

Në kuadër të Paketës së Rezistencës Sociale, që po zbaton Qeveria shqiptare, Instituti i Sigurimeve Shoqërore filloi sot në datë 1 Prill 2022 shpërndarjen e të gjitha pensioneve të indeksuara, që trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, në masën 3.3%, me një efekt financiar prej 3.3 miliardë lekësh. Nga ky indeksim do të përfitojnë 673,813 pensionistë në mbarë vendin.
Gjithashtu nisi dhe dhënia e shpërblimit prej 3,000 lekë, për një periudhë 3- mujore, për disa kategori të veçanta, me qëllim zbutjen e efekteve të ndryshimeve të çmimeve të mallrave të konsumit, të ndikuara nga kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Nga kjo masë do të përfitojnë 576,381 familje dhe individë, përfitues të programit të ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar, dhe pensionistë invaliditeti, familjar dhe pleqërie, nga skema e sigurimeve shoqërore. Efekti financiar llogaritet në rreth 5. 2 miliardë lekë. Kjo masë do të përfitohet vetëm një herë për periudhën prill-maj-qershor dhe nuk do të jetë e mundur mbartja e tij në periudhat pasardhëse.
Kategoritë përfituese të përcaktuara në Paketën e Rezistencës Sociale janë:
a) Familjet dhe individët përfitues të ndihmës ekonomike, të përcaktuar në nenin 7, të Ligjit nr. 57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
b) Individët përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të nenit 8, të Ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
c) Individët përfitues të statusit, sipas Ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
ç) Individët përfitues të statusit, sipas Ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar;
d) Personat, që përfitojnë pension invaliditeti, sipas Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
dh) Personat, që përfitojnë pension familjar, sipas Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
e) Personat, që përfitojnë pension pleqërie, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe masa e pensionit mujor të tyre është më e ulët ose e barabartë me 50% të pagës minimale neto në shkallë vendi;
ë) Kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie, sipas Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe përfitojnë kompensim për efekt të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, sipas Vendimeve të Këshillit të Ministrave nr.565, datë 9.8.2006, “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”, nr.238, datë 7.4.2010, “Për një ndryshim në Vendimin nr.565, të Këshillit të Ministrave, “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike””, nr. 8, datë 14.1.2015, “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 Kwh në muaj”.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore është i angazhuar për informimin e qytetarëve dhe për realizimin e plotë dhe me sukses të këtij procesi, i cili ka për qëllim t’iu vijë në ndihmë kategorive më në nevojë të shoqërisë dhe për të cilin janë të disponueshme të gjitha fondet e nevojshme.