Nga Zt. Astrit Hado, Nëndrejtor i Përgjithshëm, ISSH

I nderuar z. Ministër,
Të nderuar pjesëmarrës,
Po ta thjeshtojmë një formulim të misionit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, do të thonim se, detyrimi i  sigurimeve shoqërore është që të ofrojë garanci për të gjithë personat

pjesëmarrës në skemë. Ky detyrim rrjedh nga fakti i premtimit të bërë në momentin kur i siguruari paguan kontributin e sigurimit shoqëror në skemë. Pagesa e kontributit do të thotë që nga ana e sigurimeve shoqërore lind detyrimi ligjor për të paguar përfitime në momentin që mbush moshën dhe kushtet e daljes në pension, por edhe në të gjitha rastet e paaftësitë, e barrëlindjeve apo e humbjes së jetës, kur përfitojnë familjarët.
Me kontributet e paguara ndër të tjera mbrohesh për tri lloje pensionesh: pleqëri, familjar dhe invaliditeti. Qytetarët paguajnë kontribute për gjithë vitet e punës së tyre përgjatë jetës për të përfituar një pagesë mujore në formën e pensionit gjatë kohës së pleqërisë ose paaftësisë fizike dhe mendore. E thënë ndryshe, qytetarët kursejnë një pjesë të të ardhurave të  tyre për t’i konsumuar në momentet kur nuk mund të punojnë dhe krijojnë të ardhura. Këto kursime, me ligj, janë të detyrueshme dhe administrohen nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore (FSSH). Janë këto kontribute të mbledhura që shërbejnë për të paguar përfitimet që jep skema. Në skemat që funsionojnë sipas parimit “pay as you go”, parim sipas të cilës funksionon edhe skema jonë, përfitimet korente paguhen nga kontributet që mblidhen po në atë periudhë. Në këtë kontekst mbledhja e kontributeve është e  një rëndësie të veçantë. Për të patur një sistem të qëndrueshëm nga ana financiare duhet që të  ardhurat nga kontributet të jenë të paktën të barabarta me shpenzimet për përfitimet. Faktorët që ndikojnë në sasinë e të ardhurave nga kontributet janë numri i kontribuesve, paga mbi të cilën llogariten dhe paguhen kontributet si dhe norma kontributive. Numri i kontributesve varet nga fuqia punëtore, niveli i punësimit dhe papunësisë, shkalla e emigracionit, si dhe niveli i ekonomisë informale. Si rezultat I zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së cilësisë së administrimit të kontributeve numri i kontribuesve ndër vite është në rritje, por përsëri larg numrit që duhet për të patur një normë varësie të sistemit, të kënaqshëm. Një problem i madh dhe i pazgjidhur ende është mbledhja e kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi, i cili ligjërisht është i  detyrueshëm, por për rrethanat e fshatit shqiptar realisht trajtohet si procedurë e sigurimit vullnetar. Skema e sigurimeve shoqërore shqiptare duke qënë se një numër i konsiderueshme i popullsisë  jeton në fshat, e vuan mospjesëmarrjen në skemë të kësaj kategorie të vetëpunësuarish. Nga ana tjetër pensionistët e fshatit vazhdojnë të përfitojnë pensionet e tyre, pavarësisht nga numri i kontribuesve fermerë. Edhe niveli i pagave mbi të cilën paguhen kontributet është rritur nga viti në vit, gjë e cila ka ndikuar në rritjen e të ardhurave nga kontributet.
Ulja e normës kontributive e realizuar gjatë këtyre viteve, dhe në veçanti në këto vitet e fundit, ka krijuar premisa për rritjen e numrit të kontribuesve dhe reduktimin e ekonomisë informale dhe asaj gri. Shqipëria renditet sot si një nga vendet me taksën e punës më të ulët në rajon dhe Europë, gjë e cila krijon përveç uljes së barrës fiskale për punëdhënësit edhe formalizimin e marrëdhënieve të punës dhe rritjen e numrit dhe të të ardhurave nga kontributet. Ecuria e numrit të kontributeve dhe të ardhurave në vitet e fundit paraqitet si më poshtë:

2005          2006          2007          2008         2009          2010         2011
Të ardh. nga kontr.   33 628       36 025      37 664       42 795      44 245       45020      47 884
Nr. i kontr.               865 264     733 685     861 061     739 773    684 585    651 779     692 110

Shënim: Të ardhurat janë në milionë lekë dhe numri i kontribuesve ka luhatje nga viti në vit, si rezultat e faljes së kamatvonesave për të vetëpunësuarit në bujqësi.
Vlen të theksojmë se kemi dy rrugë të lëvizjes së kontributeve, njëra ka të bëjë më rrugën e lëvizjes së parave dhe tjetra e lëvizjes së informacionit. Ndërsa lëvizja e parave është më e mirëpërcaktuar dhe lehtësisht e kontrollueshme, lëvizja e informacionit është më e vështirë dhe me një rëndësi jetike. Të gjitha përfitimet që ofron sistemi i sigurimeve shoqërore llogariten mbi bazën e periudhave të sigurimeve (periudhat kur janë paguar kontributet), sasia e kontributeve të paguara, si dhe pagave mbi të cilat janë paguar këto kontribute. Mungesa e këtij informacioni bën të vështirë për të mos thënë të pamundur llogaritjen dhe pagimin e përfitimeve ndaj qytetarëve në kohën dhe në masën e duhur.
Aktualisht në sistemin e sigurimeve shoqërore llogaritja e përfitimeve realizohet  duke përdorur informacionin e ardhur nga  punëdhënësit dhe organet tatimore në formë shkresore (letër), informacion i cili është shumë i vështirë për t’u përpunuar, shumë i vështirë për t’u ruajtur sipas standarteve dhe lehtësisht i manipulueshëm. Nga ana tjetër, duke patur parasysh sasinë e madhe të informacionit në letër, është shumë i vështirë kontrolli i saktësisë së informacionit, si dhe ka një mungesë të konsiderueshme  të listëpagesave, që janë dokumentacioni bazë I cili ofron informacionin e duhur për këtë proces.
Megjithë ndryshimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në fillim të viteve 90, duke iu përshtatur ndryshimeve ekonomike dhe politike që ndodhen, e drejta për pension është e sanksionuar në ligj dhe të dhënat që përdoren për caktimin e pensionit janë në dokumentacionin e krijuar në sistemin e kaluar. Dokumentacioni i vjetërsisë në punë për shumë arsye është i plotësuar jo saktë, nuk është i ruajtur sipas parametrave të përcaktuar dhe i vështirë për t’u përdorur. Të gjitha këto bëjnë të domosdoshme krijimin e llogarive personale për çdo kontribues, pavarësisht nga periudha dhe ndërrmarrja ku ka punuar. Mënyra e mbajtjes së informacionit në letër nuk e lejon një gjë të tillë dhe i vetmi opsion është dixhitalizimi i informacionit të sigurimeve shoqërore, si dhe automatizimi i proceseve të punës. Ky automatizim dhe dixhitalizim të dhënash kërkon ndërtimin e një sistemi informacioni dhe komunikimi modern dhe lehtësisht të përdorshëm. Nisur nga domosdoshmëria për këtë sistem, ISSH, me mbështetjen e madhe të qeverisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtare, ka hartuar një strategji për informatizimin e gjithë sistemit dhe është në fazën e implementimit të saj. Kjo stategji konsiston në:
1.Dixhitalizimin e gjithë informacionit gjendje  që është në letër për kontribuesit dhe pensionistët;
2.Automatizimin e proceseve të llogaritjes së përfitimeve, që ofron sistemi i sigurimeve shoqërore;
3.Informatizimin  e sistemit financiar të sigurimeve shoqërore;
4.Informatizimin e sistemit të pagesave të përfitimeve;
5.Informatizimin e sistemit të menaxhimit të kontributeve.
Sistemi informatik është dizenjuar në mënyrë të tillë që të jetë një sistem i qendërzuar dhe i integruar midis platformave të ndryshme, si dhe me sistemet e tjera të agjencive qeveritare si gjendja civile, bankat, thesari, agjentet pagues, QKR, etj. Ky sistem është projektuar si dy sisteme të integruar: njëri sistem i arkivës dixhitale dhe tjetri sistem i informatizuar i aktivitetit të ISSH-së, që konsiston në llogaritjen dhe pagimin e të drejtave të konstatuara dhe atyre që lindin çdo ditë. Të gjitha platformat janë të integruara me njëra-tjetrën dhe funksionojnë të lidhura mes tyre. Psh. softi i llogaritjes së përfitimeve funksionon me të dhënat dixhitale që furnizohen nga arkiva dixhitale ose sistemi i pagesave është i lidhur me softin e kalkulimeve automatike të pensioneve dhe sistemit financiar. Ky sistem është projektuar në bashkëpunim me ekspertë të Bankës Botërore, duke patur parasysh teknologjinë më të fundit dhe specifikat e sistemit shqiptar. Gjithashtu, ky sistem është projektuar sipas standarteve të Bashkimit Europian në fushën e koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve për sigurimet shoqërore. Aktualisht ka përfunduar dhe është në fazën e testimit softi për llogaritjen e përfitimeve dhe infrastrukturës harduerike për sistemin e informacionit të ISSH-së. Ka përfunduar dhe po testohet sistemi financiar me të gjithë komponentët e tij, si dhe softi për menaxhimin e kontributeve për të gjitha kategoritë e kontribuesve urbanë, fermerë, vullnetare. Është në proces zhvillimi i sistemit të informacionit të arkivës kombëtare dixhitale dhe infrastrukturës harduerike për këtë sistem si server, storage, network etj. Përfundimi i këtij projekti do të bëjë të mundur:
