I nderuar Zoti Ministër
Të nderuar kolegë
Më lejoni të bashkëndaj me Ju sot rezultatet e punës së ISSH-së për vitin 2013. Puna e bërë gjatë vitit 2013 ka qenë shumë e madhe dhe padyshim është fokusuar në shërbimin cilësor ndaj publikut, informatizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore, realizimin e të ardhurave të planifikuara, si dhe pastriminn e skemës nga përfitimet e pamerituara.
Gjatë vitit që lamë pas, një nga arritjet më të mëdha të institucionit tonë është përfundimi i Arkivës qëndrore të sistemit dhe vënia në funksion të plotë të saj. Ashtu siç edhe ju vetë e konstatuat, kjo arkivë është moderne, e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për të garantuar një ruajtje cilësore të dokumentacionit dhe një përdorim sa më efikas të tij. Vlera e kësaj arkive si ndërtesë dhe pajisje është rreth 5.5 milionë USD dhe është një financim i Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore, në kuadër të kredisë dhënë për modernizimin e sigurimeve shoqërore. Ajo është e pajisur me një infrastrukturë informatike të fjalës së fundit si në pajisje ashtu edhe në programe, një sistem të ruajtjes konstant të temperaturës dhe lagështirës së kërkuar sipas standarteve botërore për arkivimin e dokumentacionit në letër, me një sistem antizjarr me gaz shumë efikas dhe që në rast përdorimi nuk dëmton dokumentacionin, si dhe pajisje të reja zyre. Kjo arkivë nuk është unike dhe moderne vetëm për ambientet dhe pajisjet, por edhe për punën e madhe që është bërë gjatë vitit 2013 dhe që po vazhdon më tej. Arkiva nuk do të funksionojë vetëm si arkivë në letër, por edhe si arkivë dixhitale e të gjithë periudhave të punës dhe periudhave kontributive të të gjithë shqiptarëve. Ka nisur procesi i dixhitalizimit të të gjithë dokumentacionit duke krijuar kështu arkivën dixhitale dhe llogaritë personale të çdo pjesëmarrësi në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ky proces bazohet në skanimin e dokumentave, hedhjen e të dhënave në programim e krijuar, krijimin e llogarive individuale të kontributeve dhe shfrytëzimin e tyre për lidhjen e të gjithë përfitimeve që ISSH ofron. Me kënaqësi ndaj me ju faktin që përveç regjistrave të ditëve të punës të ish-KB, është dixhitalizuar edhe pjesa më e madhe e regjistrave të ish-ndërrmarrjeve shtetërore, deri në vitin 1994, dhe jemi në fazën e përgatitjes së dokumentacionit të kontributeve pas vitit 1994. Kjo gjë do të bëjë të mundur rritjen e transparencës ndaj çdo kontribuesi, shërbim të shpejtë dhe cilësor ndaj çdo qytetari, llogaritjen automatike të përfitimeve, mirëadministrimin e fondeve, si dhe do të jetë një mjet shumë efikas për studime të ndryshme që do të përdoren për reformat e mundshme në skemën e pensionit.
Por puna e ISSH-së gjatë vitit që analizojmë nuk është fokusuar vetëm në funksionimin e Arkivës, por edhe në informatizimin e të gjithë aktivitetit të sigurimeve shoqërore. Janë përfunduar dhe kanë filluar të implementohen edhe një sërë programesh të tjera informatike si hedhja e të dhënave të dosjeve të pensioneve ekzistues, pagesat online të pensioneve, një sistem financiar i informatizuar, programi i menaxhimit të kontributeve, si dhe implementimi i programit të llogaritjes automatike të përfitimeve. Gjithë të dhënat e arkivës dixhitale që përmenda më sipër do të përdoren për llogaritjen e përfitimeve në kohë rekord, duke përdorur softin e përgatitur për këtë qëllim. Një arritje për t’u veçuar është krijimi i Regjistrit Kombëtar elektronik të pensioneve dhe pagimi online i pensioneve. Dhe kam kënaqësinë të ndaj me ju, që sot gati të gjithë pensionet që paguhen në qendrat urbane, paguhen on line nëpërmjet këtij portali dhe regjistri të krijuar. Kjo mënyrë pagese ka bërë të mundur rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pensionistëve, ka rritur transparencën për masën e pensionit dhe kompensimeve që jepen nga qeveria, ka rritur kontrollin e pagesave dhe shmangien e abuzimeve në këtë fushë, kontroll më të mirë të cash floë dhe mirëadministrim të fondeve nën administrimin e ISSH-së.
Të gjitha sa shpreha më sipër janë në kuadër të strategjisë së informatizimit dhe automatizimit të veprimtarisë së ISSH të hartuar. Për realizimin e kësaj strategjie, këto sisteme janë interaktivë dhe të lidhur me sisteme të tjera të administratës publike, nëpërmjet rrjetit govnet si Gjendja Civile, Posta Shqiptare, Autoriteti tatimor etj. Të gjitha të dhënat që lidhen me gjeneralitetin e një personi merren online nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, duke garantuar cilësinë dhe saktësinë e të dhënave dhe kontrollin në kohë reale të tyre. Kjo lidhje dhe ky shkëmbim të dhënash ka bërë të mundur shmangien e pensioneve me datëlindje të ndryshuar, duke sjellë pastrimin e skemës nga pensionet e pamerituara ose të pagesave të dubluara. Kështu, vetëm nga hedhja e të dhënave të dosjeve të pensionit dhe kontrollit me RKGJC janë konstatuar rreth 1100 dosje me datëlindje të fallsifikuara si dhe rreth 120 raste me dublim pensionesh në rajone të ndryshme.
Për vitin 2013 janë realizuar të ardhurat në përgjegjësi të ISSH-së në masën 114.4% ose rreth 400 milionë më tepër se planifikimi. Të tre komponentët e të ardhurave si kontributet nga të vetëpunësuarit në bujqësi, kontributet vullnetare dhe të ardhurat e tjera janë tejkaluar. Në total të ardhurat për kontributet u realizuan në masën 51.452 milionë lekë ose 100.6% me një tejkalim prej 291 milionë lekë më shumë. Të ardhurat nën përgjegjësinë e tatimeve u realizuan në masën 99.6% dhe me nje dificit prej 206 milionë lekë;
Problematike vazhdon të mbetet mosdërgimi i listëpagesave nga autoritetet tatimore në kohë, problem që është përkeqësuar gjatë vitit 2013 me mosdërgimin e listëpagesave të deklaruara online. Kjo sjell vonesa në dhënien e përfitimeve dhe sorrollatje të qytetarëve.
Gjatë vitit 2013 janë transferuar në drejtim të buxheteve familjare 95.6 miliardë lekë si pagesa të pensioneve dhe përfitimeve të tjera që ISSH jep. Në total ISSH ka paguar përfitime për mbi 570.423 pensione pleqërie, invaliditeti, familjar, mbi 12 mijë përfitime për barrëlindje, 1145 përfitime afatshkurtra për sëmundje, 35 raste përfitimesh për aksidente në punë, mbi 31 mije pensione të parakohshme dhe suplementare, si dhe rreth 7269 invalidë lufte dhe veteranë.
Për vitin 2013 janë caktuar 36.049 pensione të reja. Krahasuar me vitin 2012 ky numër është 21.8% më i lartë ose 6.464 pensione më shumë. Gjithashtu, janë rishqyrtuar të gjithë dosjet e pensioneve të invaliditetit dhe familjar që arrijnë në rreth 120 mije dosje, janë rillogaritur pensionet e parakohshme të ish-ushtarakëve, në zbatim të ligjit nr. 10142 dhe rishqyrtimi i të gjithë dosjeve që arrijnë në mbi 11 mijë, si dhe rishqyrtime të dosjeve të pleqërisë, si rezultat i paraqitjes së dokumentave shtesë dhe kërkesave nga vetë pensionistët për masën e pensionit, shpesh herë të përsëritura këto kërkesa.
Shifrat e mësipërme tregojnë për një punë voluminoze të realizuar nga të gjithë punonjësit e ISSH-së në qendër dhe rajone.
