Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, në gazetën “Panorama”, më datë 31 tetor 2016

Duke nisur nga data 1 nëntor nis kthimi pas i parave për ish-ushtarakët e prekur nga Akti Normativ i miratuar në 2010-n.

Kështu, bashkë me pensionin, 5400 ushtarakë do të kenë mundësi të përfitojnë edhe shtesën. Sipas drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, pagesat do të kryhen me këste deri në muajin maj të 2017-s. Përmes një interviste dhënë për gazetën, thotë se shuma e debisë së mbajtur është e ndryshme dhe varion nga 1 lek deri në 500 mijë lekë.

ISSH ka gati edhe skemën që do të aplikohet për kthimin pas të parave, të cilën Hado e ilustron përmes shembujve konkretë. “Në rast se një ishushtarak ka debi të shlyer prej 52.500 lekësh, kjo shumë do t’i jepet në muajin nëntor 15.000 lekë dhe pjesa e mbetur prej 37.500 lekësh do t’i jepet në tre këste, përkatësisht në muajin dhjetor 15.000 lekë, në muajin janar 15.000 lekë dhe në muajin shkurt pjesa e mbetur prej 7500 lekësh.

Në rastet kur shuma që do të kthehet është më e madhe, atëherë në muajin nëntor do të marrë 15.000 lekë dhe në muajt e tjerë do të marrë 1/6 e shumës deri në muajin maj”. Sakaq e menjëhershme dhe e plotë do të kryhet pagesa për ata që kanë për të përfituar më pak se 15 mijë lekë.

Në muajin maj të këtij viti, Qeveria miratoi ligjin për faljen e detyrimeve të ish-ushtarakëve sipas Aktit Normativ. Ku konsistojnë këto detyrime të ish-ushtarakëve ndaj skemës dhe pse kanë lindur këto borxhe?

Në muajin maj të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 46/2016 për faljen e detyrimeve të ish-ushtarakëve ndaj skemës së pensioneve suplementare nga rillogaritja sipas ligjit 10142 të vitit 2009. Ky ligj sanksionon që të gjitha detyrimet që ish-ushtarakët kanë ndaj skemës për shkak të rillogaritjes do të falen dhe ato detyrime që janë paguar do të kthehen.

Arsyeja e krijimit të këtyre detyrimeve është për arsye administrative, pra për një vonesë të llogaritjes së pensioneve. Në ligjin 10142 është përcaktuar që të gjithë përfitimet e caktuara deri në datën 1 korrik 2009 do të rillogariten sipas përcaktimeve të këtij ligji përfshirë edhe ato përfitime që janë caktuar sipas vendimeve gjyqësore. Në këtë ligj, por edhe në vendimet e Këshillit të Ministrave të dala në zbatim të ligjit është përcaktuar që rillogaritjen do ta kryejë ISSH, por në bazë të dokumentacionit që do të dërgojnë ministritë e linjës ku përcaktohet vjetërsia në shërbim për çdo ish-ushtarak dhe paga referuese neto sipas pozicioneve të punës.

Për shkak të ankimimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese dhe ndryshimeve që iu bë bazuar në vendimin e kësaj gjykate, për një periudhë rreth dyvjeçare ishte e pamundur rillogaritja e pensioneve duke filluar nga 1 korriku 2009. Dokumentet e dërguara nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera u dërguan me vonesë pranë ISSH dhe për rrjedhojë nga momenti i ardhjes së dokumenteve dhe rillogaritjes deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, që është 1 korriku 2009, pensionet ishin tërhequr sipas ligjit të vjetër dhe të parillogaritura.

Për personat që pas rillogaritjes masa e pensionit rezultonte më e lartë se masa e pensionit sipas ligjit të ri, nga ana jonë iu paguan shumat kreditore duke filluar nga 1 korriku i vitit 2009, ndërsa për personat që nga rillogaritja masa e pensionit rezultonte më e ulët se masa e më- parshme, u llogarit shuma e marrë tepër dhe u shpallën debitorë. Kjo shumë debitore iu është mbajtur në masën 20% të masës mujore të pensionit deri në shlyerjen e saj sipas përcaktimit të ligjit.

Më lejoni të theksoj se këto detyrime nuk kanë lindur si rezultat i llogaritjes gabim nga ana e strukturave të sigurimeve shoqërore, por si rezultat i vonesës së zbatimit të ligjit dhe dërgimit të dokumentacionit përkatës nga ministritë dhe institucionet e linjës të ngarkuara nga ligji dhe aktet nënligjore.

Kur do të fillojë falja e detyrimeve për ish-ushtarakët dhe a do t’u kthehen shumat e mbajtura deri tani?

Duke filluar nga data 1 qershor 2016, të gjithë ish-ushtarakëve debitorë nga rillogaritja nuk u mbahet as një lek nga pensioni i tyre dhe të gjitha detyrimet u janë falur.

Të gjitha detyrimet e tyre janë hequr nga sistemi informatik i pagesave dhe paguhen në masën që u ka dalë pensioni nga rillogaritja. Të gjitha shumat e paguara deri në atë datë do t’u kthehen ish-ushtarakëve sipas përcaktimeve të ligjit 46/2016 dhe VKM 704, datë 12.10.2016.

Tags: