Në datat 6 – 8 shtator 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, u zhvillua takimi përfundimtar me homologët austriakë, për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren gjatë implementimit të Marrëveshjes në fushën e mbrojtjes shoqërore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë.
Si rezultat i kësaj Marrëveshjeje do të mundësohen përfitimet nga skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, për gëzimin e të drejtave të fituara nga personat që kanë jetuar dhe punuar në Republikën e Austrisë dhe anasjelltas, me qëllim që asnjë kontribut të mos humbasë, por të merret në konsideratë, në mënyrë që të sigurohet e drejta për përfitim, në interes të qytetarëve.
Marrëveshja kuadër është miratuar ditën e djeshme nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 637, datë 07.09.2016, dhe së shpejti do të nënshkruhet nga ministrat homologë të të dy vendeve.