1.Rritjen e transparencës ndaj publikut në lidhje me kontributet e paguara. Qytetarët do të kenë akses të shohin dhe të konsultojnë llogarinë e tyre personale përsa i përket kontributeve të paguara në kohë reale, edhe nga kompjuteri i shtëpisë së tyre. Përveç rritjes së transparencës do të shmangen burokracitë në pajisjen e kontribuesve me dokumentat dhe vërtetimet përkatëse për kontributet e paguara, dhe do të rritet presioni ndaj punëdhënësve për deklarimin real të numrit dhe pages;
2.Shkurtimin e kohës së caktimit dhe llogaritjes së përfitimeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve. Duke automatizuar këtë proces koha e caktimit të kësaj të drejte dhe  llogaritja e masës së saj do të realizohen në kohë shumë të shkurtër, duke shmangur vonesat që  ndodhin sot;
3.Shmangien e burokracisë në numrin dhe saktësinë e dokumentave për caktimin e përfitimeve. Të gjitha dokumentat që qytetarët sjellin sot për të përfituar do të jenë të dixhitalizuara (imazhe dhe dixhite) dhe nuk do të jetë nevoja që një qytetar të vrapojë për t’I mbledhur ato;
4.Pagimin online dhe kontrollin në kohë reale të pagesave të pensioneve dhe përfitimeve të tjera. Krjimi i bazës së të dhënave të pensioneve krijon mundësinë e hartimit të listëpagesave mujore dhe përdorimin e programeve përkatëse për evidentimin e saktë të pagesave në kohë reale. Kjo mënyrë pagese përveç rritjes së transparecës në pagimin e pensioneve, lejon realizimin e  kontrollit të pagesave në kohë reale;
5.Shmang informalitetin në fushën e pensioneve përsa i përket datëlindjeve, si rezultat i lidhjes me rregjistrin e shtetasve, mbivendosjet e periudhave të sigurimit si rezultat i grumbullimit të të gjithë informacionit në llogaritë individuale, dublimeve etj. Gjithashtu, ndjekja e debitorëve ndaj sistemit do të realizohet më saktë dhe në kohë;
6.Duke qenë se përfitimet do të llogariten nëpërmjet softit përkatës, do të realizohen praktikat për çdo përfitim;
7.Qendërzimi i informacionit, lidhja dhe komunikimi online me të gjithë database do të na lejojë të kemi statistika të sakta, të personalizuara në çdo moment. Kjo saktësi do të rrisë besueshmerinë e statistikave të sigurimeve shoqërore dhe këto statistika do të ndihmojnë për parashikime të sakta dhe planifikime të shpenzimeve;
8.Automatizimi i caktimit dhe llogaritjes së pensioneve do të  bëjë të mundur kontabilizimin automatik të tyre në sistemin financiar. E njejta gjë do të realizohet gjatë pagimit online të pensioneve, duke rritur mirëadministrimin e financave të sigurimve shoqërore dhe kontrollin e transfertave në drejtim të agjentëve pagues. Nga ana tjetër deklarimi online i kontributeve bën të mundur kontabilizimin  e të ardhurave nga kontributet në kohë të shkurtër dhe ndihmon në  menaxhimin e parave dhe lëvizjes së tyre. Ky sistem do të përmirësojë planifikimin e cash floë për çdo ditë dhe shmangien e pasigurive të ndryshme që mund  të ndodhin;
9.Funksionimi i një sistemi të tillë do të rrisë besueshmërinë e partnerëve të huaj në lidhje me sistemin dhe administrimin e tij. Kjo besueshmëri do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes sociale dhe totalizimit të periudhave të sigurimit;
10.Ndryshimin e kulturës së organizatës, mentalitetit dhe vendosja në qendër të vëmëndjes së klientit. Automatizimi i proceseve të punës do të reduktojë rëndësinë, shpesh subjektive, të punonjësve të sigurimeve shoqërore dhe dhënien e mundësisë për një ngritje profesionale.
Realizimi me sukses i kësaj strategjie është sfidë institucionale në të gjitha drejtimet, pasi është një rrugë e pashkelur më parë, duke patur parasysh specifikat e sistemit shqiptar të sigurimeve shoqërore. Sfidë më vete është edhe ndryshimi i mentalitetit të punonjësve të sigurimeve shoqërore, por edhe e publikut, për të qënë suportivë në funksionimin normal të tij.
Një sfidë tjetër është trajnimi i personelit për këto programe të reja dhe kostot e mirëmbajtjes dhe sigurisë së sistemit, për të cilat ne do të vijojmë bashkëpunimin me të gjithë partnerët, duke e përgatitur ISSH-në për të qenë e gatshme të komunikojë me homologët e saj jo vetëm në Europë, por në mbarë vendet, ku ka bashkëatdhetarë.
Duke përfituar nga ky eveniment do të doja të falenderoja të gjithë ata që kanë kontribuar në përmirësimin e punës së përditshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke na bërë ne më të besueshëm dhe më të afërt për çdo qytetar shqiptar.