Intervistë me drejtorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, revista “Monitor”, 10/07/2016

 Nëse në vitin 2012, popullsia rezidente në Shqipëri ka qenë rreth 2.9 milionë banorë, në vitin 2080 parashikimet janë për një tkurrje të ndjeshme dhe popullsia në këtë vit do të jetë rreth 2 – 2.1 milionë banorë. Një tregues tjetër është që nëse në vitin 2012, popullsia mbi 65 vjeç zë 14.9% të totalit të popullsisë, në vitin 2080, kjo kategori do të arrijë në rreth 29.5%.

 Efektet që plakja e popullsisë jep në jetën ekonomike e shoqërore janë afatgjata dhe me trend rritës të tyre. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, thotë se Shqipëria është e vonuar me marrjen e masave amortizuese, pasi çfarëdolloj ndërhyrje që ndërmerret nuk jep efektin e menjëhershëm, por do kohën e vet të maturimit dhe dhënies së efekteve. Hado tha se, fillimisht duhet të frenohet emigracioni në drejtim të vendeve të tjera, pasi përgjithësisht emigrojnë të rinjtë dhe forcat aktive për punë.

 Ai thotë se një nga masat parandaluese mund të jetë stimulimi i lindshmërisë, duke rritur shpërblimet, subvencionet e familjeve me shumë fëmijë, njohje ose dhurim të periudhave të sigurimit për çdo fëmijë ose kohës së kujdesit ndaj fëmijës. Disa vende kanë aplikuar rritjen e moshës së daljes në pension, duke e çuar deri në 70 vjet. Hado tha se edhe krijimi i skemave private të pensioneve janë një zgjidhje.

A është plakja e popullsie një shqetësim që duhet marrë në konsideratë qysh tani?

Kur themi që popullsia po plaket kemi parasysh që rritet mosha mesatare e popullsisë, si rezultat i rënies së numrit të lindjeve dhe rritjes së jetëgjatësisë së qytetarëve. Plakja e popullsisë mund të perceptohet edhe si rritje e peshës specifike që zë grupmosha mbi 65 vjeç ndaj totalit të popullsisë. Plakja e popullsisë nuk është një fenomen që ndodh menjëherë ose brenda një periudhe të shkurtër kohore, por është një proces i vazhdueshëm. Edhe efektet që plakja e popullsisë jep në jetën ekonomike e shoqërore janë afatgjata dhe me trend rritës të tyre. Për të ardhur te pyetja juaj, a duhet marrë në konsideratë që sot, përgjigjja është se jemi të vonuar. Jemi të vonuar pasi çfarëdolloj mase të parashikohet apo merret nuk jep efektin e menjëhershëm por do kohën e vet të maturimit dhe dhënies së efekteve. Çdo incentivë për rritjen e lindshmërisë nuk jep efektin brenda muajit apo vitit, pasi përveçse ligjësitë e natyrës nuk e lejojnë një gjë të tillë, edhe vendimmarrja individuale është proces që kërkon kohë dhe analizë të të gjithë faktorëve që mbështesin një vendim të kësaj natyre. Sistemet e pensioneve kanë një periudhë të gjatë të maturimit të produkteve që ofron pra, pensionet dhe si të tillë duhet që masat të merren përpara se fenomeni i plakjes të japë efektet e plota.

Tags: