Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi analizën vjetore për vitin 2021, ku e pranishme ishte edhe Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Olta Manjani.
Për vitin 2021, ISSH pati performancë pozitive të të ardhurave dhe qëndrueshmëri në likuiditet.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së z. Astrit Hado, tha se, të ardhurat në total nga kontributet e sigurimeve shoqërore për vitin 2021, në rang vendi, u realizuan në masën 94.8 miliardë lekë ose në 103,9%, me një tejkalim prej 3.5 miliardë lekë, në krahasim me vitin 2020.
Sistemi i sigurimeve shoqërore e mbylli vitin 2021 me një rezultat fiskal pozitiv me rreth 4.6 miliardë lekë tejkalim të të ardhurave, mbi shpenzimet për pagesat e përfitimeve dhe për administrimin. Kjo ecuri ndikoi pozitivisht në uljen me rreth 14% të mbështetjes nga buxheti i shtetit.
Gjatë fjalës së tij, z. Hado vlerësoi faktin se ISSH ka shënuar gjithashtu progres të lartë sa i takon ofrimit të shërbimeve online, ku gjatë vitit 2021, nga 286,941 aplikime në total 87% janë bërë elektronikisht. Kjo ka sjellë reduktim të kohës së marrjes së këtyre shërbimeve, si dhe ulje të vizitave në sportele.
Në mars 2021, u realizuan të gjitha procedurat teknike për indeksimin e pensioneve për mbi 703 mijë përfitues me një efekt financiar prej 2.4 miliardë lekë.
Po gjatë vitit të kaluar u realizuan në një kohë rekord procedurat teknike dhe financiare të dhënies së shpërblimeve për mbi 680 mijë përfitues, me një efekt financiar prej rreth 3.5 miliardë lekë.
Rritja me 5.74% e numrit të kontribuesve, krahasuar dhe me të gjithë situatën e numrit të kontribuesve në vite, solli përmirësim në raportin kontribuues kundrejt përfituesve të pensionit të pleqërisë të skemës së detyrueshme.
Përfitimet e pensionistëve, pra transfertat në buxhetet familjare, nga fondet e sigurimeve shoqërore arritën në 148,030 milionë lekë, kundrejt 134,152 milionë lekë që ishin në vitin 2020.
Nga 44,272 pensione të reja të caktuara në zbatim të Ligjit nr. 7703/1993, i ndryshuar, 98% u lidhën brenda afateve ligjore, me një kohë mesatare 25 ditë.
Numri i pensioneve për vitin 2021 rezultoi në 673,813 persona, me një shtesë neto prej 7, 950 pensione, në krahasim me vitin 2020.
Performanca pozitive e institucionit u vlerësua edhe nga zëvendësministrja Manjani, e cila konfirmoi mbështetjen për të çuar përpara reformat për digjitalizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore, shërbimeve, por edhe për të shtuar pjesëmarrjen aktive për lidhjen e marrëveshjeve bilaterale në fushën e mbrojtjes shoqërore.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore edhe gjatë viti 2022 do të vijojë punën për rritjen e cilësisë së shërbimeve, informimin, transparencën sa më të plotë ndaj qytetarëve, uljen e kohës së caktimit të pensioneve, si dhe rritjen e aftësimit profesional të punonjësve.