Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve z. Astrit Hado priti në një takim kortezie Zëvendësdrejtorin e Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore të Zvicrës, z. Stefan Cueni.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e deritanishme, të shkëlqyera, mes dy institucioneve dhe puna që është bërë për hartimin e kuadrit ligjor për marrëveshjen në fushën e mbrojtjes shoqërore mes dy vendeve tona.

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado e konsideroi të rëndësishme këtë marrëveshje, e cila mundëson trajtimin e barabartë të shtetasve të të dyja vendeve dhe ju siguron atyre bashkimin e periudhave të siguruara, pa humbur asnjë ditë.

Edhe Zëvendësdrejtori i Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore të Zvicrës z. Stefan Cueni vlerësoi pozitivisht të gjithë ecurinë e këtij procesi dhe punën e bërë nga stafet teknike të të dyja palëve.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes Kuadër, i hapet rruga ratifikimit nga parlamentet e shteteve respektive.

Negociatat me Konfederatën Zvicerane nisën në maj të vitit 2017 dhe 2018-ën, me tre raunde, që u finalizuan me hartimin e Marrëveshjes Kuadër dhe Marrëveshjes Administrative.

Kjo marrëveshje siguron parimet bazë:

  • Trajtimin e barabartë me shtetasit e shtetit kontraktues;
  • Bashkimin e periudhave të siguruara me të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre, me kusht që ato të mos mbivendosen;
  • Me qëllim për të përmbushur periudhën minimale të sigurimit të nevojshme për t’u pajisur me të drejtën për përftime, do të merren në konsideratë edhe periudhat e sigurimit të realizuara sipas legjislacionit zviceran, me kusht që këto periudha të mos mbivendosen me periudhat e sigurimit shqiptar dhe që periudha minimale e sigurimit shqiptar të jetë 1 vit;
  • Eksportim të përfitimeve, e cila nënkupton që çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ndodhet;
  • Periudhat e sigurimit sipas legjislacionit të shteteve të treta, që nënkupton: Nëse një person sipas legjislacionit shqiptar dhe duke marrë në konsideratë periudhat e sigurimit të të dy shteteve kontraktuese sipas nenit 18, nuk ka të drejtë për përfitime, atëherë për përcaktimin e të drejtës për përfitime do të konsiderohen edhe periudhat e sigurimit sipas legjislacionit të shteteve të treta, me të cilët Shqipëria ka marrëveshje mbi sigurimin shoqëror, e cila parashikon bashkimin e periudhave të sigurimit;
  • Bashkëpunim midis institucioneve kompetente zbatuese, të cilat përcaktojnë procedurat dhe formularët për zbatimin e marrëveshjeve bazë, të ratifikuara nga qeveritë përkatëse.

Rreth 2,000 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Zvicër, pa përfshirë shtetasit shqiptarë me shtetësi të dyfishtë, do të mund të përfitojnë nga kjo Marrëveshje.