

Në prani të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi dhe anëtarëve të Këshillit Administrativ të ISSH-së, sot, më datë 04 mars 2016, në ambjentet e Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore, Lundër, Tiranë u zhvillua analiza vjetore e ISSH-së.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, ka bërë publike disa nga arritjet dhe sfidat me të cilat përballet skema e sigurimeve shoqërore, si një fushë me efekte shumë të gjera sociale, ku preket thuajse çdo familje shqiptare.
Implementimi i reformës së pensioneve, ishte prioriteti më i rëndësishëm i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Aktualisht, theksoi kreu i ISSH-së, jemi duke e zbatuar në praktikë këtë reformë dhe me kënaqësi konstatojmë që për herë të parë në vitin 2015 u paguan pensione më të larta se tavani administrativ maksimal të vendosur në ligjin e vjetër, duke realizuar kthimin e kontributeve të paguara ndër vite në masë pensioni. Ndërkohë, procesi i zbatimit të kësaj reforme, i lidhur ngushtë me proceset e informatizimit të sistemit dhe të rritjes se performancës së shërbimeve ndaj qytetarëve, kërkon impenjim të vazhdueshëm, në zbatimin e dispozitave dhe rregulloreve ekzistuese ashtu edhe në përgatitjen e akteve nënligjore të reja sipas problematikave dhe nevojave që dalin. Ka ende shumë punë, deri në arritjen e standarteve, që kërkohet dhe që janë përcaktuar nga Qeveria. Z. Hado, vuri theksin në faktin që gjatë vitit që kaloi për herë të parë u trajtuan me pension social 1,811 persona me moshë mbi 70 vjeç, që nuk kishin asnjë të ardhur tjetër ose të ardhurat e tyre ishin të papërfillshme. Trajtimi me pension për këta persona përveç përmirësimit financiar të jetës së tyre, është pjesë e përkujdesjes për moshën e tretë nga sistemi i sigurimeve shoqërore.
Gjatë vitit 2015 – vazhdoi z. Hado- u realizuan menjëherë të gjitha procedurat administrative të rritjes së pensioneve, si dhe pagesave për mbi 619 mijë përfitues nga data 01.08.2015, si dhe u realizua në një kohë rekord e gjithë procedura administrative e dhënies së shpërblimeve për vitin e ri po për 619 mijë përfitues, me një efekt financiar rreth 1,238 milionë lekë.
U lidhën gjithsej 37,440 pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjare dhe duke shtuar edhe pensionet sociale, pensionet për ish-minatorët, pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi të ish-ushtarakëve dhe pensionet suplementare, numri total i përfitimeve të reja të caktuara dhe paguara ka arritur në 45,029. Numri i pensioneve të reja krahasuar me vitin 2014 është 1,632 pensione më pak, si rezultat i rritjes së moshës së daljes në pension të grave dhe shtërngimit të kritereve për pension invaliditeti.
Krahas caktimeve të pensioneve të reja janë rishqyrtuar të gjitha pensionet e invaliditetit, familjar, pensionet e parakohëshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare shtetërore, duke përballuar një punë mjaft të madhe dhe voluminoze – tha kreu i ISSH-së.
Po gjatë këtij viti është zbatuar ligji për punën nëntokë të ish-minatorëve, si pjesë integrale e reformës së pensioneve dhe mbi 3,000 ish-minatorë kanë përfituar pensionin në moshën 55 vjeç, duke zgjidhur një problem shumëvjeçar me këtë kategori që kanë punuar në kushte dhe punë shumë të vështirë.
Brenda afateve ligjore të përcaktuara u arritën të kryhen procedurat për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike, sipas VKM nr. 8, datë 14.01.2015 “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 këh, në muaj”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr. 1, datë 01.02.2015 “Mbi zbatimin e VKM nr. 8, datë 14.01.2015” i tre ministrave, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, prej 648 lekë për çdo përfitues, për rreth 80 mijë kryefamiljarë pensionistë e invalidë, si dhe gjatë gjithë vitit u ndoq procesi i rideklarimit të gjendjes së punësimit në familje, duke larguar nga skema rastet abuzive, si dhe duke pritur e vendosur përfitime për të drejtat e reja.
