Nën drejtimin e Kryetares, njëherazi dhe Ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, në datë 25 Korrik 2022 u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Këshilli miratoi disa projekt-akte, që kanë të bëjnë me rregullime dhe qartësime për ecurinë e veprimtarisë së Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë të Nivelit të Parë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Drejtorisë së Inspektimit të Përfitimeve, etj.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së z. Astrit Hado, gjatë mbledhjes, konfirmoi edhe për 6-mujorin e parë të këtij viti qendrueshmërinë financiare, si dhe performancën pozitive të të ardhurave.
Nga ana tjetër z. Hado informoi Këshillin Administrativ se i gjithë sistemi i brendshëm elektronik i ISSH-së është në funksionim të plotë dhe se pagesat, përfshi edhe ato të pensioneve, janë realizuar në mënyrë të rregullt.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore vijon të jetë i angazhuar për të realizuar objektivat, përmbushur të gjitha detyrimet, si dhe për mbarëvajtjen e shërbimeve.