Nga Znj.Mirela Selita, Drejtore e Drejtorisë Juridike, ISSH.

Sigurimet shoqërore në Shqipëri janë një nga komponentët e shtetit të mirëqënies sociale, krahas kujdesit e sigurimit shëndetësor, asistencës dhe përfitimeve familjare. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë,

në objektivat sociale deklarohet se Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor, të mundshëm, përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët, riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve. Neni 52 i Kushtetutës parashikon se kushdo ka të drejtën e sigurimeve shoqërore në pleqëri, ose kur është i paaftë për punë, sipas një sistemi të caktuar me ligj. Çdo njeri, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij, dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj.
Ashtu siç u përmend më lart, Kushtetuta ka njohur të drejtën për sigurime shoqërore, por në plotësim të kushteve dhe sipas një sistemi të caktuar me ligj. Aktualisht sigurimi i detyrueshëm shoqëror rregullohet me ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërise” (i ndryshuar). Parimi bazë i funksionimit të skemës së sigurimit të detyrueshëm shoqëror është parimi i solidaritetit , sipas të cilit ai që punon si i punësuar, i vetëpunësuar apo punëdhënës, paguan kontribute dhe me kontributet e grumbulluara paguhen përfitimet e atyre që janë të paaftë për punë për shkak moshe, sëmundje etj.
Ndërsa nga njëra anë e drejta për sigurime shoqërore, si e drejtë e individit për mbrojtje në rast pleqërie, sëmundje etj, është një e drejtë kushtetuese dhe bën pjesë në grupin e të drejtave eknomike dhe sociale të Kushtetutës, nga ana tjetër e drejta për sigurime shoqërore është pjesë e rëndësishme e korpusit të të drejtave që burojnë nga marrëdhënia e punës. Kështu, duke punuar e paguar kontribute, individi merr vetpërgjegjësi për rrisqet e së ardhmes, pasi një pjesë të të ardhurave nga puna i heq mënjanë për t’u siguruar.
Por, përderisa sigurimet shoqërore veprojnë si një mekanizëm për ruajtjen e një niveli të ardhurash, si mjet për të mos rënë në varfëri, këtu edhe më poshtë do të analizohet historikisht roli i shtetit, në drejtim të skemave të sigurimeve shoqërore, skema të detyrueshme dhe të monitoruara, çka përbën edhe lidhjen e sigurimeve shoqërore me konceptin e shtetit social.
Sigurimet shoqërore në Shqipëri kanë një historik të vetin, dhe vështrimi kronologjik mbi historikun e sigurimeve shoqërore, që është objekt i kësaj teme, bëhet në kuadër të 20 vjetorit të krijimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore e që korrespondon edhe me 100 vjetorin e krijimit të Shtetit Shqiptar.
Siç do të përshkruhet edhe më poshtë, duke filluar që nga viti 1912, krijimi i shtetit shqiptar, paralelisht me aktet kushtetuese që kanë dalë në Shqipëri (akti themelor i një shteti dhe që parashikon të drejtat themelore, ku përfshihet edhe e drejta për sigurime shoqërore), jepen aktet ligjore në fushën e sigurimeve shoqërore, sipas një rendi që ndjek zhvilimet historike të sigurimeve shoqërore në Shqipëri.
Aktet Kushtetuese në Shqipëri:
•1912-1913 “Statuti organik i Shqipërisë” (10.4.1914);
•1914-Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, Princ Vidi);
•1920-“Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” – Statuti i Lushnjes Kushtetutë me 9 nene;
•1922-“Statuti i Zgjeruar i Lushnjes”;
•1925- “Statuti Themeltar i Republikës së Shqipërisë”;
•1928-“Statuti Themeltar i Mbretërisë Shqiptare”;
•1946-“Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë”;
•1976-“Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
•1991-“Për dispozitat Kryesore Kushtetuese”;
•1992-Ligji “Për organizimin e Drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese”;
•1993-Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal”;
•1993 – Ligji “Për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”;
•1998 – Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Aktet në fushën e sigurimeve shoqërore në Shqipëri
•Ligji datë 15.02.1923 “Për dorëheqje dhe pension për ushtri e gjindarmëri” ;
•Ligji nr. 129, datë 28.10.1927 “Për pensionet civile”;
•Ligji i “Pensioneve civile dhe ushtarake”, datë 20.06.1934 ;
•Ligji nr. 327, datë 04.09.1946, Dekreti nr.341, datë 28.10.1946;
•Ligji nr. 528, datë 25.08.1947 “Mbi sigurimet shoqërore të nënpunësve dhe funksionarëve”;
•Dekreti nr. 2213, datë 06.02.1956 – Procedurat e pensioneve kryhen nga seksionet e financave të komiteteve ekzekutive;
•Ligji nr. 2803, datë 04.12.1958-Komisionet e pensioneve pranë këshillit të bashkimeve profesionale të rretheve.
•Ligji nr. 2813, datë 10.03.1959 – Pensionet e ushtarakëve të shërbimit aktiv të UP dhe MPB caktohen nga vetë këto organe;
•Ligji nr. 4171, datë 13.09.1966 – Për pensionet e qytetit;
•Ligji nr. 4976, datë 26.03.1972 – Për pensionet e kooperativave bujqësore;
•Ligji nr. 7703, date 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”;
•VKM nr.249, datë 05.06.1992 – Krijimi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Pjesa e parë
Zhvillimet e sigurimeve shoqërore para vitit 1993
“Kur kancelari gjerman Bismark, në fund të shekullit të XIX, vendosi sistemin e sigurimeve shoqërore PAYG, qeveritë e vendeve të tjera evropiane përfituan nga ajo përvojë për ngritjen e sistemeve të tilla në vendet e tyre. Edhe Shqipëria, pas themelimit të shtetit të pavarur, nën monarkinë e Mbretit Zog, ka ndjekur të njëjtin drejtim duke vendosur skemat e pensioneve kontributive shtetërore për nënpunësit civilë dhe për forcat e armatosura” .
Sipas ligjit nr. 129, datë 28.10.1927 , për pensionet civile, nënpunësit pensionoheshin detyrimisht kur kishin shërbyer 35 vjet ose kishin arritur moshën 60 vjeç (artikulli 4), por mund ta kërkonin pensionin edhe nëse kishin plotësuar 25 vjet në administratë. E drejta për pension për të gjithë nënpunësit civilë të Republikës Shqiptare fillonte mbas datës 28 Nandor 19912, thuhej në artikullin 7 të këtij ligji. Në nenin 31, parashikohej themelimi i Arkës së Përgjithshme të Pensioneve për Nënpunësat Civilë. “Kjo arkë formon nji institut të veçantë dhe funksionon pranë Ministrisë së Financavet, nënë autoritetin e Ministrisë së Financave dhe lehet nën drejtimin e administrimin e nji këshille administruese, e përbame prej nji Senatori, nji Deputeti, nji antari të Diktimit, nji antari të Këshillit Kontrollues, dhe prej nga nji funksionarit të naltë të ç`do Ministrije”
“Pas Luftës së Dytë Botërore, sistemi i sigurimeve shoqërore që u vendos ndoqi modelin rus. Ky sistem mbulonte ata që punonin në sektorin shtetëror, e dukej se kishte një diskriminim për shumicën e popullsisë që jetonte në zonat rurale. Pensionet e fermerëve u vendosën për herë të parë vetëm në vitin 1972.”
Fillimisht, u morën masa për zgjidhjen e problemeve të ngutshme të sigurimeve shoqërore. Në fillim iu dha zgjidhje provizore problemit të ndihmës në të holla për sëmundje dhe maternitet. Iu dha pension invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të LANÇ, si dhe patriotëve të Rilindjes Kombëtare dhe familjeve të tyre, neni 21 i  Ligjës nr. 82, datë 09.07.1945 dhe ligja nr.109, datë 29.08.1945.
Në 1947, u krijua një sistem unik i sigurimeve shoqërore, që përfshinte sigurimin për sëmundje, për maternitet, pensionin e pleqërisë, invaliditetit etj, përmes ligjit nr. 528, datë 26.08.1947. Në këtë periudhë nuk paguheshin 3 ditët e para të paaftësisë. Mosha e pensionit të pleqërisë ishte 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Bashkëshortja pasjetuese quhej e paaftë për punë në moshën 40 vjeç. Në dhënien e pensionit të pleqërisë nuk bëhej dallim për punët shumë të rënda .
Me Dekret Ligjën nr. 734 dhe 735, datë 21.09.1949, u hoq kufizimi për mospagimin e 3 ditëve të para të sëmundjes duke u paguar që nga dita e parë. U përcaktuan kritere për dhënien e pensioneve, duke u marrë për bazë vjetërsia dhe vështirësia e punës, gjinia dhe mosha. Kështu, mosha për gratë u ul nga 60 vjeç në 55 vjeç dhe nga 65  në 60 për burrat etj. U njoh e vlefshme për pension, koha e punës e kryer që nga shpallja e pavarësisë së vendit 28 nëntor 1912, Dekret Ligja 123, datë 05.03.1951.
Në vitin 1958, u bënë ndryshime të tjera në ligjin e sigurimeve shoqërore shtetërore. U ul mosha dhe vjetërsia në punë për gratë që lindin 6 fëmijë e lart në moshë deri në 8 vjeç. U vendosën pensionet e pjesshme, në përpjestim me vjetërsinë e punës. U vendos që pensioni i plëqërisë mund të llogaritej, jo vetëm mbi pagën e vitit të fundit, por edhe mbi pagën e tre vjetëve me rradhë, gjatë 10 vjetëve të fundit e të tjera.
Në kuadrin e rishikimit të legjislacionit në fuqi u bë unifikimi i dispozitave të sigurimeve shoqërore të punonjësve civilë dhe ushtarakë. U hoq kriteri i dhënies së sigurimit për paaftësi, barrëlindje dhe shtesat për pensionin, në bazë të punës së pandërprerë. U hoqën shkallëzimet e shumta në dhënien e sigurimeve dhe u rrit shpërblimi mesatar ditor. U hoqën shkallëzimet në caktimin e pensionit dhe u vendos një përqindje e vetme për të gjitha pagat (70 %)-pensioni t’i përgjigjet punës së kryer.
Parimi i të drejtës së fituar dhe parimi i të drejtës më të favorshme mbeti edhe pas rishqyrtimit me ligjin e ri.  Kështu, me Dekretligjin nr. 165, datë 05.03.1963, si edhe me Ligjën nr. 2803, datë 04.12.1958, parashikohej se  kriteret e caktuara për fitimin e pensionit dhe sasinë e tij do të zbatohen edhe për pensionet e lidhura para hyrjes në fuqi të dekretit osë të ligjës, duke mos prekur pensionet më të favorshme të caktuara më parë.
Ligji nr. 4171, datë 13.09.1966 , mbi sigurimet shoqërore shtetërore, parashikonte, në nenin 1 të tij “……mbështetje me mjete materiale për jetesë në rast paaftësie për punë dhe në pleqëri” , për shtetasit që ishin në marrëdhënie pune. Kushtet për pension pleqërie varionin në raport me kategorinë e vështirë të punëve. Kushtet për pension të kategorisë parë ishin për burrat-50 vjeç me 20 vjet punë, për gruan 45 vjeç me 15 vite punë. Për kategorinë e dytë, kushtet ishin për burrat 55 vjeç mosha dhe 25 vite punë, për gruan mosha 50 vjeç dhe vjetërsia 20 dhe për kategorinë e tretë të punëve, kushtet e përfitimit të pensionit – burrat 60 vjeç me 25 vite punë, gratë 55 vjeç dhe vjetërsi në punë 20 vite.
Gruaja, që sipas nenit 8 të Ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966, merr lejen e barrës (35 ose 45 ditë), por edhe pas kalimit të këtij afati nuk lind, duhet që deri sa të lindë të qëndrojë me leje pa të drejtë page .
Në zbatim të nenit 52, duke filluar nga 01.01.1967, për avokatët nuk do të pranoheshin paga më të larta se 1 100 lekë për ish-avokatët e grupit të parë, 1 000 lekë për ish-avokatët e grupit të dytë dhe 800 lekë për grupin e tretë. Kur personat e mësipërm, paraqisnin dokumentat për pension dhe kërkonin që t’u merrej parasysh paga për kohën që kishin qenë avokatë, në këtë rast duhej të paraqitnin vërtetim zyrtar, për efekt të kategorizimit të mësipërm. Ky kufizim bëhej sepse të ardhurat e ish-avokatëve nuk përputheshin me punën efektive të tyre. Kategorizimi i mësipërm u bë me rregulloren “Mbi mënyrën e dhënies së ndihmës juridike dhe shpërblimit të avokatëve” nga Këshilli Mbikqyrës i ish avokatisë.
Pensionet e patërhequra pas vdekjes së pensionistit merreshin nga trashgimtarët e tij, sipas rregullave të vendosura edhe për depozitat e kursimeve.  (Shënim: pensionet dhe arka e sigurimeve ishin bashkë, nga pikëpamja administrative).
Në praktikën e ekspertizës mjeksore të punës, ndodhte shpesh që në vendimet, pak kujdes i jepej rekomandimeve për punën që duhet të kryente invalidi. Mjaft vendime rekomandonin punë “të lehtë”, punë “pa lagështirë”, “punë ulur’ etj, të cilat vinin në një pozitë të vështirë ndërmarrjet për t`i vënë në jetë për arsye se siç kuptohet, terma të tilla steriotipë ishin shumë relativë. Punë e lehtë mund të jetë centralist për një person me frakturë në këmbë, por shumë e vështirë apo e pamundur për një invalid me pakësim të të dëgjuarit. Për një të sëmurë mendor mund të jetë shumë e vështirë, puna ulur si orëndreqës dhe përkundrazi e rekomanduar puna fizike qoftë kjo edhe me intensitet të madh etj etj
Ndryshimi i marrëdhënieve të punës në fshat, bëri të nevojshëm vendosjen e sigurimeve shoqërore në kooperativa. Në nenin 13 të Statutit tip të kooperativave bujqësore thuhej: “ Kooperativa bujqësore ka për detyrë të ndihmojë anëtarët që humbasin aftësitë për punë përkohësisht ose përgjithmonë, të sëmurë, pleqtë, fëmijët jetimë, si edhe familjet nevojtare”, cakton punë të lehta për gratë me barrë dhe ato me fëmijë, ndërsa 5 javë para dhe 7 javë pas lindjes, i lejon të mos marrin pjesë në punë, duke u shënuar për këtë kohë çdo muaj gjer në 80% të ditëve të punës që ato kanë kryer mesatarisht gjatë 12 muajve të fundit. Statuti tip i KB kishte parasysh krijimin e sigurimeve shoqërore, dhe fondet e nevojshme për këto parashikoheshin në nenin 27, në masën jo më shumë se 4 % e të ardhurave në të holla vjetore. Mjaft KB kishin krijuar sisteme të plota të sigurimeve shoqërore, psh. Në vitin 1966 KB Lumalasi Korçë vendosi këtë sistem sigurimesh shoqërore: 50% e të ardhurave mesatare ditore të nxjerra nga të ardhurat e muajit respektiv të vitit të kaluar. Pensioni i pleqërisë jepej kur burri mbushte moshën 65 vjeç dhe gruaja 55 vjeç, me kusht që të kishte mbi 10 vjet punë pa shkëputje nga kooperativa. Masa e pensionit ishte 50-70% e të ardhurave. Në këtë masë jepej edhe pensioni i invaliditetit. Pensioni familjar jepej në masën 70% të të ardhurave, derisa anëtarët e familjes të bëheshin të aftë për punë. Pensioni për persona pa ndihmë jepej sipas gjendjes ekonomike në masën 70 lekë, 100 lekë dhe 150 lekë.  Kooperativa në fjalë, sipas kushteve të saj, kishte vendosur në fakt afërsisht një sistem sigurimesh shoqërore. Po kështu, vepruan kooperativat bujqësore të qendrës Korçë, Himarë etj
Në vitin 1972, me Ligjin nr. 4976, u vendos një sistem sigurimesh për anëtarët e kooperativave bujqësore, duke iu parashikuar dhënie pensionesh pleqërie, invaliditeti, familjar dhe sigurime për lejen e barrës dhe të lindjes.  Kushtet për pension, sips këtij ligji, ishin për burrin, mosha 65 vjeç me 25 vite punë, për gruan mosha 55 vjeç dhe me 20 vjet vjetërsi në punë.
Organizimi i strukturës së organeve të sigurimeve shoqërore.
Sigurimet shoqërore shtetërore, që nga krijimi kanë patur organizime dhe riorganizime të vazhdueshme. Në fillim u krijuan si institut më vete në vartësi të Drejtorisë së Punës, më vonë u ndanë: sigurimet për paaftësi e ndihmat në Bashkimet Profesionale, pensionet në Drejtorinë e Kujdesit Social dhe më vonë në Ministrinë e Financave. Më pas, në vitin 1958 edhe pensionet i kaluan Bashkimeve Profesionale dhe në tetor të vitit 1965 i gjithë sistemi i sigurimeve shoqërore i kaloi Ministrisë së Financave dhe më vonë një nga funksionet e rëndësishme të sigurimeve shoqërore siç është ekspertiza mjeksore, i kaloi Ministrisë së Shëndetësisë. Kujdesi social për personat pa kujdestar, ndihma për nënat me shumë fëmijë, azilet e pleqve, shtëpitë dhe kampet e pushimit, të cilat përballoheshin nga fondet e sigurimeve shoqërore, ishin të shpërndara në institucione të ndryshme, nga pikëpamja e administrimit të përditshëm.
Përmirësimi i kushteve të punës dhe të jetesës, sigurimi teknik e mbrojtja në punë ishin ngushtësisht të lidhura me sigurimet shoqërore. Ishte hedhur ideja (1969) e riorganizimit të sigurimeve shoqërore në një institucion më vete, ku të përmblidheshin ekspertiza mjekësore e punës, inspektoriati shtetëror i sigurimit teknik dhe i mbrojtjes në punë, shtëpitë e pleqve dhe shtëpitë e pushimit.
Pjesa e dytë
Zhvillimet e sigurimeve shoqërore pas vitit 1993
Ndryshimi i sistemit politik, ekonomik dhe i marrëdhënieve shoqërore bëri të domosdoshëm rimodelimin e sistemit të mbrojtjes shoqërore sipas skemave bashkëkohore. Reformimi i sistemit të sigurimeve shoqerore është realizuar duke vendosur në themel të tij parimet e drejtësise sociale . Vendosja e parimit kontributiv nënkupton që për kontribute të barabarta të sigurohen përfitime të barabarta. Kriteret e përfitimit janë unike për të gjithë pjesëmarrësit në skemën e sigurimeve, kështu psh. mosha e daljes në pension është 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat dhe periudha e sigurimit është 35 vjet. Masa e pensionit të pleqërise përbëhet nga një nivel bazë përfitimesh për të gjithë shtetasit, që duhet të sigurojë minimumin jetik të domosdoshëm në shoqërinë tonë, dhe një shtesë që përcaktohet në lidhje me kontributet individuale.
Sistemi aktual i sigurimeve shoqërore në Shqipëri filloi në vitin 1993 , me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Skema aktuale e sigurimeve të detyrueshme shoqërore në Shqipëri është një skemë jo fitimprurëse, që mbron me të ardhura personat e punësuar në rast sëmundje, papunësie, barrëlindje, aksidenti në punë/sëmundje profesionale, pleqërie, invaliditeti apo humbje të mbajtësit të familjes dhe personat e tjerë ekonomikisht aktivë (të vetëpunësuarit dhe punëdhënësit) në rast barrëlindje, pleqërie, invaliditeti dhe humbje të mbajtësit të familjes. Skema e sigurimeve të detyrueshme shoqërore në Shqipëri është një skemë e bazuar në parimin “pay-as-you go”, në parimin e përgjegjësisë individuale për risqet sociale të së ardhmes dhe në parimin e solidaritetit midis brezave. Kjo është një skemë e financuar nga kontributet e punëdhënësve, të punësuarve dhe të vetëpunësuarve. Pagesat e përfitimeve garantohen me një shumë, që mbulon së paku standartin minimal të jetesës, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Mbulimi fillon ditën që personi fillon ligjërisht aktivitetin ekonomik dhe mbaron ditën që përfundon ky aktivitet. Kontributet mblidhen nga organet e tatim-taksave. Përfitimet paguhen nga zyrat postare dhe nga bankat.
