Marrëveshja, e firmosur më datë nga Drejtorët e Përgjithshëm të të dy institucioneve Z. Astrit Hado dhe Z. Maltin Korkuti, synon lehtësimin e procedurave për të gjithë pensionistët që dëshirojnë ta tërheqin pensionin e tyre bankë.
“Duke iu përshtatur ndryshimeve më të fundit qoftë në legjislacion, ashtu edhe në sistemet elektronike që të dy institucionet kanë zhvilluar gjatë kësaj kohe, nëshkruam këtë marrëveshje, e cila synon të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj pensionistëve, duke reduktuar procedurat burokratike për shkëmbimin e dokumentacionit dhe informacionit mes dy institucioneve, si dhe rritjen e kontrollit të pagesave dhe të fondit të pensioneve që menaxhon ISSH-ja”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado. Duke e vlerësuar bankën Credins si një partner të rëndësishëm, Z. Hado theksoi se shpreson që gjatë periudhës në vijim të gjithë qytetarët e interesuar për ta tërhequr pensionin në bankë do të kenë një shërbim akoma dhe më cilësor.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Credins, Z. Maltin Korkuti theksoi se “Kjo marrëveshje nuk është vetëm komerciale, por është një përgjegjësi sociale që sistemi bankar t’iu ofrojë edhe pensionistëve shërbime të kualifikuara, siç janë shërbimet elektronike, pagesat elektronike, pagesat përmes kartave, por edhe shumë shërbime sekondare falas si kontrolli shëndetësor falas nëpër klinikat ku ne kemi marrëveshje”.
Aktualisht Instituti i Sigurimeve Shoqërore bashkëpunon me një sërë agjentësh pagues të pensioneve si Posta Shqiptare sha dhe disa banka të nivelit të dytë.
Marrëveshja e firmosur lejon bankën Credins të ketë të dhëna në sistemin on line të sigurimeve shoqërore, duke eleminuar të gjitha procedurat që deri dje bëheshin me letër. Kjo mënyrë e re redukton ndjeshëm burokracitë, si dhe vonesat që mund të ketë pasur në kalimin e pagesave. Ky shërbim ofrohet falas nga banka dhe qytetarët nuk do të kenë asnjë kosto shtesë për shërbim që do të marrin.