Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës, ILO  dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore, ISSA, po zhvillojnë nga data 4-6 Korrik, një sesion trajnimesh me përfaqësues të DRSSH-ve dhe ALSSH-ve, në lidhje me skemat e sigurimeve shoqërore, për kategorinë e të vetëpunësuarve në bujqësi.

Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado gjatë fjalës së tij falënderoi z. Kenichi Hirose, specialist i nivelit të lartë për Mbrojtjen Shoqërore pranë ILO, znj. Zhulieta Harasanin, koordinatore e ILO-s për Shqipërinë dhe z.Guillaume Filhon, funksionar i lartë i sigurimeve shoqërore, ISSA për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë në ofrimin e njohurive dhe praktikave më të mira në lidhje me këtë fushë.

“ Skemat e sigurimeve shoqërore veçanërisht për kategorinë e të vetëpunësuarve në bujqësi janë shumë të rëndësishme në aspektin social dhe ekonomik të vendit tonë. Për këtë, arsye trajnimi i vazhdueshëm i stafeve tona, në nivel rajonal, i shërben rritjes profesionale dhe ofrimit sa më të mirë të shërbimeve”, tha Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së.

Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit do të njihen me praktikat më të mira të përzgjedhura nga lektorët, për mënyrën e procedimit dhe të mbledhjes së kontributeve në sektorin e bujqësisë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore i kushton vëmendje të veçantë përmirësimit të  aspekteve teknike dhe rregullatore të skemave të sigurimeve shoqërore, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave, rritjen e bazës së kontribuesve, si dhe të të ardhurave.