

Intervistë e Drejtoreshës së Përgjithshme të ISSH-së, znj. Vjollca Braho, dhënë në gazetën “Panorama”, të datës 30 janar 2015
Qeveria miratoi vendimin për Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, kjo si kusht për zbatimin e reformës së re të pensioneve. Cilat janë kategoritë që përfitojnë apo detyrohen të paguajnë sigurime?
Vendimi që është miratur në mbledhjen e fundit të Qeverisë është një vendim në zbatim të Ligjit të sigurimeve shoqërore dhe Ligjit për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ekziston një Vendim i Këshillit të Ministave me numër 1114, që trajton të gjitha çështjet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, i cili ka qenë në fuqi deri në këtë moment. Vendimi i miratuar së fundmi është në këtë linjë dhe në vetvete ka përfshirë edhe aspektet e reformës së re të pensioneve. Ky vendim përmbledh të gjitha çështjet në zbatim të reformës së re dhe të ligjeve ekzistuese përsa i përket përfitimeve dhe kontributeve që do të paguhen për të gjitha kategoritë, pra në thelb është një shpjegim i detajuar i ligjit për efekt të zbatimit të tij nga administata e sigurimeve shoqërore, administrata tatimore dhe subjektet e ndryshme që preken nga këto ligje.
Në vendim është përcaktuar që paga për efekt të llogaritjes së pensioneve, do të jetë e barbartë me pagën minimale prej 22 mijë lekësh. Në vendimin e mëparshëm kjo pagë, ka qenë 19 406 lekë. Cilat kategori preken nga ky ndryshim?
Në ligjin e ri, që është tashmë në fuqi për sigurimet shoqërore, është përcaktuar që paga minimale për efekt të sigurimeve shoqërore është e barabartë me pagën minimale për efekt punësimi të përcaktur nga Këshilli i Ministrave. Nisur nga ky përcaktim në Shqipëri ekziston vetëm një pagë minimale dhe jo dy si më parë dhe kjo pagë është 22 000 lekë në muaj. Të vijmë tek pyetja juaj, nga ky unifikim preken kategoria e të vetëpunësuarve, të cilët para hyrjes në fuqi të ligjit dhe të vendimit, kontributet e sigurimeve shoqërore i llogarisnin dhe i paguanin mbi pagën minimale prej 19 406 lekë. Ky ndryshim është bërë për faktin e unifikimit të pagës minimale në shkallë vendi, barazimin e pensionit për të gjithë kategoritë që paguajnë kontribute me pagë minimale për të shmangur diskriminimin midis të punësuarve dhe të vetëpunësuarve, si dhe për të unifikuar praktikat e mbledhjes së kontributeve dhe llogaritjes së pensioneve.
Sa do të jetë pagesa për të vetëpunësuarit në veprimtari tregtare ose ambulantët?
Vendimi i porsamiratuar, përveç përcaktimit të pagës minimale ka përcaktuar edhe pagën maksimale mbi të cilën llogariten dhe paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore, e cila ëshë 97 030 lekë dhe jo si me ligjin e vjetër sa pesëfishi i pagës minimale. Në këtë vendim është përcaktuar edhe shuma e kontributit minimal që duhet të paguajnë personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant dhe personat që punojnë si punëtorë shtëpie. Më konkretisht kontributi minimal për këtë kategori është 4 070 lekë në muaj, i ndarë në sigurime shoqërore në masën 2 750 lekë dhe në sigurime shëndetësore në masën 1 496 lekë. E rëndësishme të theksohet për këtë përjashtim është fakti që përfitojnë ata persona që kryejnë aktivitet të përkohshëm e të vijueshëm, por që nuk kanë një vendqëndrim të përcaktuar, veprimtari të përkohshëm me ndërprerje gjatë javës dhe pa vendqëndrim të përcaktuar, veprimtari tregtare me tezga ose veprimtari transporti me ndërprerje gjatë javës. Kategoritë e vetëpunësuara me vazhdimësi aktiviteti dhe vendqëndrim të përcaktuar (të përhershëm) përjashtohen nga pagimi si ambulantë dhe do të paguajnë si të gjithë të vetëpunësuarit e tjerë.
Në vendim flitet edhe për ata që punojnë në ndërmarrjet Fason. Sa do të jenë kontrbutet për këtë kategori?
