Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi sot në datë 13 qershor 2024, mbledhjen e parë të Këshillit Administrativ për këtë vit.
Me votim unanim, Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj.Olta Manjani u zgjodh Kryetare e këtij Këshilli.
Ndër të tjerash, Këshilli miratoi edhe projektvendimin “Për miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2022, për llogaritjen e pensioneve”.
Ky projektvendim, i cili pritet të kalojë për miratim edhe në Këshillin e Ministrave, do të krijojë mundësinë e rivlerësimit të pagës mesatare mbi të cilën llogaritet shuma mujore fillestare e pensionit, për të gjithë personat që do të marrin pension nga data 01 korrik 2024 e në vazhdim.
Koeficienti, parashikohet të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për mbi 20 mijë persona, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura.