Intervistë e znj. Vjollca Braho, Drejtore e Përgjithshme e ISSH-së, dhënë në gazetën “Panorama”, datë 4.10.2013, faqe 6.
Znj Braho, gjatë ditëve të fundit është shfaqur sërish çështja e mashtrimeve me pensionet. A mund të na thoni se, në cilën fazë është pastrimi i skemës nga pensionet e padrejta?
ISSH ka nisur prej vitesh një proces të pastrimit të skemës nga përfitimet e pamerituara. Si rezultat i këtyre kontrolleve ka rezultuar një numër relativisht i lartë i personave që kanë përfituar pensione të pamerituara. Janë konstatuar raste me datëlindje të fallsifikuara, dublime pensionesh, pensione fiktive, si dhe raste të fallsifikimit të vjetërsisë në punë. Ky proces është në vazhdimësi dhe si rezultat i informatizimit të veprimtarisë së sigurimeve shoqërore vazhdimisht po konstatohen pensione me datëlindje të fallsifikuar.
-Mund të na thoni më konkretisht sa është numri i dosjeve të kontrolluara dhe të konstatuara me problem dhe dëmi i shkaktuar?
Nga auditi i ISSH-së janë kontrolluar manualisht të gjithë dosjet e pensioneve urbanë për shumicën e rajoneve dhe nga ky kontroll ka rezultuar që rreth 5600 dosje kanë patur probleme. Më konkretisht rreth 1750 dosje kanë rezultuar me datëlindje të ndryshme nga ajo e gjendjes civile duke përfituar pension para kohe nga disa muaj në disa vite. Pjesa tjetër kanë rezultuar me probleme të vjetërsisë në punë si shtim fiktiv i vjetërsisë, fallsifikime të regjistrave, ndryshim të punës nga kategori e tretë në kategori të parë, ndryshim të punës nga punë në Kooperativa Bujqësore në ndërrmarrje shtetërore etj. Të gjitha këto ndryshime kanë sjellë përfitimin e pensionit më shumë dhe më parë se normalisht. Për të gjitha këto dosje me problem, është zbatuar një procedurë e përcaktuar nga ana ISSH-së e cila konsiston në pezullimin e pensionit, kontaktimi i qytetarit me sigurimet shoqërore rajonale, pranimi i dokumentave që kërkohen për të vërtetuar saktësinë e dosjes, rillogaritjen e pensionit në kushtet e reja, llogaritja e dëmit të shkaktuar, ndalesa e dëmit në masën 50 për qind të pensionit mujor si dhe kallëzimet penale për rastet kur ka rezultuar falsifikim. Gjithashtu, në kuadër të informatizimit të sistemit, deri tani janë dixhitalizuar rreth 90 për qind e dosjeve të vjetra të pensionit dhe ky proces hedhjeje të dhënash është i lidhur on line me regjistrin kombëtar të shtetasve, çka do të thotë që gjeneralitetet dhe data e lindjes ngarkohen automatikisht në sistem. Nga ballafaqimi i datëlindjes në regjistrin e shtetasve me datëlindjet e certifikatave të lindjes të paraqitura nga qytetarët ka rezultuar se 856 pensionistë kanë përfituar pension me datëlindje të falsifikuar. Ky proces hedhje të dhënash ka evidentuar edhe rastet kur një person përfitonte dy pensione në rajone të ndryshme. Deri më tani kanë rezultuar 96 raste me pensione të dubluara. Për të gjithë këto raste ëshë zbatuar procedura e mësipërme dhe janë kallzuar nga ana jonë për ndjekje penale pranë organeve përkatëse.
-Sa është dëmi i shkaktuar për këto raste mashtrimi?
Duke qënë se numri I pensioneve që administrohen dhe paguhen është I lartë, faktit që shumica e llogaritjeve janë bërë në mënyrë manuale, kontrolli i periodik nga auditi, informatizimi I proceseve të punës, vazhdimisht dalin debitorë dhe raste të përfitimeve më tepër ose nëpërmjet mashtrimit. Shuma debitore në fund të vitit 2012 ka rezultuar në masën 2.9 miliardë lekë. Për të gjithë debitorët zbatohet ndalesa në masën 50 për qind e këstit mujor të pensionit kur qytetari ka mashtruar dhe 20 për qind në rastet kur gabimi në llogaritje është bërë nga sigurimet shoqërore. Dëmi i shkaktuar nga 96 rastet e pensioneve te dubluara është rreth 91 milionë lekë, ndërsa për 856 rastet e konstatuara me datëlindje të fallsifikuar nga hedhja e të dhënave, dëmi i shkaktuar është rreth 224 milionë lekë. Vjelja e dëmit të shkaktuar siç e shpreha më lart është në vazhdimësi dhe për vitin 2012 shuma e rekuperuar ëshë 377 milionë lekë.