Të punësuarit në ndërmarrjet fason janë si të gjithë të punësuarit e tjerë dhe do të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore njëlloj si të gjithë të punësuarit, pra 24.5 % të pagës bruto deri në nivelin e pagës maksimale si kontribut të sigurimit shoqëror dhe 3.4 % të pagës bruto si kontribut të sigurimit shëndetësor dhe jo më pak se paga minimale në shkallë vendi që është 22 000 lekë. Në këtë vendim nuk parashikohet ndonjë ndryshim nga të punësuarit e tjerë për të punësuarit në industrinë fason që operon në vend. Diferenca me veprimtaritë e tjera ekonomike për industrinë fason është për personat që punësohen për herë të parë dhe janë në procesin e formimit profesional që për një periudhë deri tre muaj paguajnë kontribute të detyrueshme minimale vetëm për degën e aksidenteve në punë në masën 0.3% e pagës minimale ose 66 lekë/muaj dhe jo për degët e tjera, por me kushtin që të mos kenë përfituar financime nga programet e nxitjes së punësimit nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.
Sa është paga mbi të cilën do të mbahen kontributet për të vetëpunësuarit në bujqësi?
Për të vetëpunësuarit në bujqësi nuk ka ndonjë ndryshim të masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Siç mund ta dini, të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë një shumë fikse vjetore në bazë të ndarjes në zona fushore dhe zona malore. Diferencën midis shumës fikse dhe shumës së kontributeve sipas pagës minimale e subvencionon buxheti i shtetit. Paga për efekt të llogaritjes së përfitimeve është paga minimale në shkallë vendi, si për të gjithë të vetëpunësuarit e tjerë. Për vitin 2015 masa e kontributit të sigurimeve shoqërore që do të paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi në zonat fushore është 33 000 lekë në vit dhe për të vetëpunësuarit në zonën malore është 25 300 lekë në vit. Në zonat malore përfshihen të vetëpunësuarit që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë. Gjithashtu, të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontribut të sigurimit shëndetësor në masën 314 lekë në muaj ose 3 768 lekë në vit.
Si do llogariten kontrbutet për ata që punojnë në dy subjekte, pra kanë dy punë?
Për personat që punojnë në dy apo më shumë subjekte kontributet e sigurimeve shoqërore llogariten në të dy apo më shumë subjektet ku punon, por deri në nivelin e pagës maksimale. Më konkretisht, një person që punon në dy subjekte dhe paga është më e ulët se paga maksimale dhe shuma e të dy pagave nuk e kalon pagën maksimale prej 97 030 lekësh paguan kontributet e sigurimeve shoqërore në të dy subjektet. Nëse shuma e pagave në të dy subjektet është më e madhe se paga maksimale, atëherë në një subjekt do të paguajë deri në kufirin e pagës maksimale. Përsa i përket kontributeve të sigurimit shëndetësor do të paguajë mbi të dy pagat bruto pasi për kontributin shëndetësor nuk ka një pagë maksimale por paga bruto.
A ndryshojnë përfitimet për ish-ushtarakët që përfitojnë pagesë kalimtare?
Të gjithë ushtarakët që trajtohen me pagesë kalimtare nuk kanë ndryshim sipas këtij vendimi, por do të vazhdojnë të paguhen sipas ligjit përkatës që administron pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi. Në këtë vendim është parashikuar që në zbatim të ligjit për personat që plotësojnë kushtet për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi por që vazhdojnë të punojnë në punë të ndryshme nga profesioni i ushtarakut, të përfitojnë pensionin bazë. Kjo është bërë me qëllim vazhdimin e pensionit edhe në kushtet kur ligji i ri nuk ka koncept të pensionit minimal dhe ka të bëjë me ruajtjen e të drejtave të fituara.
Në vendim është përcaktuar edhe zbatimi i formulës së re të pensioneve. Mund të na jepni një shembull si do llogaritet baza e vlerësuar dhe pensioni i ri?
Në vendim është një kapitull i veçantë për llogaritjen e bazës së vlerësuar për të gjitha llojet e përfitimeve që jep skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe jo vetëm për pensionet. Në këtë kapitull është përcaktuar si llogaritet baza e vlerësueshme mesatare, baza mesatare neto për pensionet, barrëlindjet, sëmundjet dhe aksidentet në punë në përputhje me përcaktimet e ligjit të ri. Pra, në thelb është përcaktuar se si do të llogaritet baza e vlerësueshme për çdo lloj përfitimi. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, për efekt të pensionit të pleqërisë do të llogaritet baza e vlerësueshme si mesatare e pagave të të gjithë periudhës së sigurimit të indeksuar me indekset e miratuara me një Vendim të KM. Pagat e realizuara vite më parë do të indeksohen sipas indeksit të rritjes së pagës minimale për ta sjellë në kohë dhe shumat e pagave të realizuara ndër vite do të pjestohen me periudhën e sigurimit për të përcaktuar pagën mesatare të të gjithë karrierës, me qëllim akordimin e një pensioni që i përgjigjet kontributeve të paguara.
