Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua Vendimi për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve në Shqipëri në masën 6%, si pjesë e Paketës së Rezistencës Sociale 2.

Nga kjo masë do të përfitojnë rreth 670 mijë pensionistë, për të cilët indeksimi për të gjithë vitin 2022 llogaritet në masën 9.5%.

Për periudhën shtator-dhjetor 2022 zbatimi i kësaj mase ka një efekt në buxhetin e shtetit në rreth +2 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2023 në +8.4 miliardë lekë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore, do të garantojë edhe përmes bashkëpunimit me Postën Shqiptare sha dhe Bankat e Nivelit të Dytë zbatimin e këtij Vendimi, me qëllim ofrimin e këtij shërbimi për të gjithë individët përfitues.

Në mënyrë më të detajuar ky Vendim parashikon:

1. Indeksohen në masën 6%:

a) pensionet e caktuara sipas ligjeve nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr. 4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) pensionet sociale, të caktuara në përputhje me Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) shtesës mujore, të përfituar me Vendimin nr. 326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;

ç) pensioneve të caktuara me dekretin nr. 758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”;

d) shtesës mbi pension, të dhënë sipas nenit 33, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

dh) shtesave mbi pension, të dhëna sipas neneve 38, 39 dhe 48, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nenit 24, të Ligjit nr. 4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

e) pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me Ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij Ligji;

ë) trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas ligjeve nr. 8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe nr. 9128, datë 29.07.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar;

f) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas Ligjit nr. 9361, datë 24.03.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare në pension”;

g) trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të minierave, të caktuara sipas Ligjit nr. 8685, datë 09.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar;

gj) pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave, të caktuara me Ligjin nr. 150/2014, datë 6.11.2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”;

h) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas Ligjit nr. 9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, i ndryshuar;

i) pensioneve suplementare të caktuara sipas Ligjit nr. 10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”;

j) pensioneve suplementare të caktuara sipas Ligjit nr. 8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;

k) shpërblimit të caktuar sipas Ligjit nr. 7874, datë 17.11.1994 “Për Statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit Shqiptar”, të ndryshuar;

l) pensioneve shtetërore të posaçme të caktuara në përputhje me nenin nr. 5 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

ll) përfitimeve të caktuara sipas ligjit nr. 29/2019 “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”;

m) trajtimeve të veçanta financiare sipas nenit 5/1/a dhe 5/1/b të Ligjit 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

n) trajtim financiar sipas germës a pika 1 e nenit 10 të Ligjit 129/2021 “ Për statusin “ Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

2. Indeksimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij Vendimi, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përfshirë edhe këtë datë.

3. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara sipas dispozitave të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr. 150/2014, që kanë datë fillimi të të drejtës deri më 31.12.2014, pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk do të jenë më pak se 15,822 (pesëmbëdhjetë mijë e tetëqind e njëzet e dy) lekë në muaj dhe më shumë se 31,644 (tridhjetë e një mijë e gjashtëqind e dyzet e katër) lekë në muaj.

4. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës së hyrjes në fuqi të këtij Lendimi nuk do të jenë më pak se 10,834 (dhjetëmijë e tetëqind e tridhjetë e katër) lekë në muaj, por jo më shumë se 15,822 (pesëmbëdhjetëmijë e tetëqind e njëzet e dy) lekë në muaj.

5. Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas Ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 15,822 (pesëmbëdhjetëmijë e tetëqind e njëzet e dy) lekë në muaj.

6. Përfituesit e pensioneve, sipas Ligjeve nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”. nr. 4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë” si dhe nr. 150/2014, datë 6.11.2014, të caktuara me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshi edhe këtë datë, përveç pensionit të indeksuar sipas pikës “1” të këtij vendimi, do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; nr. 763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr. 415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; nr. 474, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr. 17, datë 20.1.2007, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, në atë masë që i kanë përfituar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; nr. 763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr. 415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; dhe nr. 474, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme sipas ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 17 472 (shtatëmbëdhjetë mijë e katëqind e shtatëdhjetë e dy) lekë në muaj.

8. Përfituesit e pensioneve, sipas pikës “1” germa “a”, “e”, “gj” të këtij Vendimi me datë fillimi të pensionit deri në 31.12.2014 dhe përfituesit e pensioneve të parakohshme sipas Ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, krahas pensionit dhe kompensimeve, sipas përcaktimeve në pikën 6 dhe 7 të këtij Vendimi do të marrin edhe kompensimet sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”; nr. 471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”.

9. Përfituesit e pensionit familjar, përveç pensionit të caktuar sipas dispozitave të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të marrin edhe kompensimet për të ardhurat dhe për ndryshimin e çmimeve, sipas kritereve te përcaktuara në Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr. 415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; nr. 474, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, nr. 138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”; nr. 471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm” dhe udhëzimeve në zbatim të tij, me kusht që pensioni që kishte apo i takonte mbajtësit të familjes të jetë llogaritur sipas dispozitave ligjore në fuqi deri në 31.12.2014.

10. Shuma bazë e pensionit e përcaktuar sipas pikës 2 të nenit nr. 32 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij Vendimi e në vazhdim të jetë 8 588 (tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e tetë) lekë.