Për administrimin e skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore, në Qershor të vitit 1992, me Vendim të Këshillit të Ministrave u krijua Instituti i Sigurimeve Shoqërore , i drejtuar nga një Këshill Administrativ tripalësh, me përfaqësues të Qeverisë,  të punëmarrësve dhe punëdhënësve.
Ndryshimi i marrëdhënieve ekonomike solli si pasojë edhe ndryshimin e strukturës sociale të shoqërisë sonë. Sistemi i ri i sigurimeve shoqërore reflektoi këto ndryshime, duke parashikuar skema të panjohura më parë si sigurimi vullnetar, suplementar apo krijimin e instituteve private të pensioneve.
Ekzistenca e skemës vullnetare lidhet me rastet objektive, që një person mund të mos jetë në skemën e detyrueshme dhe për këtë shkak mund të lejohet pagesa vullnetare e kontributeve, të vlefshme për përfitime nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore.
U vendos sigurimi suplementar, me synim përfitimin e pensioneve në një masë më të madhe ose më parë se sa ofron skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror. Baza ligjore e skemave suplementare të sigurimit është neni 4, i Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Mbështetur në këtë nen dolën tre ligje që trajtojnë skemat suplementare për tre subjekte të veçanta, për nëpunësit civilë dhe personat që kryejnë funksione kushtetuese, për ushtarakët dhe për privatët. Konkretisht,  Ligji  nr. 7943, datë 01.06.1995 “Për pensionet suplementare dhe institutet private të pensioneve”, Ligji nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërise, Ligji nr. 8097, datë 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë  funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”.
Sistemi i përgjithshëm aktual i sigurimeve shoqërore përbëhet nga sigurimi i detyrueshëm, vullnetar, suplementar dhe nga pensionet shtetërore të posaçme.
Sigurimi i detyrueshëm shoqëror
Financimi i skemës bëhet nga kontributet për sigurime shoqërore. Personat e detyruar të sigurohen:
•Të punësuarit, për: sëmundje, barrëlindje, pleqëri, invaliditet dhe humbje të mbajtësit të familjes, aksidente në punë dhe sëmundje profesionale, papunësi;
•Punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit janë të detyruar të sigurohen për: barrëlindje, pensione pleqërie, invaliditeti e familjar.
Përfitimet nga skema e sigurimeve shoqërore janë përfitime për sëmundje, barrëlindje, aksidente në punë dhe sëmundje profesionale,  papunësi, pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjare. E drejta e pensionit nuk parashkruhet. Nëse personi e kërkon pensionin pas një viti nga data që i ka lindur e drejta, ai do ta marrë pensionin nga data e kërkesës dhe jo nga data e lindjes së të drejtës. Kërkesat për përfitime nga sigurimet shoqërore bëhen në organet e sigurimeve shoqërore të vendit të punës për personat e punësuar dhe vendi i banimit për të gjithë personat e tjerë. Kërkesat për përfitimin e papunësisë bëhen në zyrat e punës, sipas qendrës së punës ose vendbanimit. Ankimi kundër vendimit të përfitimit bëhet në dy nivele, së pari tek organi që ka nxjerrë vendimin e më pas ankimi bëhet tek organi epror, përfundimisht ankimi bëhet në gjykatë, nga e cila çështja zgjidhet përfundimisht.
Sigurimi shoqëror suplementar
Për personat që ushtrojnë funksione ose detyra të veçanta kushtetuese, për  punonjësit e shtetit, për ushtarakët që shërbejnë në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ato të  Shërbimit Informativ të Shtetit, bëhet sipas kritereve të caktuara me ligje të veçanta. Ndërsa për sigurimin suplementar të punonjësve në sektorin privat, organi i ngarkuar nga Këshilli i Ministrave ka të drejtë të autorizojë çdo person juridik, për të dhënë pension suplementar në kushtet e caktuara me ligj të veçantë.
Skema e sigurimit vullnetar
Baza ligjore për sigurimin vullnetar është neni 3, 11 dhe 12 i ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar). Sigurimi vullnetar bëhet në kushtet e përcaktuara nga Rregullorja e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sigurimi vullnetar është sigurimi i realizuar në bazë të një marrëveshjeje midis ISSH-së dhe personit që aplikon për sigurim vullnetar ose një personi të tretë, i autorizuar me prokurë prej tij. Nuk lejohet sigurimi vullnetar pas lindjes së të drejtës për përfitim nga skema e sigurimit të detyrueshëm. Periudha e sigurimit vullnetar përcaktohet në marrëveshje midis personit që aplikon dhe ISSH-së. Të vetëpunësuarit në bujqësi që përfitojnë nga mbështetja nëpërmjet buxhetit të shtetit, që subvencionon pagesat e kontributeve të tyre, nuk kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht.
Përfitimet. Në marrëveshjen, që nënshkruhet midis personit të interesuar dhe ISSH-së, përcaktohet edhe dega e sigurimit për të cilën bëhet pagesa e kontributeve vullnetare.
Pensionet shtetërore të posaçme
Baza ligjore për pensionet e posaçme shtetërore është neni 5, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërise” (i ndryshuar). Kushtet e përfitimit, shuma dhe procedura për dhënien e pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore përcaktohen nga Këshilli i Ministrave . Pension të posaçëm shtetëror ose shtesë pensioni të posaçëm shtetëror përfitojnë personat që: kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, lëvizjet popullore, luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit e ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë dhe në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta, kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës, kanë vuajtur nga persekutimi politik në regjimin komunist. Instituti i Sigurimeve Shoqërore administron pensionet e posaçme shtetërore dhe shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore. Në buxhetin e sigurimeve shoqërore, çdo vit, parashikohen fonde për 10-15 pensione të posaçme shtetërore ose shtesa pensionesh të posaçme shtetërore. Shpenzimet për administrimin dhe pagesën e këtyre pensioneve përballohen nga buxheti i shtetit.
Sigurimi shoqëror për të huajt dhe shqiptarët jashtë vendit
Dihet se ligjet e një shteti kanë fuqi brenda territorit të tij. Por kjo nuk përjashton shtetin nga detyrimi për t`u kujdesur për shtetasit e vet, edhe kur ata jetojnë e banojnë jashtë tij. Sipas Kushtetutës, Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet. Shprehje e qartë e këtij detyrimi kushtetues është ligji për emigracionin, e në vijim të kësaj ideje vjen edhe legjislacioni në fuqi i sigurimeve shoqërore, që u jep mbrojtje edhe shtetasve shqiptarë që punojnë jashtë shtetit. Emigrantët shqiptarë mund të sigurohen vullnetarisht në skemën shqiptare të sigurimeve shoqërore.
Ndërsa, kontributet që shqiptarët paguajnë në shtetin ku punojnë, do të konsiderohen të vlefshme për efekt përfitimesh në atë shtet ose në Shqipëri, sipas marrëveshjeve bilaterale.
Në Organizatën Botërore të Punës (ILO-International Labour Organization), Shqipëria ka qenë anëtare që në vitin 1921, më pas është larguar në vitin 1960, duke u rikthyer në vitin 1991.
Shqipëria është bërë anëtare e Këshillit të Europës që në vitin 1995.
Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në në vitin 2006.  Përsa i takon Bashkimit Europian, dihet se që nga momenti i anëtarësimit në BE, lind detyrimi për zbatimin e drejtpërdrejtë të legjislacionit të BE-së, për më tej ky legjislacion ka përparësi ndaj atij vendas. Kjo vlen edhe për fushën e sigurimeve shoqërore.
Pjesa e tretë
Amendamentet e ligjit të sigurimeve shoqërore në vite
Përafrimi i legjislacionit gjithnjë e më shumë me standartet europiane e më gjerë ka sjellë përmirësime në vite në drejtim të zgjerimit të rrethit të personave të mbrojtur, rritjes së nivelit të përfitimeve, shtimit të llojeve të përfitimeve, afrimit të kushteve ligjore për përfitim me ato që parashikojnë standartet bashkëkohore. Përpjekjet në vite kanë tentuar ruajtjen dhe rritjen e standarteve përmes harmonizimit të legjislacionit në kuadër të instrumentave ligjorë si Karta Sociale Evropiane (R) ,  Konventa e ILO-s nr.102, e vitit 1952, për standartet minimale të sigurisë sociale si dhe përmes koordinimit të skemës së sigurimeve shoqërore me anë të marrëveshjeve dypalëshe me vende të tjera.
Ligji nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore” ka pësuar disa ndryshime në vite.
Në vitin 1995, u bënë ndryshimet e para në ligjin e sigurimeve shoqërore. Këto ndryshime konsistonin në:
•Forcimin e kompetencave të inspektorëve të kontributeve, duke iu dhënë e drejta e kontrollit tek personat juridikë e fizikë, të masës së kontributit të derdhur, fondit të pagave dhe listëpagesave;
•Sanksionet për mospagesë të kontributeve, u ndanë veç nga kamatëvonesat dhe gjobat si edhe ndryshoi masa e gjobës;
•U zgjat nga 1 muaj në një vit, periudha brenda të cilës personi edhe pse kishte ndërprerë punën, konsiderohej i siguruar për efekt pensioni familjar;
•U parashikua në ligj se, për periudhën e tranzicionit, pensionistët e punësuar ose të vetëpunësuar në sektorin privat mund të marrin edhe pensionin krahas të ardhurave nga puna;
Në vitin 1998, ndryshimet në ligj konsistuan:
•Në fushën e kontributeve, akt-detyrimi për kontributet e papaguara konsiderohet titull ekzekutiv;
•Në fushën e përfitimeve, e drejta e marrjes së kësteve të patërhequra shtyhet nga 1 vit deri në 3 vjet;
•Një skemë e re pensioni për fermerët. Nëse brenda një afati të caktuar, fermerët paguajnë kontribute për periudha të kaluara, atëhere ju falen kamatëvonesat. Nëse, gjysmën e periudhës së sigurimit të kërkuar në vitin përkatës e kanë pagesë kontribuesh sipas ligjit të ri, plus periudhë pune në ish-kooperativën bujqësore, atëhere ata përfitojnë pension qyteti.
