Shqipëria dhe Kosova negociuan marrëveshjen administrative në fushën e sigurimeve shoqërore, pas ratifikimit nga ana e Parlamenteve respektivë.

Raundi i tretë i bisedimeve mes dy delegacioneve për hartimin e kësaj Marrëveshjeje dhe elementëve teknikë të zbatimit u zhvilluan në datat 23-24 Maj 2022, në Tiranë.

Delegacioni shqiptar u kryesua nga Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë z. Besart Kadia, ndërsa bisedimet u udhëhoqën nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado.

Për palën kosovare negociatat u kryesuan nga znj. Leunora Zulfiaj, Udhëheqëse e Divizionit të Punës në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Të dyja palët, në përfundim të negociatave, shprehën vullnetin e plotë për të thelluar më tej bashkëpunimin, si dhe për të koordinuar skemat e sigurimeve shoqërore, në përputhje me standardet e legjislacionit europian.

Objekt i kësaj Marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë:

  • përfitimet në para për barrë-lindje për personat e punësuar;
  • personat e vetëpunësuar, si dhe për punëdhënësit;
  • përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar;
  • për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.

Kjo marrëveshje është tepër e rëndësishme, pasi garanton të drejta të barabarta dhe siguron mbrojtje shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy vendet tona.