Gjithashtu, theksoi z. Astrit Hado në fjalën e tij “Nëpërmjet riorganizimit të shërbimit të Komisioneve Mjekësore Eprore, si dhe vënien në funksionim të dispozitave ligjore për ngritjen e KMCAP-eve eprore, është realizuar ulja e abuzimeve në vlerësimin e aftësisë për punë, duke rritur shkallën e përgjegjshmërisë në marrjen e vendimeve dhe si përfundim dhe ulja e ritmit mesatar vjetor të 5 viteve të fundit, lidhur me shtesën vjetore të numrit të e pensioneve të invaliditetit”.
Megjithëse, vazhdoi z. Hado “Është bërë një punë e mirë në uljen e numrit të invaliditetit me 1,226 invalidë të rinj më pak se viti 2014, problematika është prezente dhe kryesisht lidhet me dokumentat mjekësore që ofrohen nga spitalet publikë. Një problem shqetësues që duhet të adresohet është rasti i personave të paaftë për punë që nuk përfitojnë pensionin invaliditeti nga puna për mosplotësim të kriterit të një vit sigurimi në pesë vitet e fundit dhe që nuk trajtohen nga skema të tjera mbrojtësi si shërbimi social shtetëror etj”.
Gjatë vitit që po analizojmë është rritur cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve, është rritur rritur numri i pensioneve të lidhura në afat nga 87.6% në vitin 2014 në 91 % në vitin 2015, si dhe është ulur periudha e caktimit të pensioneve nga 31 ditë në mesatare në 2014 në 27 ditë në mesatare në 2015, nga 45 – 60 ditë që eshtë koha maksimale ligjore për lidhjen e një pensioni deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së z. Astrit Hado. U zbatuan standarte të reja në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj pensionistëve, sidomos në fushën e transparencës së përfitimeve të caktuara. Hapi më i rëndësishëm u bë në drejtim të transparencës së pagesave, nëpërmjet qeverisjes së tyre më të plotë, me sisteme informatike, të cilat ndër të tjera kanë përmirësuar ndjeshëm edhe administrimin financiar të sistemit.
“Por me gjithë përmirësimet e bëra në këtë drejtim – vazhdoi z. Hado, përsëri janë rreth 3,000 pensione që janë lidhur jashtë afatit duke sjellë vonesa në pagimin e pensioneve dhe shkaktuar mangësi të mjeteve të jetesës. Këto vonesa kanë krijuar shqetësime serioze në rradhë të parë për qytetarët dhe më tej duke krijuar flukse të panevojshme të kërkesave, letrave, ankesave si dhe shtim të radhëve në zyrat e pritjes. Megjithëse, përgjithësisht këto vonesa shkaktohen për shkaqe objektive që lidhen me cilësinë dhe saktësinë e dokumentacionit arkivor të krijuar ndër vite, edhe puna e personelit të sigurimeve shoqërore në disa raste nuk ka qënë në nivelin e duhur çka sjell si detyrë në të ardhmen rritjen e përpjekjeve dhe përgjegjësisë nga ana jonë për uljen e numrit të pensioneve të lidhura jashtë afatit dhe pagimit në kohë të përfitimeve”.
“Tashmë numri i pensioneve që paguhen on line ka arritur në shifrën e 472,393 pensione ku përfshihen 100% e pensioneve urbanë dhe pjesa tjetër pensione rurale. Nga ana e ISSH është gati gjithë infrastruktura për pagimin on line të të gjithë pensioneve dhe jemi në pritje të ngritjes së infrastrukturës nga ana e agjentit pagues Posta Shqiptare sha.”
Ka vazhduar puna për përqëndrimin e dokumentacionit të vjetërsisë në punë në arkivën e përqëndruar, për dixhitalizimin dhe hedhjen e të dhënave të dokumentacionit të vjetërsisë në punë dhe të periudhave të sigurimit si dhe të pastrimit të bazave të të dhënave. Janë përfunduar së dixhitalizuara të gjitha regjistrat e ish KB dhe ish ndërrmarrjeve shtetërore gjithsej 21,624 regjistra dhe janë skanuar rreth 3,560 regjistra ose 700 mijë faqe. Gjithashtu, po punohet për marrjen në dorëzim të regjistrave të subjekteve shtetërore para vitit 1994 e ndërrmarrjeve akoma në aktivitet , si dhe të të gjithë dokumentacionit të komunave dhe njësive të tjera të pushtetit lokal, të cilat janë suprimuar për shkak të reformës territoriale. Në Drejtorinë e Arkivit të Përgjithshëm, vazhdon puna për ccertifikimin e tyre dhe dixhitalizimin e tyre.