Në vitin 2001, amendamentet në ligj kishin të bënin me aspektin e kontributeve. Riformulohen nenet për detyrimet e punëdhënësit, procedurat e regjistrimit në sigurimet shoqërore. Tek sanksionet (gjoba e kamatëvonesa), për shkelje nga ana e subjekteve bëhet diferencim midis subjekteve që regjistrohen në organet e sigurimeve shoqërore me ata që konstatohen të tillë gjatë kontrolleve, masat e gjobave ndryshojnë dhe detajohen edhe me shumë llojet e shkeljeve që mund të bëjnë punëdhënësit apo të vetëpunësuarit, si mbajtja nga paga e kontributeve dhe mospagimi i tyre etj. Në fushën e përfitimeve, përcaktohet se kur punësohesh dhe ndërpret pensionin, në rastin e rikthimit në pension do të përfitohet një shtesë pensioni. Për pensionin familjar, kur pjesëtar është vetëm jetimi, masa e pensionit nga 25 % bëhet 50 % .
Në vitin 2002, u realizuan këto ndryshime në legjislacion:
Së pari, u rrit raporti midis pagës minimale dhe maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve për sigurime shoqërore, nga 1/3 në 1/5.
Së dyti, u ul në masën 4  %  kontributi për sigurimet shoqërore.
Së treti, u rritën në mënyre graduale moshat e daljes në pension pleqërie, për burrat e gratë.
Në vitin 2003, ndodhën këto ndryshime në ligj:
•U bënë amendimet përkatëse që pasqyronin transferimin e shërbimit të mbledhjes së kontributeve nga organet e sigurimeve shoqërore tek organet e tatim taksave;
•U bënë ndryshimet përkatëse në ligjin për pensionet suplementare private për futjen e fondeve profesionale të pensioneve.
Në vitin 2005, amendamentet në ligjin e sigurimeve shoqërore synonin përqasje të legjislacionit shqiptar me standartet e Evropiane, Kodi Europian i Sigurimeve Sociale  dhe Konventa e ILO-s për sigurimet shoqërore.
Përsa i takon periudhës minimale për përfitim të pensionit të pjesshëm të pleqërisë (nga 20 vjet u bë 15 vjet) dhe pensionit të invaliditetit (kur nuk plotësohet periudha e kërkuar për pension invaliditeti të plotë ose të pjesshëm, të merret një pension, i cili është në raport me periudhën e sigurimit që ka personi).
Trajtim reciprok për sigurime shoqërore për të huajt (nëse punojnë në Shqipëri detyrohen të sigurohen në skemën shqiptare të sigurimeve, më parë kishin të drejtë të zgjidhnin mbrojtjen më të favorshme). Pra, u hoq favorizimi për zgjedhjen e legjislacionit më të favorshëm të sigurimeve për të huajt që punojnë në Shqipëri, ata sigurohen në mënyrë të detyrueshme.
Përfshihen në rrethin e personave të mbrojtur në skemën shqiptare të sigurimeve edhe personat pa shtetësi, detyrim që buron nga konventat dhe nga Kushtetuta.
Ofrohet mbrojtje nga skema shqiptare e sigurimeve edhe për personat që punojnë jasht shtetit, që janë pa shtetësi, por kanë patur shtetësi shqiptare.
E drejta për informim, sanksionohet me ligj.
Futet një lloj i ri pensioni invaliditeti, për ata që nuk plotësojnë periudhën minimale, duke marrë pension në raport me kohën e sigurimit që kanë realizuar, pension invaliditeti i reduktuar.
Për përfitimin e pagesës së papunësisë, shtohen kushte si: të jenë të gatshëm të punësohen, kur i ofrohet një punë e paguar, e përshtatshme, në kuadër të përkufizimeve të konventave ndërkombëtare në këtë fushë.
Në vitin 2006 u bë reduktimi i mëtejshëm i normës së kontributit, e cila vazhdonte të mbetej e lartë. ISSH-ja që nga ky vit e aktualisht është institucion që ka Ministri të linjës Ministrinë e Financave (më parë ishte Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta).
Në vitin 2007, u përcaktua shuma që duhet të kthejë personi, kur ai ka përfituar të ardhura në mënyrë të paligjshme:kështu ai detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, duke ju mbajtur çdo muaj 50% e këstit mujor të përftimit. Gjithashtu, dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të kodit penal.
Në vitin 2009, u bë reduktimi i mëtejshëm i normës së kontributit, pjesa e punëdhënësit.
Në vitin 2011, duke marrë shkas nga çështja Dauti kundër Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Strasburg, u ndryshua ligji i sigurimeve shoqërore, lidhur me mënyrën e konstituimit të KMCAP-ve, me qëllim sigurimin e pavarësisë në vendimarrje të Komisioneve Eprore të Caktimit të Aftësisë për Punë.

BIBLIOGRAFI

[1]Tomes, Igor “E drejta e sigurimit social”, Tiranë1997.