-Ju thatë se ka qenë informatizimi si proces vendimtar që ka qartësuar pastrimin e skemës. Në cilën fazë është aktualisht informatizimi i skemës?
Informatizimi i skemës nuk përfshin vetëm dixhitalizimin e dosjeve të pensioneve por të gjithë aktivitetin e ISSH-së. Më konkretisht përfshin, informatizimin financiar, pagesën on line të pensioneve, llogaritjen automatike të përfitimeve, menaxhimin e kontributeve të paguara, dixhitalizimin e dokumentave të vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit për të gjithë kontribuesit. Janë hartuar programet për çdo proces të punës, është ngritur infrastruktura dhe jemi në fazën e implementimit të tyre. Rasti më i prekshëm i informatizimit deri tani është pagimi i pensioneve nga ana e postës shqiptare jo më nëpërmjet urdhër pagesave në letër por on line dhe nëpërmjet përdorimit të sistemit. Deri më tani paguhen rreth 200 mijë pensione dhe pjesa tjetër do të paguhet me këtë mënyrë, menjëherë sapo posta shqiptare të realizojë infrastrukturën e nevojshme për këtë qëllim. Qytetarët që paguhen sipas sistemit të ri, në momentin e pagesës pajisen me një mandate pagese të printuar ku evidentohen të gjitha përfitimet që merr si pension, kompensim të ardhurash, kompensime çmimesh të energjisë dhe bukës, peridha për të cilën paguhet, llojin e përfitimit etj. Ky system pagese on line rrit transparencën ndaj qytetarëve, kontrollon në kohë reale pagesat e bëra nga agjenti pagues dhe shmang abuzimet në saktësinë e pagesave.
-Nga ajo çfarë ju keni deklaruar në media, prej muajsh ka nisur të funksionojë një arkivë e përqëndruar për sigurimet shoqërore. Çfarë përfitojnë qytetarët nga ky përqëndrim. A ka nisur të ndjehet efekti ?
Ndërtimi dhe funksionimi i arkivës qëndrore të sistemit të sigurimeve shoqërore është në funksion të strategjisë së informatizimit dhe të modernizimit të sistemit. Kjo arkivë ka disa muaj që ka nisur funksionimin dhe është një arkivë moderne sipas standarteve më të mira arkivore ndërkombëtare. Është e pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme për sigurinë, kushtet e ruajtjes se dokumentacionit dhe të dixhitalizimit të tyre. Aktualisht, janë tërhequr dhe arkivuar të gjitha regjistrat e ditëve të punës në ish KB dhe rreth 60 për qind e regjistrave të vjetërsisë në punë të ish ndërrmarrjeve shtetërore, ndërkohë që po vazhdon puna për tërheqjen dhe grumbullimin e dokumentave të tjerë të vjetërsisë në punë. Paralel me këtë process, po vazhdon puna për dixhitalizimin e këtyre dokumentave dhe krijimit të arkivës dixhitale. Ky process ka përfunduar për regjistrat e ish KB dhe rreth 50 për qind të regjistrave te ish ndërrmarrjeve shtetërore. Përfitimi i qytetarëve në nivel të përgjithshëm nga funksionimi i kësaj arkive është i madh, sepse është rritur siguria e ruajtjes dhe shmangja e abuzivizmit me këto dokumenta ndërsa në nivel personal, si rezultat i dixhitalizimit dhënia e dokumentave të vjetërsisë në punë për qytetarët jepet në një kohë shumë të shkurtër dhe të saktë. Efekti përfundimtar do të ndjehet kur të përfundojë tërësisht procesi i dixhitalizimit të vjetërsisë në punë, i cili do të bëjë të mundur llogaritjen automatike të të gjithë përfitimeve si dhe kontrollin nga kompjuteri i çdo kontribuuesi të kontributeve të paguara.