Marrëveshjet dypalëshe ndërkombëtare për mbrojtjen shoqërore u vijnë në ndihmë të gjithë personave që kanë punuar në Shqipëri dhe në shtetin me të cilin Republika e Shqipërisë ka lidhur marrëveshje të tillë. Një marrëveshje dypalëshe në këtë fushë ka për qëllim koordinimin e skemës së sigurimeve shoqërore shqiptare me skemën e sigurimeve të shtetit tjetër, palë e marrëveshjes.
Të gjitha marrëveshjet dypalëshe që Republika e Shqipërisë zbaton apo dakordëson, mbështeten në 5 parime bazë, të cilave ju shtohen edhe specifikat e legjislacioneve të secilit shtet, palë në marrëveshje, konkretisht specifikat e ligjit shqiptar apo të legjislacionit të shtetit tjetër.
Në varësi të fushës së zbatimit, marrëveshjet dypalëshe mbulojnë përfitime në para (përfitime që jepen nga skema e sigurimeve shoqërore) apo edhe përfitime në natyrë (kujdesin shëndetësor i parashikuar nga legjislacionet për sigurimet shëndetësore të shteteve palë)
Çfarë u garantojnë marrëveshjet dypalëshe punonjësve emigrues?
- Trajtim të barabartë
Punonjësit emigrues kanë të njëjta të drejta dhe detyrime lidhur me mbrojtjen shoqërore si vetë vendasit, pa asnjë lloj diskriminimi.
- Përcaktim të legjislacionit të zbatueshëm.
Marrëveshjet parashikojnë zbatimin vetëm të legjislacionit të njërit shtet. Përfitimet në para të tilla si: pensionet e pleqërisë, invaliditetit, apo pensionet familjare etj, duhet të sigurohen nga sistemet e pensioneve të çdo shteti ku personi ishte i siguruar. (Po kështu, nëse në fushën e zbatimit të marrëveshjes përfshihet edhe kujdesi shëndetësor, kostot e përfitimeve të kujdesit mjekësor duhet të rimbursohen nga sistemi i sigurimeve shëndetësore të shtetit ku personi është i siguruar, edhe nëse ato ofrohen në shtetin e qëndrimit.)
Përcaktimi i legjislacionit të zbatueshëm eviton gjithashtu problemet që shkaktohen nga konfliktet ligjore në rastet e punësimit në dy shtete (rastet e punonjësve të transferuar për të kryer një punë në shtetin tjetër, të vetpunësuarve, punonjësve të transportit, të përfaqësive diplomatike, etj).
Që të provohet se cili legjislacion zbatohet për këta punonjës, plotësohet formulari i quajtur ”Certifikatë mbulimi”. Ky formular konfirmon se kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë paguar në shtetin që ka plotësuar formularin dhe punonjësi nuk ka asnjë detyrim për të paguar kontribute në shtetin tjetër.( Për shembull, nëse punonjësi është i mbuluar nga skema shqiptare e sigurimeve, certifikata plotësohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore ose nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shendtësor, në varësi të marrëveshjes dypalëshe.)
- Ruajtje të së drejtave
Në mungesë të një marrëveshjeje mes shteteve, punonjësit emigrues pavarësisht kontributit që japin në shtetin ku punojnë janë të rrezikuar të mos plotësojnë kushtin minimal të kërkuar për të përfituar nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore.
Marrëveshjet dypalëshe parashikojnë bashkimin e periudhave të sigurimit të realizuara në të dy shtetet me qëllim plotësimin e kushteve ligjore në të dyja skemat, (shqiptare dhe e huaj). Periudhat e sigurimit të realizuara në një shtet njihen po ashtu edhe nga shteti tjetër me kusht që të mos jenë të mbivendosura. Sejcili shtet jep përfitime për aq sa qytetari ka kontribuar në skemën e tij. (Për shëmbull, një person ka emigruar prej shumë vitesh dhe ka vetëm 10 vite sigurim në Shqipëri. Kur ai/ajo plotëson moshën për pension, edhe pse nuk ka plotësuar periudhën minimale për të përfituar pension pleqërie, nëse duke bashkuar 10 vitet e sigurimit në Shqipëri me periudhën e realizuar jashtë vendit, do të plotësohen 15 vitet e kërkuara nga legjislacioni shqiptar, ai/ajo ka të drejtë të përfitoj një pension shqiptar. Qytetari në fjalë, me bashkimin e periudhave të huaja me 10 vitet e sigurimit në Shqipëri mund të përfitojë pension edhe në shtetin tjetër, nëse plotëson kushtet për përfitime, që caktohen nga skema e sigurimeve të këtij shteti)
Periudhat e sigurimit të realizuara në secilin shtet konfirmohen nga institucioni kompetent i sigurimeve shoqërore, nëpërmjet një formuari specifik të quajtur “Vërtetim i periudhave të sigurimit”
- Eksportim të përfitimeve
Marrëveshjet dypalëshe parashikojnë që çdo person të ketë të drejtë të tërheqë pagesën përfitimit të caktuar për të kudo ku ai ndodhet. (Për shëmbull, nëse ai/ajo jeton në shtetin e huaj, pensioni shqiptar dërgohet në llogarinë personale bankare që qytetari ka në atë shtet, pa kosto transfertash dhe anasjelltas). Marrëveshjet parashikojnë vetëm eksportim përfitimesh, nuk parashikojnë eksportimin e kontributeve të paguara në skemën shqiptare apo anasjelltas.