[2] Prof.Asoc.Dr.Merita (Vaso) Xhumari “Trajektoret e Pensioneve në Ballkanin Perëndimor”, faqe 33
[3] Prof.Asoc.Dr.Merita (Vaso) Xhumari “Trajektoret e Pensioneve në Ballkanin Perëndimor”, faqe 212
[4] Prof.Asoc.Dr.Merita (Vaso) Xhumari “Trajektoret e Pensioneve në Ballkanin Perëndimor”, faqe 33
[5] Ligj  me 60 nene dhe i botuar nw Fletoren Zyrtare 8.11.1927, nr.91
[6]  Neni 31, paragrafi  2, i ligjit nr.129, datë 28.10.1927
[7] Prof.Asoc.Dr.Merita (Vaso) Xhumari “Trajektoret e Pensioneve në Ballkanin Perëndimor”, faqe 33
[8] F.Sinoimeri, V.Mitrushi, N.Canko “Lindja dhe zhvillimi i sigurimeve shoqërore”, Temë e referuar më 25.9.1969 në sesionin shkencor të Ministrisë së Financave, botuar në buletin e sigurimeve shoqërore, faqe 4
[9]  Neni 150, i dekretit nr.165, datë 5.3.1963, dhe neni 163 i  ligjit nr.2803, datë 4.12.1958
[10] Ky ligj ka pësuar ndryshime  me dekretet nr.4684/1970, nr.4980/1972, nr.5220/1974, nr5314/1975, nr.5357/1975, nr.5414/1976, nr.6076/1976, nr.6343/1981, nr.6725/1983
[11] Neni 1, i ligjit nr.4171, datë 13.9.1966.
[12] Nesim Canko, Skënder Barhani “Mbi sqarimin e disa çështjeve që dalin lidhur me zbatimin e ligjës së sigurimeve shoqërore”, Buletin i sigurimeve shoqërore, viti 1969, faqe 15.
[13] Nesim Canko, Skënder Barhani “Mbi sqarimin e disa çështjeve që dalin lidhur me zbatimin e ligjës së sigurimeve shoqërore”, Buletin i sigurimeve shoqërore, viti 1969, faqe 26
[14] Nesim Canko, Skënder Barhani “Mbi sqarimin e disa çështjeve që dalin lidhur me zbatimin e ligjës së sigurimeve shoqërore”, Buletin i sigurimeve shoqërore, viti 1969, faqe 30
[15] Dr.Raif Hasani “Përcaktimi dhe klasifikimi i faktorëve profesinalë, në ekspertizën mjeksore të punës, tek të sëmurët me sëmundje të brendshme, Buletin i sigurimeve shoqërore, viti 1969, faqe 35.
[16] Ligji nr.4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore”,  ka pësuar disa ndryshime me dekretet nr.5032/1973, nr.5221/1974, nr.5415/1976, nr.5730/1978, nr.6343/1981, nr.6726/1983
[17]  F.Sinoimeri, V.Mitrushi, N.Canko “Lindja dhe zhvillimi i sigurimeve shoqërore”, Temë e referuar më 25.9.1969 në sesionin shkencor të Ministrisë së Financave, botuar në buletin e sigurimeve shoqërore, faqe 25
[18]Për më shumë informacion shih Pjesa II “Sistemi Social Shqiptar ne vitet e tranzicionit”, Xhumari (Vaso) Merita “Proçesi dhe Institucionet e Politikës sociale”, Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë 2003.
[19] Hyrja në fuqi e ligjit daton më 1 Tetor 1993
[20] VKM nr.249, datë 5.6.1992 “Për krijimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore”
[21]Aktualisht në fuqi VKM nr.429, datë 12.9.2002
[22]Shqipëria i ka ratifikuar këto dy instrumenta, respektivisht me ligjin nr.8960, datë24.10.2002 “Për ratifikimin e Kartës Sociale Europiane, tëndryshuar” dhe me ligjin nr.9442, datë 16.11.2005 ka ratifikiuar Konventën e IlOs “Mbi standartet Minimale të Sigurimeve Shoqërore” nr.102”.
[23]Shqipëria ka patur dy  marrëveshje tëvjetra tësigurimeve shoqërore tëviteve `50 e `60, me Rumaninëe Bullgarinë. Shqipëria ka një Marrëveshje me Turqinë, ratifikuar me ligjin nr.9066, datë15.5.2003 «Për ratifikimin e Marrëveshjes midis QeverisësëRepublikës sëShqipërisë dhe Qeverisë së Republikës sëTurqisë “Për Mbrojtjen Shoqërore”». Shqipëria ka përfunduar negociatat dhe është në procedurë negociatash me disa shtete për realizimin e marrëveshjeve për mbrojtjen shoqërore, ku përfshihet edhe fusha e sigurimeve shoqërore.
[24]Ligjet me të cilat është ndryshuar ligji nr.7703, datë 11.5.1993 janë: nr.7932, datë 17.5.1995, nr.8286, datë 16.2.1998, nr.8392, datë 2.9.1998, nr.8575, datë  3.2.2000, nr.8776,  datë  26.4.2001, nr.8852, datë  27.12.2001, nr.8889, datë 25.4.2002, nr.9058, datë 20.3.2003, nr. 9114, datë 24.7.2003, nr. 9377, datë  21.4.2005, nr. 9498, datë 3.4.2006, nr. 9600, datë  27.7.2006, nr. 9708, datë 5.4.2007, nr. 9768, datë 9.7.2007, nr. 10070, datë 5.2.2009, nr. 10447,datë 14.7.2011