Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi sot në datë 13 qershor 2024, mbledhjen e parë të Këshillit Administrativ për këtë vit.

Me votim unanim, Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj.Olta Manjani u zgjodh Kryetare e këtij Këshilli.

Ndër të tjerash, Këshilli miratoi edhe projektvendimin “Për miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2022, për llogaritjen e pensioneve”.

Ky projektvendim, i cili pritet të kalojë për miratim edhe në Këshillin e Ministrave, do të krijojë mundësinë e rivlerësimit të pagës mesatare mbi të cilën llogaritet shuma mujore fillestare e pensionit, për të gjithë personat që do të marrin pension nga data 01 korrik 2024 e në vazhdim.

Koeficienti, parashikohet të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për mbi 20 mijë persona, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura.

Këshilli Administrativ i ISSH-së, zhvilloi në datë 9 korrik 2024, mbledhjen e tij të radhës, nën drejtimin e Zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe  Inovacionit, znj. Olta Manjani.

Gjatë kësaj mbledhjeje u morën disa vendime, ku më kryesori ishte ai i miratimit të rezultatit financiar për vitin 2023.

Të ardhurat  e drejtpërdrejta nga kontributet e personave juridikë dhe fizikë, si dhe të ardhurat e tjera të Fondit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2023 arritën në rreth 124.6 miliardë lekë, me realizim 100 %, kundrejt planit.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, theksoi se performanca financiare ka rezultuar tejet pozitive, duke konfirmuar jo vetëm mirëadministrimin, por edhe punën e bërë në drejtim të ruajtjes së programuar të shpenzimeve dhe realizimin, sipas programit buxhetit të miratuar nga Kuvendi.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i angazhuar për të rritur më tej të ardhurat kontributive, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët, si dhe për të zbatuar politikat reformatore të Qeverisë në fushën  e pensioneve.