Afatet e caktimit të pensioneve në shkallë vëndi janë më ulët se parashikimi ligjor prej 45 ditësh dhe më konkretisht është 39 ditë. Megjithatë, në këtë drejtim duhet bërë një punë më e madhe për caktimin e pensioneve në një kohë më të shkurtër. Përfundimi i dixhitalizimit të arkivës do të bëjë të mundur reduktimin në disa ditë të caktimit të pensioneve.
Problematike mbetet rritja e numrit të invaliditetit. Megjithëse ka faktorë objektivë si rritja e sëmundshmërisë, rritja e diagnostifikimit të popullatës, rritja e moshës së pensionit, në gjykimin tonë, numri i invaliditetit ka ritme të shpejta të rritjes. Kështu, në vitin 2013 numri i pensioneve të reja të invaliditetit ishte 7.076. Ndërsa rritja neto e numrit të invaliditetit në krahasim me 2012 është 4372 pensione (diferenca pensione të reja minus pensione të mbyllura). Një problem tjetër është që raporti pensione të plotë/pensione të pjesshme invaliditeti po rritet, çka tregon që subjektivizmi në caktimin e aftësisë për punë është i lartë. Nga ana jonë, janë ushtruar kontrolle të herëpashershme dhe janë marrë masa, por përsëri mbetet prioritet i punës tonë dhe ndoshta edhe ndryshime ligjore për të kufizuar trendin rritës. Nga kontrollet e ushtruara janë pezulluar 480 dosje invaliditeti.
Megjithë përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve, përsëri vërehet një performancë jo në nivelin e kërkuar. Përmirësimi i shërbimit ndaj klientit dhe rritja e performancës do të jenë prioritet i punës së ISSH-së për vitin 2014.
Një punë shumë e mirë është bërë në drejtim të kontrollit të pagesave të kryera nga agjenti pagues Posta Shqiptare. Kontrolli i pagesave i ndërthurur dhe me informatizimin e sistemit të pagesave ka bërë të mundur evidentimin e 2 713 raste te pagesave të jashtëligjshme me një dëm prej 33 016 mije lekë, nga të cilët është arkëtuar 32 440 mijë lekë, ose 97 % e dëmit te zbuluar. Profilet e shkeljeve në pagesa janë: pagesa mbas vdekjes, pagesa të dyfishta, pagesa jashtë afatit etj. Lidhja e sistemeve online me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile ka bërë të mundur kontrollin e pagesave pas vdekjes, duke ulur ndjeshëm evazionin në pagesa. Gjatë vitit 2013 është intensifikuar puna për pagesat e pensioneve nëpërmjet bankave dhe po punohet për nënshkrimin e marrëveshjeve edhe me bankat që nuk kanë nënshkruar marrveshje.
Megjithë punën e mirë të evidentuar më sipër, përsëri nga kontrollet e ushtruara në mënyrë periodike kanë rezultuar shkelje dhe procedura jo uniforme në rajone të ndryshme. Kështu, ka rezultuar që 710 dosje janë pezulluar dhe rishqyrtuar me një dëm financiar prej 76.4 milionë lekë dhe 112 dosje me llogaritje gabim me një shumë kreditore prej 5 milionë lekë.
Profilet kryesore nga gjetjet e auditimeve dhe kontrollit të dosjeve konsistojnë në njohje të periudhave të vjetërsisë së punës të pakonfirmuara, në llogaritjet e pensioneve të parakohshme të ushtarakëve, barrëlindjet e të vetëpunësuarve në bujqësi etj.
Gjatë vitit 2013 janë ndjekur një numër i lartë gjyqesh që përgjithësisht kanë të bëjnë me njohje vjetërsie në punë si rezultat I djegjes së dokumentacionit në vitin 1997, saktësimi i indentitetit, parregullsi në evidentimin e vjetërsisë në punë, ankimet e ish ushtarakëve etj. Një problematikë e mprehtë mbeten vendimet e gjykatave që shpesh janë në disfavor të ISSH-së në gjykimin tonë pa baza, vonesa të shqyrtimeve nga gjykatat dhe sidomos nga Gjykata e Lartë.
Problematike mbetet gjithashtu, edhe marrëdhënia me përmbarimin privat që vendos sekuestro të llogarive pa kërkuar qytetari ekzekutim vullnetar të vendimeve të formës së prerë ose edhe në rastet kur çështja është akoma në ankimim gjyqësor.