Në të gjithë vendin ka nisur shpërndarja e Bonusit të fundvitit për pensionistët dhe për të gjitha kategoritë e tjera përfituese nga skema shoqërore, pas miratimit të Vendimit nga Këshilli i Ministrave.

Në këtë Vendim parashikohet dhënia e një shpërblimi financiar në masën 5,000 lekë për personat që përfitojnë pension dhe/ose trajtime të tjera financiare.

Gjithashtu parashikohet dhënia e një kompensimi financiar, në masën 6,000 lekë për 66,107 persona që përfitojnë pension invaliditeti.

Bëjmë me dije se shpërblimi financiar, në masën 5,000 lekë do të përfitohet nga këto kategori:

  • 573,366 persona, që përfitojnë pension pleqërie, 66,107 që përfitojnë pension invaliditeti, 43,489 persona që përfitojnë pension familjar, 2,281 persona në pension social, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe sipas Ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
  • 1,490 persona, që marrin pension sipas Ligjit 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit nr. 8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit nr. 9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
  • 6,520 persona, që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas Ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
  • 8 persona që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANÇ-it, sipas Vendimit nr. 190, datë 3.5.1995 të Këshillit të Ministrave “Për zbatimin e Ligjit nr. 7874, datë 17.11.1994 “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të Ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
  • 16 persona që nuk përfitojnë pension, por që përfitojnë vetëm me nenin nr. 5. 5/1/a ose 5/1/b të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
  • 1,191 persona që nuk përfitojnë pension nga Ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, por përfitojnë pension suplementar të caktuar sipas Ligjit nr. 8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
  • 833 persona, që marrin pension për shkak të profesionit të vështirë, sipas nenit 5 të Ligjit 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

Shpërblimet do të kalojnë në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2022 dhe do të paguhen gjatë këtij muaji.

Në VKM përcaktohet se e drejta e tërheqjes së këtij shpërblimi ruhet deri në 36 muaj nga data e miratimit të këtij Vendimi, periudhë e njëjtë me parashkrimin e të gjithë përfitimeve që jepen nga legjislacioni i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Të drejtën për këtë shpërblim e kanë edhe personat që aktualisht nuk kanë dalë në pension, por që e drejta për pension ju lind deri në datën 31.12.2022 përfshirë edhe këtë datë.

Gjithashtu të gjithë ata pensionistë që e kanë tërhequr pensionin në datën 1 Dhjetor, mund të tërheqin në vazhdim bonusin, aty ku ata marrin rregullisht pensionin e tyre.

Mbetemi të angazhuar për të ofruar shërbimet tona ndaj qytetarëve me korrektësi dhe profesionalizëm.