Nga data 14 deri në 16 maj 2019 u zhvillua në Baku, Azerbajxhan, Forumi Europian për Sigurimet Shoqërore, ku në qendër të diskutimeve ishin praktikat më të mira të realizuara nga çdo shtet pjesëmarrës, për përmirësimin e shërbimit në fushën e sigurimeve shoqërore.

Duke patur në fokus përmirësimin  e shërbimit ndaj përdoruesve të skemës së sigurimeve shoqërore, Shoqata Ndërkombëtare e Sigurimeve Shoqërore (ISSA), jo vetëm që vlerësoi vendet që kishin arritur të krijonin aplikacione dhe shërbime që lehtësojnë përdoruesit e skemave kudo nëpër Europë, por organizoi dhe panele për diskutimin e tyre.

Moderator i njërit prej paneleve u përzgjodh z. Astrit Hado, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në këtë panel, përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, Finlandës dhe Letonisë prezantuan para pjesëmarrësve qasjet e reja në fushën e komunikimit me qytetarët e vendeve të tyre, lidhur me skemat e sigurimeve shoqërore.

Gjatë fjalës së tij, Z. Hado theksoi se ndryshimi i mënyrës së komunikimit me qytetarët për skemën e sigurimeve shoqërore është hapi i parë për t’i afruar ata sa më shumë me këtë skemë, në mënyrë që edhe përfitimi që ata do të kenë prej saj të jetë maksimal dhe në përputhje me atë ç’ka ju ofron legjislacioni përkatës.