Në këtë vendim është sqaruar zbatimi i formulës së llogaritjes së pensionit të përcaktuar me ligj dhe jo ndonjë mënyrë llogaritje pensioni. Është përcaktuar masa e pensionit social si shumë sipas ligjit të pensioneve që është 6 750 lekë në muaj.
Mënyra e llogaritjes së pensionit është përcaktuar në ligj dhe në këtë vendim është përcaktuar shuma e pensionit social që do të shërbejë si bazë për të llogaritur shumën bazë të pensionit sipas formulës. Mënyra e llogaritjes së pensionit është e sqaruar në ligj ku është përcaktuar që masa e pensionit është e barabartë me një shumë bazë dhe një përqind për çdo vit sigurimi të pagës mesatare të indeksuar të të gjithë karrierës së punës. Shuma bazë është product I pensionit social shumëzuar me vitet e sigurimit të plotësuara pjestuar me vitet e sigurimeve sipas nenit 92 të ligjit.
Në vendim është përcaktuar llogaritja e pensionit për katër kategori të ndryshme që ndan periudhat para 1 janarit 2015 e pas saj. Si do llogaritet pensioni për ata që i kanë plotësuar kushtet para 1 janarit dhe vazhdojnë të punojnë? Me shembull do ishte më mire
Në ligj është sanksionuar që të gjithë personave që ju lind e drejta deri në datën 31.12.2014 do të zbatohen dispozitat ligjore që kanë qënë në fuqi deri në atë datë, pra ligji I vjetër i sigurimeve shoqërore. Për personat që kjo e drejtë ju lind pas datës 1 janar 2015 atëherë do të zbatohen dispozitat e ligjit të ri. Në këtë pikë nuk ka ekuivok. Për ata persona që kanë plotësuar kushtet për pension sipas ligjit të vjetër por që vazhdojnë punësimin, në momentin e ndërprerjes së punësimit pensioni do t’iu llogaritet sipas dispozitave të ligjit që ka qënë në fuqi në momentin e plotësimit të kushteve, pra me ligjin e vjetër dhe do të përfitojnë bonusin për shtyrjen e daljes në pension sipas ligjit në fuqi në momentin e ndërprerjes së punësimit, pra në rastin konkret me ligjin e ri.
Por për ata që kanë fituar të drejtën e përfitimeve para datës 1 janar, por nuk kanë plotësuar vjetërsinë në punë dhe periudhën e sigurimit? Me shembull do ishte më mire
Pyetja juaj konsiston në rastin që një person ka plotësuar kushtin e moshës së daljes në pension sipas ligjit por nuk plotësojnë kushtin e periudhës së sigurimit dhe vazhdojnë të punojnë dhe të paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore. Në këto raste do të zbatohen dispozitat ligjore që janë në fuqi në momentin e ndërprerjes së sigurimit të detyrueshëm, pra të ligjit të ri.
Po llogaritja e pensionit të parakohshëm, për ish-ushtarakët?
Mënyra e llogaritjes së pensionit të parakohshëm për ish-ushtarakët nuk ka ndryshuar dhe është e njëjta siç ka qënë. Ky vendim është për zbatimin e ligjit të sigurimit të detyrueshëm dhe nuk prek ligjet e tjera. Në këtë vendim siç përmenda më sipër është përcaktuar vetëm shuma e pensionit bazë për llogaritjen e këtij lloj përfitimi dhe nuk është ndryshuar mënyra e llogaritjes së tij.
Si do llogaritet pagesa për raportet mjekësore dhe për lejet e lindjes?
Llogaritja e këtyre përfitimeve është e njëjtë si me ligjin e vjetër me përjashtim të faktit që bazë për llogaritje do të merret paga neto dhe jo bruto, si me ligjin e vjetër. E reja në këto lloj përfitimesh është fakti që nuk merret për barrëlindje paga e vitin të fundit kalendarik por paga e 12 muajve të fundit nga momenti I lindjes së të drejtës si dhe që për përiudhat që nuk ka paga merret paga minimale duke rezultuar në një përfitim më të drejtë dhe më të lartë për gratë që kanë periusha të pambuluara me sigurime. E njëjta gjë edhe për pagesat e raporteve mjekësore duke dhënë përfitime me të mira se ligji i mëparshëm përsa i përket periudhave të pambuluara.