Intervistë e z. Astrit Hado, Nëndrejtor i Përgjithshëm i ISSH-së, botuar në gazetën “Shekulli”, më 09.08.2014

Zv/Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së Hodo: Nuk do të ketë diferencë pensionesh. Minatorët me 30 vite punë do dalin në pension 55 vjeç. Të drejtat e fituara nga pensionistët aktualë nuk do të preken. Si do jenë kontributet dhe përfitimet 

Ndryshimet e reja ligjore në fushën e pensioneve pritet të sjellin më shumë avantazhe dhe përfitime shumë më të mëdha se sa përfitimet që pensionistët marrin sot. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Z. Astrit Hodo, zbërthen për “Shekullin”, avantazhet dhe përfitimet sipas kategorive, ndërsa jep sqarime të detajuara në lidhje me ndryshimet e reja. Sipas tij, mosha e pensionit për meshkujt mbetet e pandryshuar deri në vitin 2032, dhe se do të jetë 65 vjeç, dhe pas këtij viti do të indeksohet me nga një muaj për vit deri në arritjen e kufirit 67 vjet. Për gratë, mosha do të rritet në mënyrë graduale me nga dy muaj për çdo vit duke arritur në vitin 2032 në 63 vjet. Më tej Hodo thotë se si do jetë procesi i daljes në pension për të lindurit nga pas vitit 1991, të cilët sapo kanë hyrë në tregun e punës, ose janë studentë.

Z. Hodo, Parlamenti ka miratuar së fundmi reformën e pensioneve. Çfarë do të thotë kjo reformë? 

Kjo do të thotë që masa e pensionit do të varet nga periudha e sigurimit dhe paga mbi të cilën janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore. Risi tjetër është thjeshtimi i mënyrës së llogaritjes së përfitimeve duke e bërë atë transparente dhe të kuptueshme për publikun dhe të lehtë për administrim nga ana e sigurimeve shoqërore. Heqja e tavanit të pensionit maksimal, heqja e kompensimeve dhe integrimi i tyre në masën e pensionit, unifikimi i pagave minimale në një pagë të vetme, unifikimi i llogaritjes së pensioneve pavarësisht llojit të punës (Kooperativë bujqësore apo ndërmarrje shtetërorë dhe private) janë disa nga ndryshimet dhe risitë e kësaj reforme. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve bëhet e mundur rritja e pjesëmarrjes në skemë, rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës, rritja e transparencës, dhe formalizim të tregut të punës për aq sa sistemi i sigurimeve shoqërore mund të ndikojë.

Reforma e sapo miratuar do të sjellë rritje apo ulje të pensionit? 

Reforma ka si objektiv të saj që masa e pensionit të jetë e lidhur në raport të drejtë me kontributet e paguara dhe nuk mund të flitet për ulje të pensioneve. Masa e pensionit është individuale dhe varet nga historiku kontributiv individual. Për personat që kanë kontribuar në skemë dhe këto kontribute janë kryer mbi bazën e pagave reale, sigurisht që do të përfitojnë një pension më të mirë sipas ligjit të ri. Po kështu edhe personat që dalin në 5-10 vjetët e ardhshëm kanë një vjetërsi pune nën regjimin e kaluar dhe periudhë sigurimi pas viteve 90. Të gjitha pagat e realizuara në këto vite sipas reformës do të riindeksohen, duke marrë për bazë ecurinë e rritjes së pagave dhe ky indeks është rreth 40 për qind më i lartë se ai që përdoret aktualisht. Kjo rritje natyrisht që do të ndikojë në masën e pensionit dhe ky ndikim është pozitiv, pra me rritje të masës së pensionit. Nëse marrim si shembull një mësues sipas reformës së re do të përfitojë një pension më të lartë, krahasuar me ligjin ekzistues. Por e theksoj edhe njëherë që masa e pensionit varet nga historiku kontributiv individual që nuk mund të përgjithësohet për të gjithë qytetarët.

Çfarë do të ndodhë me moshën e pensionit? 

Mosha e pensionit për meshkujt mbetet e pandryshuar deri në vitin 2032, pra 65 vjeç, dhe pas këtij viti do të indeksohet me nga një muaj për vit deri në arritjen e kufirit 67 vjet. Kjo moshë do të arrihet në vitin 2056 ose për të lindurit e vitit 1991 që sa kanë hyrë në tregun e punës ose janë akoma në shkollim. Për sa i përket grave, mosha do të rritet në mënyrë graduale me nga dy muaj për çdo vit duke arritur në vitin 2032 në 63 vjet. Pas këtij viti do të indeksohet deri në unifikimin e moshës me meshkujt. Arsyet pse bëhet kjo rritje moshe për gratë janë rritja e jetëgjatësisë, rritja e kohës së gëzimit të pensionit si dhe fakti që mesatarisht gratë jetojnë 5 vjet më shumë se burrat.

Kush do të jenë përfituesit direkt dhe indirekt te reformës? 

Praktikisht reforma e pensioneve ndikon tek të gjithë qytetarët që nuk kanë dalë në pension. Ky ndikim është si në pagesën e kontributeve ashtu edhe në llogaritjen e pensioneve. Në pagesën e kontributeve kjo reformë ndikon tek të gjithë kontribuuesit pasi lidhja e masës së pensionit me kontributet jep qartë mesazhin e deklarimit të pagës reale dhe shmangien e punës së zezë. Ndikimin më të drejtpërdrejtë, kjo reformë e ka tek brezi i ri që duhet të mendojë që tani dhe të kontribuojnë me qëllim përfitimin e një pensioni të qenësishëm në moshën e pleqërisë ose të rasteve të paaftësisë që mund të ndeshin gjatë jetës. Ndërsa për sa i përket qytetarëve që gëzojnë statusin e pensionistit kjo reformë nuk ka ndikim pasi të gjithë të drejtat e fituar nuk preken. Këto pensione të caktuara dhe që paguhen janë objekt vetëm i indeksimit të përvitshëm.

A do të ketë profesione më të favorizuara se të tjerat? 

Nuk ka diferencime në lidhje me profesionet por ruhen të njëjtat kritere si deri më tani. Përjashtim bëjnë punëtorët e nëntokës për të cilët me ligj të veçantë që pritet të miratohet në vjeshtë, parashikohet dalja në pension në moshën 55 vjeç me 30 vjet vjetërsi në punë nga të cilat 12.5 vjet punë nëntokë. Gjithashtu, në ligj është parashikuar ngritja e skemave profesionale për profesione që duan të përfitojnë pensione shtesë ose dalje para kohe në pension.

A do të ketë ndryshime të ligjeve të tjera që lidhen me përfitimet suplementare? 

Ligji që sapo u miratua është për skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të bëjë me ligjet e veçanta që trajtojnë përfitimet suplementare apo trajtimet e veçanta. Në sesionin e ardhshëm parlamentar do të diskutohen ndryshimet e mundshme të këtyre ligjeve të veçanta me fokusin për t’i unifikuar me filozofinë e ligjit bazë dhe lidhjen e drejtë përfitim kontribut suplementar.

Në ligjin e miratuar tashmë, preken ndjeshëm përfitimet e fermerëve. Çfarë ndryshon për këtë kategori pas 1 janarit dhe pse u morën këto masa? 

