Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado zhvilloi një takim me drejtorët e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.

Gjatë fjalës së tij Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim të shtuar të të gjitha strukturave në rajone, me qëllim rritjen e performancës, si dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët.

Në kuadër të programit të shpallur të Qeverisë për katër vitet e ardhshme, z. Hado nënvizoi rëndësinë e ofrimit të shërbimeve elektronike, të cilat ju mundësojnë qytetarëve marrjen në një kohë sa më të shkurtër të këtyre shërbimeve, shmangien e burokracive dhe radhët në sportele, kjo edhe në kushtet e diktuara nga pandemia Covid-19.

Shqipëria është duke përmbyllur procesin e hartimit dhe miratimit të Marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore me Kosovën.

Në këtë kuadër nga data 18-19 nëntor, Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia dhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado, zhvilluan në Prishtinë raundin e dytë të bisedimeve për projektmarrëveshjen dypalëshe.

Për palën e Kosovës, negociatat u drejtuan nga Udhëheqësja e Divizionit për Marrëdhënien në Punë, Dialog Social, Sigurinë dhe Shëndetin në Punë znj. Leonora Ahmeti, në prani edhe të Zëvendësministrit të Financave, Punës dhe Transfertave z. Ilir Kapiti.

Në përfundimit të takimeve u dakordësua për thellimin e bashkëpunimin, si dhe për të finalizuar marrëveshjen e plotë, për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin europian.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë:

  • përfitimet në para për barrëlindje për personat e punësuar;
  • personat e vetëpunësuar si dhe për punëdhënësit;
  • përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar;
  • për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Hungarinë, Çekinë, Gjermaninë, Maqedoninë, Luksemburgun, Bullgarinë, Austrinë, Turqinë dhe Belgjikën.

Deri tani 3,100 shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë brenda territorit të vendit kanë përfituar nga marrëveshjet dypalëshe, të lidhura.

Këto marrëveshje sigurojnë mbrojtje shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në këto vende.