, duhet që të kenë të plota 15 vjet punë. Nga ana tjetër, emigrantët mund të përfitojnë dy pensione pleqërie. Në bazë të nismave të ISSH dhe marrëveshjeve apo bashkëpunimeve me vendet e Europës, emigrantët do të kenë mundësinë e aplikimit për të marrë pension pleqërie. Nëndrejtori i Përgjithshëm i ISSH, Ali Emini, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, shpjegon mënyrën e përfitimit, vendin e aplikimit dhe vitet që duhet të plotësojë aplikanti për të përfituar pension pleqërie, me vitet e punës brenda dhe jashtë vendit. Sipas të dhënave, deri më tani rezulton se jashtë vendit kanë emigruar rreth 1 milion shqiptarë. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë në marrëdhënie pune para emigrimit dhe tashmë punojnë jashtë vendit, por të gjithë duan që këto vite të mos u humbasin pa i përfituar. Vetëm në Itali përllogaritet që 300 mijë emigrantë janë të siguruar dhe mund të aplikojnë për pension.
Cilat janë kushtet e përfitimit të pensionit për emigrantët?
Në radhë të parë duhet të shpjegoj domosdoshmërinë e këtij procesi. Fillimi i viteve ’90 solli që shumë shqiptarë të largoheshin për të punuar në vendet e tjera në vendet fqinje apo dhe në vende të tjera. Këta njerëz u integruan në tregun e punës së atyre vende, pavarësisht se një pjesë e tyre në fillim punuan në të zezë, ata mundën që të sistemoheshin dhe të kenë punë të rregullt në bazë të dokumenteve. Disa prej tyre kanë hapur biznese të vogla apo biznese të mëdha. Një pjesë e këtyre njerëzve kanë një histori kontributesh me sistemin shqiptar të sigurimeve shoqërore, i cili mund të jetë që e plotëson minimumin e domosdoshëm të viteve për të marrë një pension ose nuk e plotëson. Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore, në Shqipëri duhen 15 vite pune të plota për të marrë pension minimal. Pra që të mund të kualifikohesh për përfitimin e një pensioni duhet që kushdo të ketë jo më pak se 15 vjet pagesë kontributesh (qoftë me vite të paguara në punë apo nëpërmjet pagesës së sigurimeve vullnetare).
Çfarë ndodh me një person që ka më pak vite pune?
Ky person në qoftë se nuk plotëson 15 vite atëherë mund t’i humbasë dhe vitet e tjera që ka kryer nën sistemin e vjetër të sigurimeve shoqërore. Për këto raste, domethënë për plotësim të periudhave të sigurimit, ligji parashikon një skemë, që quhet skema e kontributeve vullnetare. Këto kontribute mund t’i paguajë çdo njeri që ka një histori me kontributet me sistemin e sigurimeve shoqërore, pavarësisht nga vendi se ku punon dhe jeton.
Si mund të aplikojë çdo person nga jashtë vendit për përfitimin e kontributeve në Shqipëri?
Ai mund të aplikojë duke ardhur në të gjitha agjencitë e sigurimeve shoqërore, që janë të shpërndara në të gjithë vendin, ose duke autorizuar ndonjë pjesëtar të familjes për të bërë aplikimin. Ndërsa në Itali mund të aplikojë që andej nëpërmjet zyrave të patronateve. Sigurimi për këto raste është 40 mijë lekë në vit dhe përfitohet një vit pune. Tjetër pikë është, duke bashkuar periudhat e punës së ish-ndërmarrjeve shtetërore dhe këto periudha që i ble nëpërmjet këtij lloj sigurimi, atëherë mund të sigurohesh deri në 15 vjet që mund të përfitohen kur burrat të arrijnë moshën 65 vjeç dhe gratë 60 vjeç. Në këtë mënyrë nuk mund t’u humbasë asnjë vit. Problemi i dytë që dua të shtroj lidhur me këtë çështje është që ISSH me bashkëpunimin e patronateve italiane që kanë zyra në Shqipëri (INAS dhe AKLI, AKAI etj) dhe që janë të shpërndara në të gjithë Italinë mund të aplikojnë që andej. Ata mund të shkojnë në këto zyra dhe të marrin informacionin e duhur sepse të gjithë personat që punojnë aty e njohin legjislacionin shqiptar. Informacioni që jepet dhe kërkesa që bëjnë në patronatet italiane regjistrohet nga punonjësit dhe dërgohet në ISSH. Në këto momente instituti shqiptar i konfirmon, pastaj nëpërmjet një shërbimi që ofron Banka Intesa San Paolo mund të paguajnë kontributet dhe ato vijnë dhe regjistrohen në llogaritë e ISSH.
Si mund të bëhet lidhja e kontributeve për një person që është i siguruar brenda dhe jashtë vendit?
Ju po flisni për marrëveshjet bilaterale në fushën e sigurimeve shoqërore. ISSH ka një marrëveshje të plotë bilaterale me Turqinë. Pra, në rast se një shqiptar ka një vjetërsi të caktuar X dhe shkon punon me sigurime edhe në Turqi dhe sigurohet edhe atje, vitet mblidhen bashkë dhe këta merren të mirëqena për pension. Për shembull, nëse një shqiptar ka punuar 8 vjet në Shqipëri dhe 7 vjet në Turqi do të marrë një pension që përbëhet nga pjesa shqiptare dhe ajo Turke. Së fundmi, është lidhur marrëveshja me Belgjikën. Ne kemi marrëveshje teknike këmbim informacioni e legjislacioni, marrëveshje për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve. Sot për sot janë ndërtuar draftet, por janë në shqyrtim nga shtetet përkatëse, sepse kanë edhe kosto financiare. Prandaj është në dobi të shqiptarëve integrimi në Bashkimin Europian sa më shpjet që të jetë e mundur që krahas gjithë çështjeve të tjera të zgjidhet edhe çështja a bashkëpunimeve bilaterale dhe multibilaterale, sepse edhe vetë BE-ja ka interesa dhe kushte për të gjithë vendet që anëtarësohen.