“Dua të shtoj gjithashtu, vazhdoi z. Hado se gjatë vitit që ne po analizojmë, u intensifikuan përpjekjet për plotësimin e detyrës së programuar për të ardhurat nga kontributet e personave juridikë e fizikë, ku nga 60,026 milionë lekë të programuara, janë realizuar 60,156, me një tejkalim prej 130 milionë lekë ose 100,2%. Viti 2015 evidenton përmirësime të ndjeshme të punës së DPT, si në drejtim të realizimit të të ardhurave, të luftës kundër evazionit të kontributeve, ashtu dhe në drejtim të rritjes së ndjeshme të numrit të kontribuesve dhe mbledhjes së borxheve. Programi financiar i të ardhurave që mblidhen nga DPT, për llogari të fondit të sigurimeve shoqërore, është realizuar 101.4 %, me një tejkalim prej 786 milionë lekë”
Risi për vitin 2015 është inagurimi i ALSSH, Tiranë duke krijur kushte moderne për shërbimin ndaj qytetarëve dhe kushteve të punës për punonjësit. Në këtë agjensi është implementuar sistemi informatik dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit për të ulur kohën e shërbimit dhe rritur cilësinë e tij. ALSSH Tiranë është modeli që do të ndiqet nga ne në të gjitha agjencitë anë e mbanë vendit.
Një punë e madhe është bërë në luftën kundër informalitetit, si në fushën e të ardhurave ashtu edhe në fushën e përfitimeve. Kjo është arritur nëpërmjet zbatimit të programeve informatike të krijimit të bazës së të dhënave të përfituesve e kontribuesve, lidhjes së tyre me Regjistrin e Gjendjes Civile dhe databazat e sistemeve të tjera, përditësimit të të dhënave, si dhe vënies në dispozicion të inspektorëve dhe kontrollorëve të të dhënave, të regjistrave të vjetërsisë në punë në ish-kooperativat dhe ish- ndërmarrjet shtetërore, kontrolleve të auditit dhe njësisë së certifikimit të pensioneve. Në këtë vit janë konstatuar 670 raste të pensioneve të lidhura ndër vite me datëlindje të ndryshuar me një dëm ekonomik prej 800 milionë lekë.
Arritje janë evidentuar edhe në drejtim të marrëveshjeve bilaterale të mbrojtjes shoqërore, duke miratuar në parlament marrëveshjet me shumë vende si Rumania, Hungaria, Maqedonia, Luksemburgu, Cekia. Eshtë në proces miratimi në parlament marrëveshja me Gjermaninë dhe është gati për nënshkrim marrëveshja me Kanadanë dhe Austrinë. Duke filluar nga 1 janari i këtij viti ka filluar dhe zbatimi i marrëveshjes me Belgjikën, dhe rastet e para janë duke u shqyrtuar.
Arritjet për vitin 2015 kanë qenë të mëdha, tha në mbyllje z. Hado, që tregon për një punë sistematike dhe të palodhur të të gjithë stafit të sigurimeve shoqërore. Megjithatë, përsëri kemi një punë të madhe për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve, uljen e numrit të ankesave, vazhdimin e implementimit të reformës së pensioneve dhe rritjen e qëndrueshmërisë financiare të skemës nëpërmjet realizimit të të ardhurave dhe mirëadministrimit të shpenzimeve.
Ndaj dhe objektivat që kemi për vitin 2016 janë të mëdha dhe që kërkojnë përkushtimin e çdo punonjësi të sigurimeve shoqërore për realizimin e tyre. Ndër prioritetet e vitit 2016 janë:
-Rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe orientimi i punës së ISSH- së, pro- klient;
-Ulja e kërkesë – ankesave të qytetarëve ndaj ISSH-së, duke thjeshtëzuar procedurat, eliminimi i barrierave administrative, respektimi i afateve të shërbimit, unifikimi i praktikave dhe zgjidhja administrative e çështjeve që ankimohen;
-Caktimi dhe pagimi në kohë i të gjithë llojeve të përfitimeve;
-Pagesat on-line për të gjithë përfitimet dhe intensifikimi i punës për kalimin e pagimit të pensioneve në banka;
-Realizimi i të ardhurave kontributive në përgjegjësi të ISSH-së dhe numrit të kontribuesve, duke rritur pjesëmarrjen në skemë të fermerëve;
-Implementimi i të gjithë programeve informatike në 12 DRSSH dhe për të gjitha proceset e punës si llogaritja e pensioneve, evidentimi i kontributeve, administrimi financiar dhe burimeve njerëzore;
-Intensifikimi i punës për dixhitalizimin e periudhave të sigurimit dhe kalimi në historikun kontributiv si llogari individuale;
-Intensifikimi i bashkëpunimit me organet tatimore, për transmetimin në kohë reale të listëpagesave;
-Shfaqja e të dhënave kontributive individuale në portal, për të rritur transparencën dhe kontrollin e kontributeve nga vetë të siguruarit;
-Zbatimi me korrektësi i transfertave në buxhetet familjare nga sigurimet shoqërore dhe i politikave të Qeverisë në fushën e pensioneve;
-Përmirësimi i infrastructures, sidomos të zyrave pritëse;
-Rinovimi i teknologjisë së informacionit, shtimi i kapaciteteve të saj dhe infrastrukturës së transmetimit të të dhënave elektronike;
-Pjesëmarrje aktive për arritjen e marrëveshjeve bilaterale, në fushën e mbrojtjes shoqërore.
Ndërsa, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, gjatë analizës së punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015 në fjalën e tij theksoi se “Kemi krijuar strukturën e re të çertifikimit të periudhave të sigurimit, në ndihmë të mijëra kërkesave të qytetarëve duke sjellë kështu përmirësimin e performancës së shërbimit, shkurtim të kohës së caktimit të pensionit, si dhe saktësi në administrimin financiar të fondit të pensioneve.”
Në takim gjithashtu, Ministri e vuri theksin në faktin se gjatë vitit 2015, janë caktuar për herë parë rreth 2000 pensione sociale, pensione të veçanta për minatorët dhe janë paguar rregullisht rreth 80 mijë familje pensionistësh për kompensimin e energjisë elektrike.
Në kuadër të efekteve që ka dhënë reforma në pensione, Ministri Klosi tha se:“Rezultate të ndjeshme patëm në fushën e bashkëpunimit bilateral me vendet e tjera. U përfunduan të gjitha procedurat dhe filloi zbatimin Marrëveshja me Belgjikën, u përgatitën, nënshkruan e ratifikuan Marrëveshjet me Gjermaninë, Hungarinë, Maqedoninë, Çekinë, Rumaninë dhe janë të gatshme për nënshkrim Marrëveshjet me Kanadanë dhe Austrinë.”
Por,theksoi Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, këto e të tjera arritje, nuk duhet të mbulojnë reformat që ende duhen ndërmarrë në shërbim të qytetarëve, duke marrë zotimin për përmirësimin e trajtimit të pensionistëve, lehtësimin e proçedurave dhe eleminimin e barrierave administrative, për t’u dhënë të drejtën të gjithë pensionistëve në kohë dhe pa sorrollatje.
Në takim gjithashtu, Ministri pasqyroi performancën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në bazë të treguesve financiarë apo edhe rritjen e të ardhurave nga kontributet me 24,2% krahasuar me vitin 2013. Ndërsa gjatë vitit 2015, janë caktuar për herë parë rreth 2000 pensione sociale, pensione të veçanta për minatorët dhe janë paguar rregullisht rreth 80 mijë familje pensionistësh për kompensimin e energjisë elektrike.
Në kuadër të efekteve që reforma në pension ka dhënë, duke i cilësuar si të dukshme, Ministri Klosi tha se:“Rezultate të ndjeshme patëm në fushën e bashkëpunimit bilateral me vendet e tjera. U përfunduan të gjitha procedurat dhe filloi zbatimin Marrëveshja me Belgjikën, u përgatitën, nënshkruan e ratifikuan Marrëveshjet me Gjermaninë, Hungarinë, Maqedoninë, Çekinë, Rumaninë dhe janë të gatshme për nënshkrim Marrëveshjet me Kanadanë dhe Austrinë.”
Gjithsesi, Ministri theksoi se këto e të tjera arritje, nuk duhet të mbulojnë reformat që ende duhen ndërmarrë në shërbim të qytetarëve, duke marrë zotimin për përmirësimin e trajtimit të pensionistëve, lehtësimin e proçedurave dhe eleminimin e barrierave administrative, për t’u dhënë të drejtën të gjithë pensionistëve në kohë dhe pa sorrollatje.