Ratifikimi nga Kuvendi i Marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore me Konfederatën e Zvicrës, i hap rrugën përfitimeve nga skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore.
Përmes kësaj skeme qytetarët do të mund të përfitojnë: pensionin e pleqërisë, pensionin familjar dhe pensionin e invaliditetit.
Mbrojtja siguron dhe mbulon periudhat e pagesës së kontributeve ose periudhave të barasvlershme, të njohura nga ligjet e sejcilit prej dy shteteve.
Janë afërsisht 3,100 shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, pa përfshirë shtetasit shqiptarë me nënshtetësi të dyfishtë, ndërsa në vendin tonë jetojnë rreth 53 shtetas zviceranë.
Në bazë të kësaj marrëveshje asnjë nga qytetarët nuk do të humbasë kontributet, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i angazhuar për të garantuar mbrojtjen shoqërore me vendet që ka një marrëveshje, ndërsa është duke u punuar për të shtuar marrëveshjet me shtetet e tjera, ku jetojnë dhe punojnë qytetarët shqiptarë.