Nën drejtimin e Kryetares, njëherazi dhe Ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj në datë 07 dhjetor 2021 u zhvillua mbledhja e rradhës e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Me vendim unanim, Këshilli miratoi projektin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pensionistëve me 5,000 lekë për festat e fundvitit 2021, si dhe rezultatin financiar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Efekti financiar për dhënien e bonusit është parashikuar në vlerën 3.5 miliardë lekë dhe një pjesë e tij do të financohet nga buxheti i ISSH-së.

Shpërblimet do të kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2021 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2021, ato të paguhen edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Gjatë mbledhjes, Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së z. Astrit Hado konfirmoi edhe një herë qendrueshmërinë financiare, si dhe performancën pozitive në grumbullimin e të ardhurave, tendencë e cila parashikohet të jetë e tillë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve, z. Astrit Hado zhvilloi një konferencë për shtyp me qëllim informimin e qytetarëve në lidhje me shpërndarjen e bonusit të fundvitit prej 5,000 lekë për 688 mijë pensionistët në të gjithë vendin.

Mbi 95,000 bonuse janë shpërndarë gjatë ditës së djeshme dhe sot ( deri në mesditë), ndërsa pritet që ky numër të vijojë të rritet, falë angazhimit të ISSH-së dhe institucioneve me të cilat bashkëpunohet për shpërndarjen e pensioneve.

Kategoritë që përfitojnë këtë lloj shpërblimi janë të gjithë pensionistët e pleqërisë, gjithë pensionistët familjarë, gjithë pensionistët e invaliditetit, ata që përfitojnë pension social, gjithë personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, përfshirë dhe ish ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes, policisë së shtetit, drejtorisë së burgjeve, zjarrfikësve, shërbimit informative shtetëror, dhe të gjithë kategoritë e tjera të cilat kanë dalë para kohe në pension, siç janë trajtimet e të veçanta të minatorëve, trajtimet e veçanta të ish punonjësve të policisë ushtarake gjithë minatorët metalurgët dhe naftëtarët që kanë dalë para kohe në pension. Pra, e gjithë gama e përfituesve që trajtohen nga ISSH marrin dhe përfitojnë këtë lloj shpërblimi.

“Këtë lloj shpërblimi e përfitojnë jo vetëm ata që në momentin që ka dalë vendimi kanë statusin e përfituesit, pensionistit apo me trajtim të veçantë, por edhe të gjithë ata qytetarë të cilëve kjo e drejtë u lind deri në datën 31 dhjetor 2021. Pra, edhe ata që mbushin moshën për të dalë në pension deri në datën 31 kanë të drejtën e përfitimit të këtij shpërblimi. Të gjithë ata që nuk kanë mundësi ose nuk duan ta tërheqin këtë lloj shpërblimi gjatë ditëve të mbetura të muajit dhjetor, e kanë këtë të drejtë që ta marrin në momentin kur ata tërheqin pensionin dhe kjo e drejtë ruhet deri në 36 muaj, pra për aq kohë sa pensionisti nuk humbet të drejtën për të marrë pensionin e vet, njëkohësisht nuk humbet as të drejtën për të marrë shpërblimin”, tha z.Hado.

Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së sqaroi se për të eliminuar radhët e marrjes së shpërblimit, por njëkohësisht për të respektuar dhe masat anti-Covid është hartuar një grafik së bashku me Postën Shqiptare ( Aneksi më poshtë), që gjatë paradites do të jepet kësti mujor i pensionit për muajin dhjetor plus shpërblimin, ndërsa nga mesdita deri në momentin që zyrat e postës shqiptare do të jenë zyrat hapura, deri nga ora 18.00 apo më vonë do të marrin vetëm shpërblimin ata pensionistë që e kanë marrë pensionin deri më datën 15. Për shembull, data e djeshme 16 dhe e sotmja 17 është ezauruar dhe të gjithë ata që kanë marrë pensionin nga data 1 deri në datën 15 janë planifikuar, sipas grafikut, që ta marrin shpërblimin në orët e pasdites, deri në 31 dhjetor, me qëllim që të mos mbetet asnjë pensionist që ka dëshirë që ta tërheqë pensionin brenda dhjetorit, por njëkohësisht edhe të mos krijohen grumbullime njerëzish dhe të respektohen masat antiCovid.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të jetë në dispozicion të plotë të të gjithë kategorive përfituese në mënyrë që ky shpërblim të disbursohet i plotë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare sh.a. pasqyrojnë grafikun e pagesave të shpërblimeve të fundvitit 2021, si më poshtë:

Zyrat Postare të shpërndarjes së pensioneve, duke filluar nga dita e Premte, datë  16.12.2021 deri në datë 30.12.2021, sipas grafikut të pagesës së pensionit,  do t’u paguhet pensionistëve edhe shpërblimi  i fundvitit 2021.

Pensionistëve që e marrin pensionin pranë bankave të nivelit të dytë, shpërblimi i fundvitit do të kalohet në llogarinë bankare të çelur për kreditimin e pensionit mujor. Kalimi i shpërblimit në llogarinë bankare do të bëhet në datën 20.12.2021.

Pensionistet që e kanë marrë pensionin e muajit dhjetor 2021 përpara datës 16.12.2021 dhe ata që do të paguhen pas kësaj date  mund ta tërheqin shpërblimin e fundvitit sipas grafikut të mëposhtëm.

•           në datën  17 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 1 dhjetor 2021,

•           në datën 18 dhjetor do te tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në ketë datë dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 2 dhjetor.

•           në datën 20 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën  3 dhjetor.

•           në datën 21 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në ketë date dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 6-7 dhjetor.

•           në datën 22 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 8- 9 dhjetor.

•           në datën 23 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe ato që e kane tërhequr pensionin në datën 10 dhjetor.

•           në datën 24 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 13 dhjetor.

•           në datën 27 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe ato që e kane tërhequr pensionin në datën 14-15dhjetor.

•           në datën 28 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe ato që e kane tërhequr pensionin në datën  16 dhjetor.

•           në datën 29 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe raste të tjera që nuk janë paguar sipas grafikut në ditët më përpara.

•           në datën 30 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe raste të tjera që nuk janë paguar sipas grafikut në ditët më përpara.

•           Për pensionistet që e tërheqin pensionin në zyrat postare në fshatra, shpërblimi do të paguhet sipas datave të pagesës së pensioneve, duke filluar nga data 17 dhjetor e në vazhdim.

•           Shpërblimet e pa tërhequra në dhjetor  paguhen përgjatë viteve në vazhdim, sipas nenit nr 62 të ligjit nr 7703 dt 11.05.1993, i ndryshuar, me paraqitjen e përfituesve në sportele.

Posta Shqiptare siguron likuiditete fizike për mbulimin e pagesave. Drejtoritë Rajonale dhe Agjencitë e  Sigurimeve Shoqërore bashkëpunojnë me Degët dhe Filialet e Postës Shqiptare sh.a, realizojnë mbushjen e llogarive të Filialeve dhe  Degëve të Postës Shqiptare , bazuar në numrin e pensionistëve dhe sipas këtij grafiku, duke bashkëpunuar për realizimin e pagesave të shpërblimit në Zyrat Postare në zonat Rurale.