Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të MFE-së, z. Arlind Gjokuta dhe Drejtorin e Departamentit të Mirëadministrimit në Kryeministri, z. Dritan Palnikaj, zhvilluan inspektime në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier dhe Vlorë, për ofrimin e shërbimeve online dhe mbylljen e sporteleve fizike.
Për të mundësuar zbatimin me sukses të kësaj reforme, punonjësit e ISSH – së janë angazhuar për të ndihmuar çdo qytetar që has vështirësi apo ka paqartësi, duke i orientuar përmes rrugëve alternative të komunikimit.
ISSH ofron 56 shërbime elektronike përmes platformës e-Albania.

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, zhvilloi një takim me Administratoren e Postës Shqiptare sha, znj. Anisa Kaltanji, dhe Drejtorët e Filialeve Rajonale.

Forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit, si dhe ofrimi i shërbimeve cilësore dhe me standarde, në kuadër kjo edhe të Reformës Digjitale që po zbatohet, ishin në fokus të këtij takimi.

ISSH vlerëson Postën Shqiptare sha si një partner të qendrueshëm dhe të dy institucionet janë duke intensifikuar përpjekjet për të nisur një epokë të re në ofrimin e shërbimeve, me fokus të veçantë pensionistët, strategji e cila do të shoqërohet edhe me hartimin e një marrëveshje të re kuadër.

Z. Hado konfirmoi vullnetin e plotë të ISSH-së për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave, në kuadër të zhvillimit të teknologjisë, si dhe për të ofruar zgjidhje efikase për çdo problematikë që mund të haset nga qytetarët.

Sfida jonë e përbashkët është krijimi i Kartës Universale Sociale, që do të sjellë një transformim në marrjen e shërbimeve për pensionistët, si një kategori me kontribut të veçantë për zhvillimin e vendit.

Shqipëria dhe Kosova negociuan marrëveshjen administrative në fushën e sigurimeve shoqërore, pas ratifikimit nga ana e Parlamenteve respektivë.

Raundi i tretë i bisedimeve mes dy delegacioneve për hartimin e kësaj Marrëveshjeje dhe elementëve teknikë të zbatimit u zhvilluan në datat 23-24 Maj 2022, në Tiranë.

Delegacioni shqiptar u kryesua nga Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë z. Besart Kadia, ndërsa bisedimet u udhëhoqën nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado.

Për palën kosovare negociatat u kryesuan nga znj. Leunora Zulfiaj, Udhëheqëse e Divizionit të Punës në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Të dyja palët, në përfundim të negociatave, shprehën vullnetin e plotë për të thelluar më tej bashkëpunimin, si dhe për të koordinuar skemat e sigurimeve shoqërore, në përputhje me standardet e legjislacionit europian.

Objekt i kësaj Marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë:

  • përfitimet në para për barrë-lindje për personat e punësuar;
  • personat e vetëpunësuar, si dhe për punëdhënësit;
  • përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar;
  • për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.

Kjo marrëveshje është tepër e rëndësishme, pasi garanton të drejta të barabarta dhe siguron mbrojtje shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy vendet tona.

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado mori pjesë në Konferencën Kombëtare për Antikorrupsionin, në panelin: “Rritja e transparencës dhe efektivitetit të administratës publike: Përdorimi i mjeteve digjitale për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve për qytetarët”.

Gjatë fjalës së tij z. Hado tha se fokusi i punës sonë është automatizimi i proceseve në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimet në kohë reale dhe me cilësi.

Në periudhën 2020-2022 janë kryer në total 538,749 aplikime, ku vetëm për periudhën janar-maj 2022 janë realizuar 125,457 aplikime.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ofron 56 shërbime përmes platformës e-Albania dhe për shumicën e tyre përgjigjja merret online. Ky revolucion ka sjellë thjeshtësim të procedurave, standartizim të aplikimeve, eliminim të një sërë dokumenteve, por edhe shërbim më të mirë e më të shpejtë.

Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, theksoi se e gjithë kjo, nuk do të ishte bërë e mundur pa ndërveprimin midis institucioneve, rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit të qytetarëve, monitorimin efikas të të gjithë proceseve, si dhe rritjen e mëtejshme të transparencës.

Një rol të rëndësishëm në zbatimin e kësaj reforme madhore kanë edhe burimet njerëzore, që çdo ditë aftësohen për të garantuar ecurinë e procesit dhe me profesionalizëm trajtojnë e zgjidhin çdo problematikë që mund të lindë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të vijojë të jetë i angazhuar për të adresuar drejt sfidat dhe për të përmbushur objektivat që dikton teknologjia digjitale.

 

Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës, ILO  dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore, ISSA, po zhvillojnë nga data 4-6 Korrik, një sesion trajnimesh me përfaqësues të DRSSH-ve dhe ALSSH-ve, në lidhje me skemat e sigurimeve shoqërore, për kategorinë e të vetëpunësuarve në bujqësi.

Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado gjatë fjalës së tij falënderoi z. Kenichi Hirose, specialist i nivelit të lartë për Mbrojtjen Shoqërore pranë ILO, znj. Zhulieta Harasanin, koordinatore e ILO-s për Shqipërinë dhe z.Guillaume Filhon, funksionar i lartë i sigurimeve shoqërore, ISSA për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë në ofrimin e njohurive dhe praktikave më të mira në lidhje me këtë fushë.

“ Skemat e sigurimeve shoqërore veçanërisht për kategorinë e të vetëpunësuarve në bujqësi janë shumë të rëndësishme në aspektin social dhe ekonomik të vendit tonë. Për këtë, arsye trajnimi i vazhdueshëm i stafeve tona, në nivel rajonal, i shërben rritjes profesionale dhe ofrimit sa më të mirë të shërbimeve”, tha Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së.

Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit do të njihen me praktikat më të mira të përzgjedhura nga lektorët, për mënyrën e procedimit dhe të mbledhjes së kontributeve në sektorin e bujqësisë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore i kushton vëmendje të veçantë përmirësimit të  aspekteve teknike dhe rregullatore të skemave të sigurimeve shoqërore, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave, rritjen e bazës së kontribuesve, si dhe të të ardhurave.