- Bashkëpunim dhe ndihmë administrative
Çdo marrëveshje e nënshkruar shoqërohet me një marrëveshje apo rregullore administrative si dhe me formularë përkatës, me qëllim që rregullat për të cilat është rënë dakord në marrëveshjen bazë të bëhen të zbatueshme në praktikë.
Qytetari mund të aplikojë për përfitime nga skemat e të dy vendeve njëkohësisht, në agjencinë e intitucionit më të afërt ku ai ndodhet, në zyrat e sigurimeve shoqërore të shtetit ku ai/ajo ka vendbanimin, në shtetin e huaj apo në Shqipëri, në mënyrë që të mos penalizohet, apo të humbasë afatet ligjore gjatë bërjes së aplikimit për shkak të distancës së largët.
Kërkesat për përfitime nga skemat e të dy shteteve plotësohen sipas formularëve përkatës dy gjuhësh “Kërkesë për Pension”, dhe dokumentacioni i kërkuar për lidhjen e përfitimit në shtetin tjetër nuk ka nevojë të jetë i përkthyer, noterizuar apo apostiluar.
Për qytetarët që jetojnë në Shqipëri dhe kërkojnë të aplikojnë për pension të huaj, formularët e kërkesës për pension të huaj gjenden në rubrikën “Formularë aplikimi”. Ata mund të shkarkohen, të plotësohen dhe të dërgohen me postë në adresën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore “Rruga e Durrësit nr 83, Tiranë”, në mënyrë që kërkesa t’i dërgohet institucionit homolog që lidh pensionin e huaj.
Duke qenë se mosha e daljes në pension është e ndryshme në shtete të ndryshme, dhe kur e drejta për pension shqiptar ka lindur më herët, qytetari mund të aplikojnë direkt në platformën e-albania. Nëse nuk e përmbushin kushtin minimal ligjor (15 vite sigurim), në formularin online të kërkesës për pension, në seksionin e shënimeve të deklarojnë nëse kanë periudha sigurimi jashtë shteti, në mënyrë që të mos t’ ju mohohet e drejta për përfitim,
Duke patur që në aplikim nga qytetari këtë informacion, strukturat e sigurimeve shoqërore (DRRSH-ja që përpunon kërkesën dhe Drejtoria e Marrëvshjeve në ISSH) koordinohen me njëra-tjetrën për të mundësuar përcjelljen e periudhave nga shteti i huaj me të cilin Shqipëria ka një marrëveshje të tillë.
Marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara nga Qeveria shqiptare në fushën e sigurimeve shoqërore iu janë nënshtruar procesit të ratifikimit dhe pas hyrjes në fuqi vazhdojnë të jenë të vlefshme për një kohë të pacaktuar.
Shtetet me të cilat Shqipëria ka Marrëveshje në fushën e mbrojtjes shoqërore
- Marrëveshja në fushën e mbrojtjes shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar me Ligjin nr.9066, datë 15.05.2003– vijon zbatimi i saj nga viti 2005;
- Marrëveshja për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar me Ligjin 35/2014,datë 03.04.2014 – ka filluar zbatimi nga janar 2016;
- Marrëveshja në fushën e mbrojtjes shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hungarisë, ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar me Ligjin Nr.151/2015, datë 21.12.2015 – ka filluar zbatimi nga korrik 2016;
- Marrëveshja në fushën e mbrojtjes shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar me Ligjin Nr. 42/2015, datë 16.04.2015 – hyrë në fuqi në 01.07.2016;
- Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, e ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar me Ligjin Nr.123/2015, datë 12.11.2015 – ka filluar zbatimi nga 01.06.2016;
- Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke, ratifikuar me Ligjin 34/2016 datë 24.03.2016 – vijon procesi i implementimit të saj prej datës 01.02.2017;
- Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, e ratifikuar me Ligjin 23/2016 datë 10.03.2016 – hyrë në fuqi nga 01.12.2017;
- Marrëveshja dypalëshe në fushën e mbrojtjes shoqërore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, ratifikuar nga Parlamenti me Ligjin 14/2018, date 29.03.2018 – hyri në fuqi më 01.12.2018;
- Marrëveshja për sigurimet shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, ratifikuar ne 28.03.2022 dhe hyri në fuqi në 01.07.2022;
- Marrëveshja për sigurimet shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë, ratifikuar me Ligjin nr. 58/2019 dhe hyri në fuqi në 01.08.2022;
- Marrëveshja për sigurimet shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, ratifikuar me Ligjin 59/2022 dhe hyri në fuqi ne 01.10.2023.
- Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë për Mbrojtjen Shoqërore, nënshkruar më datë 2 tetor 2023, ka hyrë në fuqi më datë 1 maj 2024.