Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës, ILO  dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore, ISSA, po zhvillojnë nga data 4-6 Korrik, një sesion trajnimesh me përfaqësues të DRSSH-ve dhe ALSSH-ve, në lidhje me skemat e sigurimeve shoqërore, për kategorinë e të vetëpunësuarve në bujqësi.

Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado gjatë fjalës së tij falënderoi z. Kenichi Hirose, specialist i nivelit të lartë për Mbrojtjen Shoqërore pranë ILO, znj. Zhulieta Harasanin, koordinatore e ILO-s për Shqipërinë dhe z.Guillaume Filhon, funksionar i lartë i sigurimeve shoqërore, ISSA për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë në ofrimin e njohurive dhe praktikave më të mira në lidhje me këtë fushë.

“ Skemat e sigurimeve shoqërore veçanërisht për kategorinë e të vetëpunësuarve në bujqësi janë shumë të rëndësishme në aspektin social dhe ekonomik të vendit tonë. Për këtë, arsye trajnimi i vazhdueshëm i stafeve tona, në nivel rajonal, i shërben rritjes profesionale dhe ofrimit sa më të mirë të shërbimeve”, tha Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së.

Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit do të njihen me praktikat më të mira të përzgjedhura nga lektorët, për mënyrën e procedimit dhe të mbledhjes së kontributeve në sektorin e bujqësisë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore i kushton vëmendje të veçantë përmirësimit të  aspekteve teknike dhe rregullatore të skemave të sigurimeve shoqërore, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave, rritjen e bazës së kontribuesve, si dhe të të ardhurave.

Ratifikimi nga Kuvendi i Marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore me Konfederatën e Zvicrës, i hap rrugën përfitimeve nga skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore.

Përmes kësaj skeme qytetarët do të mund të përfitojnë: pensionin e pleqërisë, pensionin familjar dhe pensionin e invaliditetit.

Mbrojtja siguron dhe mbulon periudhat e pagesës së kontributeve ose periudhave të barasvlershme, të njohura nga ligjet e sejcilit prej dy shteteve.

Janë afërsisht 3,100 shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, pa përfshirë shtetasit shqiptarë me nënshtetësi të dyfishtë, ndërsa në vendin tonë jetojnë rreth 53 shtetas zviceranë.

Në bazë të kësaj marrëveshje asnjë nga qytetarët nuk do të humbasë kontributet, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i angazhuar  për të garantuar mbrojtjen shoqërore me vendet që ka një marrëveshje, ndërsa është duke u punuar për të shtuar marrëveshjet me shtetet e tjera, ku jetojnë dhe punojnë qytetarët shqiptarë.

Nën drejtimin e Kryetares, njëherazi dhe Ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, në datë 25 Korrik 2022 u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Këshilli miratoi disa projekt-akte, që kanë të bëjnë me rregullime dhe qartësime për ecurinë e veprimtarisë së  Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë të Nivelit të Parë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Drejtorisë së Inspektimit të Përfitimeve, etj.

Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së z. Astrit Hado, gjatë mbledhjes,  konfirmoi edhe për 6-mujorin e parë të këtij viti qendrueshmërinë financiare, si dhe performancën pozitive të të ardhurave.

Nga ana tjetër z. Hado informoi Këshillin Administrativ se i gjithë sistemi i brendshëm elektronik i ISSH-së është në funksionim të plotë dhe se pagesat, përfshi edhe ato të pensioneve, janë realizuar në mënyrë të rregullt.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore vijon të jetë i angazhuar për të realizuar objektivat, përmbushur të gjitha detyrimet, si dhe për mbarëvajtjen e shërbimeve.