Të ardhurat nga kontributet në vitin 2013 u arkëtuan me një vlerë prej 51 390 milionë lekësh dhe numri mesatar vjetor i kontribuesve arriti në 561 169 persona, me një rritje ndaj vitit 2012 për rreth 11 069 persona. Ndërkohë, për periudhën janar – shtator 2014, të ardhurat nga kontributet jo vetëm që u realizuan, por u konstatua dhe një tejkalim për më shumë se 1 miliard lekë. Tejkalimi i të ardhurave në vlerë u shoqërua me rritje të numrit të kontribuesve ndaj vitit 2013 për rreth 43 000 persona.
Puna më e mirë në zbulimin dhe zbardhjen e evazionit të kontributeve, rritja e punësimit nëpërmjet programeve në drejtim të nxitjes së tij, kushtet më të favorshme të zhvillimit të biznesit, si dhe falja e kamatëvonesave të kontributeve të personave që janë të vetëpunësuar në bujqësi, bënë të mundur jo vetëm rishikimin në rritje të programit të të ardhurave të vitit 2015, por dhe rritjen e pjesëmarrjes dhe numrit të kontribuesve, në skemën e sigurimeve shoqërore, për vitin 2014.
Bazuar në këto të dhëna, në fund të vitit 2014, të ardhurat nga kontributet parashikohet të realizohen në shumën mbi 55 130 milionë lekë, me një rritje rreth 7.3 % ndaj vitit 2013, ose me një tejkalim me mbi 3740 milionë lekë. Nga raportimet e agjentëve konstatohet se numri i kontribuesve pret një rritje të ndjeshme, si në bizneset jobujqësore, ashtu edhe në të vetëpunësuarit në bujqësi. Vetëm në 10 ditët e fundit, nga data e miratimit në Kuvend të Ligjit të Faljes së Kamatëvonesave të kontributeve të personave të vetëpunësuar në bujqësi, janë mbledhur mbi 457 milionë lekë, duke bërë të mundur realizimin e programit vjetor të të ardhurave nga këto subjekte.
Derdhja e kontributeve vazhdon me ritme të larta dhe krahas tyre është rritur dhe pjesëmarrja në skemë. Mbështetur në këto të dhëna, numri i kontribuesve në fund të vitit 2014 parashikohet të arrijë në rreth 642,5 mijë persona, me një tejkalim prej mbi 81 352 kontribues, në krahasim me vitin 2013.