Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në mbledhjen e datës 19 shtator miratoi vendimin për indeksimin e të të gjitha kategorive të pensioneve, që mbulon Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi.
Për periudhën gusht 2022- gusht 2023, Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët, që llogaritet nga INSTAT, rezultoi në masën 8.6%.
Nga data 1 tetor 2023, mbi 767 mijë përfitues të të gjitha kategorive të pensioneve do të paguhen të indeksuar me këtë përqindje, duke garantuar një mbrojtje më të mirë të kësaj shtrese të popullsisë.
Edhe pensioni social, që përfitohet nga personat rezidentë shqiptarë mbi moshën 70 vjeç, të cilët nuk kanë të ardhura, do të pësojë rritje duke u llogaritur në 9,327 lekë ose 739 lekë më shumë. Nga kjo masë do të përfitojnë 2,499 persona, në shkallë vendi.
Efektet financiare të politikës së indeksimit të pensioneve për tre muajt e mbetur të vitit 2023 llogariten në rreth 3.2 miliardë lekë, ndërsa ai mbartës për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.
Këshilli Administrativ gjithashtu zgjodhi me votim unanim, si kryetar Ministrin e Financave dhe Ekonomisë z. Ervin Mete.
Mete edhe më herët ka dhënë kontributin e tij si anëtar i këtij Këshilli për përmirësimin e mëtejshëm dhe modernizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore është i angazhuar për të garantuar zbatimin e plotë dhe me efikasitet të politikave që kanë për qëllim trajtimin e qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe bazuar në kontributet e paguara.
Objektivat kryesorë të punës sonë mbeten rritja e qendrueshmërisë financiare të skemës, ulja e deficitit, si dhe ulja e transfertës nga buxheti i shtetit, kjo bazuar edhe në ecurinë pozitive të të ardhurave, që deri në fund të vitit të tejkalohen akoma më shumë.