Në projektligjin e propozuar unifikohet mënyra e llogaritjes së përfitimeve nga skema për të gjithë kategoritë e mbrojtura si të punësuar, vetëpunësuar, të punësuar dhe vetëpunësuar në fshat dhe qytet. Pra, ka vetëm një mënyrë llogaritje duke u bazuar në vitet e sigurimit dhe pagave mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore. Në këtë kontekst, edhe për të vetëpunësuarit në bujqësi pensioni do të jetë rezultat i periudhave të sigurimit dhe pagave. Me këtë ndryshim janë shmangur devijimet e deritanishme dhe mos trajtimi i barabartë. Sipas skemës ekzistuese një fermer që ka të siguruara pas vitit 94 ose punësim në shtet para 94, në masën 17 vjet e 6 muaj automatikisht merr pension urban ndërsa një që ka 17 vjet e 4 muaj, përfiton pension rural kur diferenca është vetëm 1 ose dy muaj. Gjithashtu , ky kusht ka frenuar vazhdimin e kontribuimit për fermerët po të kemi parasysh edhe vjetërsinë në ish- kooperativat bujqësore. Ndryshimi i formulës dhe lidhja e masës së pensionit me kontributet do të stimulojë vazhdimin e kontribuimit dhe për rrjedhojë një pension më të madh.

A do të ketë rritje të kontributeve dhe nëse po sa do të jetë kjo rritje? A ndikon rritja e pagës minimale kontributive duke e barazuar me pagën minimale për efekt punësimi? 

Rritje të normës kontributive nuk do të ketë, pra kjo normë do të vazhdojë të jetë 24.5 për qind e pagës bruto deri në kufirin e pagës maksimale aktuale. Norma e kontributeve është optimale dhe në të njëjtën vlerë sa edhe vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë. Një rritje e normës kontributive do të sillte rritje të kostos dhe do të dekurajonte ardhjen e investimeve të huaja dhe ulje të konkurueshmërisë së ekonomisë në tregun botëror. Përsa i përket rritjes së pagës minimale kontributive, ky unifikim do të eliminojë paradoksin e pasjes së dy pagave minimale, një për efekt llogaritje dhe një për efekt pagese të punësimit. Gjithashtu, paga minimale kontributive ka qenë e lidhur me pensionin minimal, i cili sipas ligjit të ri ka humbur kuptimin dhe nuk ekziston më si koncept. Rritja është e moderuar dhe nga ky ndryshim preken vetëm të vetëpunësuari. Megjithatë kjo rritje do të japë efektin e vet pozitiv në masën e pensionit për këtë kategori duke ofruar të njëjtin pension me të punësuarit që paguhen me pagë minimale. Në reformë është parashikuar edhe rritje e masës së kontributit për të vetëpunësuarit në bujqësi i cili në një hark kohor prej 4 vjetësh do të barazohet me të vetëpunësuarit në zonën urbane duke sjellë unifikim dhe trajtim të barabartë për të gjithë të vetëpunësuarit si në pagimin e kontributeve ashtu edhe në masën e pensionit.

A është e përgatitur ISSH-ja për implementimin e kësaj reforme? 

ISSH është një institucion i specializuar dhe me një eksperiencë të madhe në administrimin e sigurimeve shoqërore. Për implementimin e kësaj reforme është duke u punuar për harmonizimin e legjislacionit si VKM, Rregullore dhe Udhëzime me qëllim zbatimin në kohë të reformës. Në vjeshtë do të dërgohen për miratim të gjitha aktet nënligjore për zbatimin e ligjit dhe në datën 1 janar 2015 i gjithë stafi i ISSH do të jetë i trajnuar për zbatimin e saj dhe garantoj qytetarët që nuk do të ketë asnjë ditë vonesë në marrjen e pensionit si rezultat i kësaj reforme.

Të lindurit e pas vitit 1991 

Me këtë ndryshim janë shmangur devijimet e deritanishme dhe mos trajtimi i barabartë. Sipas skemës ekzistuese një fermer që ka të siguruara pas vitit 94 ose punësim në shtet para 94, në masën 17 vjet e 6 muaj automatikisht merr pension urban ndërsa një që ka 17 vjet e 4 muaj, përfiton pension rural kur diferenca është vetëm 1 ose dy muaj. Gjithashtu, ky kusht ka frenuar vazhdimin e kontribuimit për fermerët po të kemi parasysh edhe vjetërsinë në ish- kooperativat bujqësore. Ndryshimi i formulës dhe lidhja e masës së pensionit me kontributet do të stimulojë vazhdimin e kontribuimit dhe për rrjedhojë një pension më të madh.

Tags: