Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare mbi shkëmbimin e të dhënave të sigurimeve shoqërore, që po zhvillohet në Bon të Gjermanisë, nga data 16-17 tetor 2023.

Gjatë prezantimit, z.Hado ndau me pjesëmarrësit përvojën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, mbi praktikat e ndjekura në lidhje me pagesat e pensioneve, kontrollin e pagesave dhe verifikimin e gjallesës për pensionistët. Gjithashtu, në konferencë, u diskutua edhe në lidhje me shkëmbimin elektronik të të dhënave të pensionistëve midis vendeve, për eliminimin e pagesave të padrejta dhe ato pas vdekjes.

Aktualisht, ISSH ka rritur angazhimin për minimizimin e riskut nga pagesat e kredituara padrejtësisht dhe për këtë po ndërvepron me institucionet e tjera shtetërore, duke e fokusuar punën tek automatizimi dhe përmirësimi i të gjitha hallkave të kontrollit.

Në këtë konferencë, ku po marrin pjesë 30 institucione ndërkombëtare, përfaqësuesit po shkëmbejnë përvojat për mbrojtjen e fondeve të pensioneve, përmirësimin e shërbimeve të digjitalizuara, si dhe sfidat në shkallë globale, në fushën e sigurimeve shoqërore.

Ky takim organizohet nga Deutsche Post Renten Service, ( Posta Gjermane -Shërbimi i pagesave të pensioneve ) me mbështetjen nga DRV Bund, BMAS (Sigurimi Shoqëror Federal Gjerman dhe Ministria Federale e Punës dhe Çështjet Sociale të Gjermanisë).