Çfarë masash parandaluese duhen marrë?

Shoqëria duhet të mendojë dhe të marrë masa për rritjen e lindjeve si faktori kryesor i uljes ose frenimit të plakjes së popullsisë. Sot jemi në një fazë kritike, ku një çift nuk arrin të riprodhojë vetveten, pasi norma e lindshmërisë është nën dy fëmijë për grua. Mendoj se një faktor tjetër që do të kishte efekt në vendin tonë për sa i përket këtij fenomeni është frenimi i emigracionit në drejtim të vendeve të tjera, pasi përgjithësisht emigrojnë të rinjtë dhe forcat aktive për punë. Për sa i përket skemës së pensionit, zgjidhjet janë të kushtëzuara nga faktorët e tjerë ekonomikë, socialë dhe demografikë. Këtu mund të përmend rritjen e moshës së daljes në pension, rritjen e periudhës kontributive, lidhjen e masës së pensionit me gjatësinë e periudhës kontributive dhe kontributeve të paguara gjatë kësaj periudhe kontributive, rregullat strikte të indeksimit të pensioneve me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare dhe garantimin e të drejtave dhe pagimin e tyre. Diversifikimi i riskut për sa u përket pensioneve mund të jetë një masë efikase për të përballuar efektet e plakjes së popullsisë. Ky diversifikim realizohet me forcimin e skemave private të pensioneve duke e shpërndarë riskun midis publikes dhe individit.

Si janë trajtuar përvoja të ngjashme në vende të tjera?

Plakja e popullsisë sot është një fenomen botëror dhe një nga arsyet kryesore të reformimeve të skemave të pensionit. Vende të ndryshme e kanë adresuar në mënyra të ndryshme problemin, që nga krijimi i incentivave për rritjen e lindshmërisë, duke rritur shpërblimet, subvencionet e familjeve me shumë fëmijë, njohje ose dhurim të periudhave të sigurimit për çdo fëmijë ose kohës së kujdesit ndaj fëmijës, rritjes së moshës së daljes në pension ku disa vende po e rrisin deri në 70 vjet, unifikim të moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë, krijimi dhe forcimi i skemave private të pensioneve, ku risku është individual, pranimin gjithnjë e më shumë të emigrantëve nga vende të tjera për të rritur fuqinë punëtore dhe numrin e kontribuesve në skemë, etj.

Tags: