

Intervistë e znj. Vjollca Braho, Drejtore e Përgjithshme e ISSH-së, dhënë në gazetën “Panorama” të datës 27 korrik 2014.
– Reforma e pensioneve mori aprovimin e deputetëve në komisionet parlamentare. Cilat ishin nenet qe u ndryshuan në kuvend dhe cilat kategori preken?
Drafti i paraqitur për reformën e pensioneve mori miratimin e ligjvënësve në komisionet parlamentare pas shumë diskutimesh dhe sqarimesh të dhëna nga grupi teknik i punës. Drafti u miratua siç u paraqit me disa saktësime të vogla që nuk prekin thelbin e reformës së propozuar. Debate pati përsa i përket përfitimeve nga barrëlindja për mënyrën e llogaritjes dhe kushtet e reja për të përfituar këtë lloj përfitimi. Në draft ligj është parashikuar që të drejtën për përkujdesje ndaj fëmijës ta kenë edhe bashkëshortët meshkuj si dhe përmirësim i kritereve për përfitim sidomos për nënat e reja.
– Gjatë prezantimit në kuvend u paraqiten edhe koeficientët e rinj të indeksimit të pagës për pension. Pse ndryshuan këto koeficientë?
Gjatë prezantimit që ju bë reformës në komisionet parlamentare u paraqitën edhe koeficientët e rinj të parashikuara në ligj për indeksimin e pagave të realizuara ndër vite për efekt të llogaritjes së pensionit. Këto koeficientë janë ndryshuar me qëllim aktualizimin real të pagave të realizuara më herët dhe për dhënien e një përfitimi real dhe të lidhur me kontributet e paguara. Aktualisht, si rezultat i ndryshimeve të normës së kontributit ( kjo normë në vitet e fundit është ulur me rreth 14 %) dhe disa faktorëve të tjerë, koeficienti i indeksimit nuk paraqet realitetin e pagave duke dhënë si rezultat paga më të ulëta dhe për rrjedhim pensione të ulëta. Në projekt ligj është parashikuar që pagat deri në fund të vitit 2014 për të gjithë pensionet e reja që do të lidhen sipas këtij projektligji do të indeksohen me indeksin e rritjes së pagave si një indeks më afër realitetit. Këta koeficientë janë rreth 40 % më të lartë se aktualët dhe pagat e viteve të mëparshme aktualizohen më drejtë dhe japin një pension më të drejtë.
– Sa ndikojnë këta koeficientë në masën e pensionit për ata që do të dalin në pension pas 1 janarit 2015?
Formula e llogaritjes së pensionit i jep një rëndësi të madhe pjesës së pensionit që llogatitet në bazë të viteve të sigurimit dhe pagave mbi të cilat janë paguar kontributet. Kjo pjesë llogaritet një përqind për çdo vit sigurim të bazës së vlerësueshmë që e thënë thjesht është paga mesatare kontributive e realizuar gjatë gjithë periudhës së sigurimit e aktualizuar. Kontributet e sigurimeve shoqërore janë paguar muaj pas muaji në bazë të pagës për një periudhë që është 35-40 vjet dhe gjatë kësaj periudhe të gjatë pagat kanë evoluar. Indeksimi i tyre sipas këtyre koeficientëve i vlerëson pagat e mëparshme duke i sjellë në vlerën e tanishme të tyre. Përdorimi i këtyre koeficientëve të rinj lidh në mënyrë të drejtë dhe realiste kontributet me përfitimet si dhe përmirëson ndjeshëm pensionin.
– Në draftin e reformës preken ndjeshëm përfitimet e fermerëve. Cfarë ndryshon për këtë kategori pas 1 janarit dhe pse u morën këto masa?
Në projektligjin e propozuar unifikohet mënyra e llogaritjes së përfitimeve nga skema për të gjithë kategoritë e mbrojtura si të punësuar dhe vetëpunësuar në fshat dhe qytet. Pra, ka vetëm një mënyrë llogaritje duke u bazuar në vitet e sigurimit dhe pagave mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore. Në këtë kontekst, edhe për të vetëpunësuarit në bujqësi pensioni do të jetë rezultat i periudhave të sigurimit dhe pagave. Me këtë ndryshim janë shmangur devijimet e deritanishme dhe mos trajtimi i barabartë. Sipas skemës ekzistuese një fermer që ka të siguruara pas vitit 94 ose punësim në shtet para 94, në masën 17 vjet e 6 muaj automatikisht merr pension urban ndërsa një që ka 17 vjet e 4 muaj përfiton pension rural kur diferenca është vetëm 1 ose dy muaj. Gjithashtu , ky kusht ka frenuar vazhdimin e kontribuimit për fermerët po të kemi parasysh edhe vjetërsinë në ish KB. Ndryshimi i formulës dhe lidhja e masës së pensionit me kontributet do të stimulojë vazhdimin e kontribuimit dhe për rrjedhojë një pension më të madh.
– Në komisionet e kuvendit pati debate edhe për përfitimet e ushtarakëve apo kategori të tjera të të punësuarve që përfitojnë pensione suplementare. Cfarë ndryshon kjo reformë për këtë kategori? Zëvendësimi i pensionit minimal me pensionin social a e prek përfitimin e këtyre kategorive kryesisht ushtarakëve?
Projektligji që u diskutua në komisionet paralamentare është vetëm për skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore. Në vjeshtë do të paraqiten edhe ndryshime të ligjeve të tjera që trajtojnë përfitimet suplementare kryesisht në optikën e ndryshimeve të ligjit bazë të sigurimit të detyrueshëm. Përsa ju përket ushtarakëve i vetmi ndryshim është kufiri i pensionit minimal për ish ushtarakët e punësuar i cili do të saktësohet dhe do të sillet në linjë me ndryshimin e bërë por që është një ndryshim shumë i vogël dhe nuk do të ketë efekt në masën e përfitimeve.
– Në draftin e reformës është hequr kompensimi i të ardhurave për pensionistët. Kjo do të thotë që pensionistët nuk do të kenë më shtesë për çmimin e dritave, bukës etj.
Së pari të gjithë pensionistët aktualë dhe ata që do të dalin në pension deri në fund të vitit ose e drejta u lind deri në fund të këtij viti, do të vazhdojnë të marrin përfitimet si deri më sot duke përfshirë edhe kompensimet e parashikuara me vendime të KM. Të gjithë pensionistët e rinj që e drejta për pension ju lind nga data 1 janar 2015 nuk do të kenë kompensime të ndryshme pasi të gjitha këto janë të përfshirë në formulë. Kjo është bërë me qëllim thjeshtëzimin e llogaritjes dhe administrimin më të mirë të përfitimeve. Heqja e këtyre kompensimeve nuk ndikon në ulje të përfitimeve pasi janë parashikuar në formulë por shkëput pensionet e përfituara nga kontributet e paguara nga elementë të mbrojtjes shoqërore që nuk janë të natyrës kontributive por të shërbimeve sociale.
– Në draft pas ndryshimeve në komisione, është theksuar se të ardhurat e pensionisteve do të kompensohen në mënyrë të plotë. Kjo është shtesa e përvitshme e pensionit apo një lloj kompensimi tjetër? Sa do të jetë kjo shtesë dhe kush janë kategoritë përfituese?
Siç e shpjegova më sipër, kjo klauzolë e përcaktuar në pikën 1 të nenit 88, bën fjalë për garantimin e të drejtave të fituara për pensionistët aktualë. E thënë më thjesht të gjithë pensionistët aktualë do të vazhdojnë ti përfitojnë të gjitha llojet e përfitimeve dhe kompensimeve në të njëjtën masë edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Pensionet e reja pas datës 1 janar nuk do të përfitojnë kompensime sepse këto janë të përfshira në llogaritje sipas formulës dhe do të jenë object indeksimi të përvitshë. Indeksimi është një detyrim ligjor dhe dotë realizohet sipas indeksit të çmimit të shportës së mallrave të caktuara për pensionistët. Për të sqaruar opinionin publik, aktualisht personat që përfitojnë pension minimal përfitojnë në formën e kompensimeve rreth 2150 lekë dhe shuma e të ardhurave që marrin është pension plus kompensime (12024+2150=14174 lekë). Pensionistët e rinj që do tju lindë e drejta pas një janarit do të marrin të njëjtën shumë por si masë pensioni dhe jo pension plus kompensime. Nga pikpamja e qytetarit do të marrin të njëjtën shumë pavarësisht emërtimit pension apo kompensime.
– Në draft është parashikuar që paga minimale për efekt kontributesh të jetë e barabartë me pagën minimale, pra nga 19 mijë në 22 mijë lekë. Kush janë kategoritë që do të preken nga ky ndryshim?
Po është e vërtetë që pas datës 1 janar nuk do të ketë dy lloj pagash minimale në shkallë vendi por vetëm një, paga minimale për efekt punësimi. Ky ndryshim është propozuar për të shmangur keqkuptimet dhe keq përdorimet si dhe për të harmonizuar pensionet sipas formulës së re. Trajtimi i barabartë i të gjithë kategorive të të siguruarve detyrimisht duhet të bëhet si në masën e kontributit të paguar ashtu edhe në masën e përfitimit. Nëse do të vazhdohej të mbaheshin dy lloj pagash atëherë personat që paguajnë mbi pagën 19 mijë lekë do të përfitonin pension më të ulët se personat që paguajnë mbi pagën minimale prej 22 mijë lekë. Paga minimale për efekt kontributesh është një pagë teorike dhe është përdorur për të llogaritur kontributet e të vetëpunësuarve dhe nga ky ndryshim do të preket kjo kategori të siguruarish.
– Ligji i ri parashikon rritjen e moshës për gratë dhe për burrat. Përse bëhet kjo rritje dhe cilat kategori preken?
Në ligj parashikohet një rritje graduale e moshës së daljes në pension për gratë nga 60 vjeç në 63 vjeç. Rritja do të jetë 2 muaj në vit dhe në moshën e përcaktuar 63 vjeç do të dalin gratë që kanë lindur në vitin 1969 ose që mbushin moshën në vitin 2032. Kjo rritje është e moderuar dhe me një zgjatje prej 18 vjetësh. Pas vitit 2032 do të ketë indeksim të rritjes së moshës së daljes në pension për të dyja kategoritë deri në kufirin 67 vjeç, kufi që do të arrihet në vitin 2056. Arsyet pse bëhet kjo rritje moshe për gratë janë rritja e jetëgjatësisë, rritja e kohës së gëzimit të pensionit si dhe fakti që mesatarisht gratë jetojnë 5 vjet më shumë se burrat.
– Heqja e pensionit të parakohshëm dhe vendosja e formulës që pas 15 vjetësh merr pension për aq vite sa ke punuar, kë kategori prek? Pra në rast se një person me pagë mesatare 50 mijë lekë, del para se të plotësojë 35 vite pune, sa para merr me ligjin aktual dhe sa do të marrë pas 1 janarit?
E drejta për të dalë në pension të reduktuar është ruajtur edhe në projektligjin e ri me të njëjtat kushte siç edhe është në ligjin ekzistues. Çdo qytetar ka të drejtë të dalë në pension të reduktuar deri në tre vjet para moshës ligjore duke ju nënshtruar reduktimit të masës së pensionit me të njëjta norma si në ligjin ekzistues. Ajo që është hequr si koncept në draft është pensioni i pjesshëm. Në ligjin ekzistues është koncepti pension i plotë dhe pension i pjesshëm, ndërsa në ligjin e ri është vetëm koncepti pension pleqërie që llogaritet sipas formulës dhe në varësi të viteve të sigurimit. Kushti i vetëm që është (i ruajtur nga ligji ekzistues) është periudha minimale e sigurimit prej 15 vjetësh. Me këtë ndryshim pensionet e personave që kanë më pak se periudha prej 35 vjetësh nuk pësojnë ulje por përkundrazi janë më të larta duke rregulluar një padrejtësi për pensionet e pjesshme sipas ligjit ekzistues për shkak të mënyrës së llogaritjes.
– Një debat tjetër ishte edhe ai i pagesës së nënave shtatëzëna dhe rasteve kur të punësuarit janë me raport. Cfarë ndryshimesh parashikon ligji I ri?
Përsa i përket përfitimeve të barrëlindjes, ligji i ri ka shtuar të drejtat dhe kategoritë që përfitojnë. Siç e shpreha më lart është sanksionuar e drejta e baballarëve për përfitimin e kujdesit ndaj fëmijës, është rritur periudha e pas lindjes për gratë nga 42 ditë në 63 ditë për një kujdes më të madh ndaj shëndetit të nënës, është lehtësuar kushti për përfitimin e barrëlindjes së dytë, është ndryshuar periudha e marrjes në konsideratë të pagës nga paga e vitit të fundit kalendarik në pagën e 12 muajve të fundit para lindjes së të drejtës. Ndryshim tjetër është që llogaritja e pagesës së barrëlindjes dhe raporteve mjekësore do të bëhet mbi bazën e pagës neto dhe jo bruto. Ky ndryshim është bërë pasi masa e përfitimit është 80 për qind dhe me ndryshimet e sistemit të taksimit të ta ardhurave konstatohet që një person me raport mjekësor ose në 6 muajt e para të përfitimit të barrëlindjes merr para më shumë se kur punon ose e thënë ndryshe paga neto që një i punësuar çon në shtëpi është më e vogël se përfitimi që merr kolegu i tij pa punuar duke qënë i sëmurë. Pra, ky ndryshim vendos “drejtësi” në këtë lloj përfitimi dhe stimulon kthimin në punë dhe ul abuzivizmin.
– Dhe një pyetje të fundit. Reforma e pensioneve ishte nje domosdoshmëri për shkak se sistemi aktual po kalonte në kolaps, pasi shpenzonte shumë më tepër se sa kishte mundësi, me një deficit rreth 400 milionë USD në vit. Ju thoni që reforma do të sjellë në balancë sistemin dhe njëkohësisht do të rrisë përfitimet e atyre që dalin pas datës 1 janar 2015. Si do të ndodhë ky korrektim?
Është e vërtetë që sistemi është në një deficit të madh dhe parashikimet tregojnë se nëse nuk ndërhyhet atëherë ky deficit do të vazhdojë të rritet duke rrezikuar seriozisht sistemin. Por nuk është kjo arsyeja e vetme për reformim. Duke patur kufizimet e ditura nga të gjithë, sistemi nuk inkurajonte pjesëmarrjen në skemë, deklarimin real të pagës, dekurajim të pagesës së kontributeve reale dhe kthim të skemës nga skemë kontributive në skemë asistenciale. Efektet e reformës së pensioneve nuk janë afatshkurtra por afatgjatë dhe qëndrueshmëria financiare nuk do të ndodhë që vitet e para por në periudhën afatgjatë. Megjithatë unë jam e bindur që përmirësimet e skemës jo vetëm do të ndihen që në vitet e para duke frenuar thellimin e deficitit, por gjithashtu do të inkurajojnë pjesëmarrjen dhe kontribuimin real. Rritja e qëndrueshmërisë do të realizohet nëpërmjet rritjes së kontribuesve, pagimit te kontributeve mbi paga reale, vazhdimit të punësimit dhe kontribuimit për një pension më të madh si dhe fomalizimit të ekonomisë dhe tregut të punës.