Intervistë e Drejtoreshës së Përgjithshme të ISSH-së, znj. Vjollca Braho, dhënë në gazetën “Panorama”, të datës 02 mars 2015

Tashmë ka nisur procesi i kompensimit të energjisë elektrike. Si po ecën ky proces?

Procesi i pagimit të kompensimit të cmimit të energjisë elektrike në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 8, datë datë 14.01.2015 ka nisur që në datën 1 shkurt 2015. Të gjithë pensionistët që përfitojnë këtë lloj kompensimi, së bashku me pensionin e muajit shkurt kanë tërhequr kompensimet e energjisë elektrike në masën 1288 lekë. Kjo shumë përfshin të tre llojet e kompensimeve të çmimeve të energjisë që janë kompensimi i parë sipas VKM nr 565, datë 09.08.2006,  prej 500 lekësh, kompensimin e dytë sipas VKM 238, datë7.04.2010  prej 140 lekësh si dhe kompensimin e fundit prej 648 lekësh sipas VKM nr. 8, datë 14.01.2015.

Çfarë dokumentash duhet të sjellin pensionistët për përfitimin e kompensimit të fundit?

Nga ana e ISSH-së për të gjithë pensionistët që përfitojnë kompensimin prej 640 lekë në muaj sipas VKM-së 565 dhe 238, ju është paguar edhe kompensimi i ri prej 648 lekësh pa pritur plotësimin dhe rifreskimin e dokumentave. Për të bërë këtë plotësim apo rifreskim është lënë një afat, i cili skadon në fund të muajit prill. Pra, asnjë nga pensionistët përfitues ekzistues nuk do t’iu ndërpritet pagimi i të tre kompensimeve deri në këtë afat dhe nuk është e nevojshme të nxitojnë për plotësimin dhe dorëzimin e dokumentacionit. Për pensionistët të cilët nuk marrin kompensimet e para, por plotësojnë kushtet për ta përfituar kompensimin, kanë të drejtë të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm deri në fund të prillit dhe pagesa do tju fillojë që nga data 1 shkurt 2015. Për të ardhur tek pyetja juaj, dokumentacioni që duhet të plotësohet dhe rifreskohet është një fotokopje të kartës së identitetit  të nënshkruar,  çertefikatë familjare që të provojë faktin e të qënit kryefamiljar, kontratë me operatorin e furnizimit me energji elektrike në emër të kryefamiljarit, librezën e dritave që konfirmon pagesën e rregullt të energjisë elektrike dhe një deklaratë që plotësohet pranë zyrave të sigurimeve shoqërore.

Sipas traditës, pjesa dërrmuese e pensionistëve janë kryefamiljarë. Të gjithë këta pensionistë e përfitojnë kompensimin?

Këtë lloj kompensimi e përfitojnë pensionistët kryefamiljarë të vetëm, kur përbërja familjare është vetëm dy pensionistë dhe në këtë rast vetëm pensionisti kryefamiljar e merr kompensimim, si dhe kur pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kanë të ardhura nga punësimi apo vetëpunësimi.

Si vërtetohen që nuk kanë të ardhura?

Për të vërtetuar këtë situatë të gjithë pjesëtarët e familjes mbi 18 vjet duhet të paraqitin vërtetimin e zyrës së punës që janë punëkërkues të papunë. Pra, në rastet kur pensionisti është kryefamiljar por ka anëtarë të tjerë të familjes që përfitojnë të ardhura nga punësimi, nuk përfitojnë këtë kompensim.

Po pensionistët e fshatit e përfitojnë këtë kompensim?

Në pikën c) të VKM e sipërcituar është përcaktuar që këtë lloj kompensimi e përfitojnë kryefamiljarët pensionistë që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati  por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë persona të familjes të punësuar apo të vetëpunësuar. Pra, pensionistët kryefamiljarë me pension fshati dhe që jetojnë në fshat nuk e përfitojnë këtë lloj kompensimi. Përjashtim bëhet për kryefamiljarët pensionistë të invaliditetit të plotë fshati  që banojnë në fshat por që nuk kanë pjesëtarë pjesëtarë të tjerë të familjes të punësuar apo vetëpunësuar.

Tags: