•  admin
  •  

Intervistë e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, dhënë në “Gazeta shqiptare”, 13 mars 2015.

Detyrimet e ushtarakëve që janë krijuar si pasojë e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për njohje të masës së përfitimit pas datës 1.7.2009, në kundërshtim me formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm, nuk do të falen. Sipas projektligjit të miratuar në qeveri dy ditë më parë, kjo kategori nuk do të përfitojë nga falja e debive, të ardhur si pasojë e rillogaritjes së pensionit e që për pasojë iu mbahet çdo muaj një pjesë e tij. Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado sqaron për “Gazeta Shqiptare” se “bëhet fjalë për një kategori ish-ushtarakësh, që kanë fituar gjyqet para se të hynte në fuqi akti normativ i vitit 2010, çka do të thotë se ata kanë dalë debitorë me vendim gjykate”. “Sigurisht që një ligj nuk mund të dalë mbi gjykatat, ndaj në projektligj është përcaktuar që kjo kategori nuk mund të përfitojë nga falja e debive”, u shpreh kreu i ISSH-së. Ende nuk dihet sa është numri i saktë i personave, që nuk do të përfitojnë falje të debive. Megjithatë, pas miratimit në qeveri, projektligji do të diskutohet në komisionet parlamentare, çka mund të sjellë ndryshime në formulimin e tij. Vetëm pas kalimit në komisione ai do të shkojë për miratim në seancë plenare, duke i hapur rrugën hyrjes në fuqi dhe zbatimit të tij.

Falja
Ndërkaq, sipas këtij projektligji parashikohet falja e debive të 5.425 ushtarakëve, të cilëve çdo muaj iu mbahet një pjesë e pensionit si pasojë e rillogaritjes së tij. Teksa komentoi këtë hap ligjor të ndërmarrë nga qeveria, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, tha se parashikon përfitimin për ushtarakët në rezervë dhe ata në lirim. “Gjatë javëve të fundit kam pasur takime të shpeshta me shoqatat e ish-ushtarakëve, të cilët me të drejtë, kërkojnë nga qeveria shqiptare zgjidhje për një borxh që ata i detyrohen shtetit, jo për faj të tyre, por për shkak të vendimeve të ndryshme të ndërmarra nga qeveritë ndër vite. Për plot 10 vjet, që nga viti 1999 në vitin 2009, ushtarët në rezervë apo në lirim, janë trajtuar me pagesa kalimtare, pensione të parakohshme apo përfitime të tjera suplementare. Por, në këtë hark kohor 10-vjeçar, ligjet kanë ndryshuar të paktën 4 herë dhe më pas janë kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese të cilat janë shfuqizuar nga kjo gjykatë. Në mbështetje të këtyre kërkesave, sot qeveria shqiptare do të falë 984 milionë lekë borxhe që ish-ushtarakët u detyrohen shtetit shqiptar”, u shpreh Klosi, ndërsa theksoi se falë këtij projektligji, asnjë ish-ushtaraku nuk do i mbahet më asnjë qindarkë nga pensioni i çdo muaji. Ndërkaq, paralelisht me heqjen e barrës financiare, qeveria parashikon të marrë edhe masa të tjera, që kanë të bëjnë me angazhimin e ushtarakëve. Sipas këshilltarit të kryeministrit për Çështjet e Sigurisë, Sandër Lleshi do të ketë një paketë të plotë, e cila synon në radhë të parë të riaktivizojë konceptin e rezervës të forcave të armatosura me qëllim që të gjithë ushtarakët në rezervë të luajnë një rol në forcat e armatosura. “Përveç angazhimit të kapaciteteve të rezervës parashikohet edhe që ushtarakët që janë në lirim të mund të përfshihen në dobi të vendit sepse është një potencial që mund të angazhohet në të mirë të vendit”, ka deklaruar Lleshi. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të plotë projektligjin “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve”, të cilin e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit.

Projektligji i miratuar në qeveri

Neni 1
Falen detyrimet e papaguara, që kanë rrjedhur nga rillogaritja e pensionit të parakohshëm, bazuar në përcaktimet e ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, sipas gjendjes së tyre në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 2
Detyrimet e ushtarakëve, që janë krijuar si pasojë e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për njohje të masës së përfitimit pas datës 1.7.2009, në kundërshtim me formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm, të përcaktuar sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk falen.

Neni 3
Falen detyrimet që do të krijohen si pasojë e rillogaritjes së pensioneve, sipas dispozitave të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për ata ushtarakë, për të cilët rillogaritja nuk është kryer deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 4
Brenda 3 muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm për rillogaritjen e përfitimeve. Me përfundimin e këtij afati, detyrimet që rrjedhin nga rillogaritja nuk falen.

Neni 5
Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij ligji. Procedurat e zbatimit të faljes së detyrimeve të papaguara miratohen nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe zbatohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

  •  test
  •  

Në datën 29 prill 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zhvillua takimi me përfaqësuesit e patronatit Italian dhe Unione Italiani nel Mondo (UIM) , me të cilët u nënshkrua një Protokoll Bashkëpunimi. Ky protokoll ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit institucional, për të mbështetur bashkëatdhetarët tanë, nëpërmjet agjencive tona, për shërbime cilësore në drejtim të sigurimeve shoqërore, për të gjithë shtetasit që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri dhe Itali.

Risitë që do të sjellë ky bashkëpunim i ri, do të jenë rritja e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve, nëpërmjet verifikimeve kontributive në dy vendet tona, promovimit të fushatave informuese për shërbimet e ofruara, si dhe krijimi dhe mbulimi me sigurim shoqëror në tërësi, dhe vullnetar në veçanti.

  •  test
  •  

Nga data 5 – 6 maj 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zhvillua takimi dy ditor me homologët maqedonas, për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren për implementimin e Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin nr. 151/2015, datë 21.12.2015.

Nga implementimi i kësaj Marrëveshjeje do të mundësohet njohja dhe mbrojtja e kontributeve të sigurimeve shoqërore të derdhura nga qytetarët shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Republikën e Maqedonisë dhe anasjelltas, në mënyrë që asnjë kontribut i tyre të mos humbasë, por të merret në konsideratë në llogaritjen e vjetërsisë në punë për efekt pensioni.

  •  test
  •  

Në datën 29.06.2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zhvillua mbledhja e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, me këtë rend dite:

1. Projekt VKA “Për miratimin e projekt VKM “Për zbatimin e Ligjit nr. 46/2016 “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të Ligjit nr. 10 142, datë 15.05.2009 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”;

2. Projekt VKA “Për koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar për vitin 2014”;

3. Projekt VKA “Për miratimnin e rregullores “Për llogaritjen dhe procedurën e indeksimit të bazës së vlerësuar për efekt të përfitimeve”;

4. Projekt Rregullore e Këshillit Administrativ “Për disa shtesa e ndryshime në Rregulloren nr.1, datë 21.10.2008 “Për caktimin, administrimin dhe pagesen e pensioneve”.

  •  admin
  •  

Intervistë me drejtorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, revista “Monitor”, 10/07/2016

 Nëse në vitin 2012, popullsia rezidente në Shqipëri ka qenë rreth 2.9 milionë banorë, në vitin 2080 parashikimet janë për një tkurrje të ndjeshme dhe popullsia në këtë vit do të jetë rreth 2 – 2.1 milionë banorë. Një tregues tjetër është që nëse në vitin 2012, popullsia mbi 65 vjeç zë 14.9% të totalit të popullsisë, në vitin 2080, kjo kategori do të arrijë në rreth 29.5%.

 Efektet që plakja e popullsisë jep në jetën ekonomike e shoqërore janë afatgjata dhe me trend rritës të tyre. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, thotë se Shqipëria është e vonuar me marrjen e masave amortizuese, pasi çfarëdolloj ndërhyrje që ndërmerret nuk jep efektin e menjëhershëm, por do kohën e vet të maturimit dhe dhënies së efekteve. Hado tha se, fillimisht duhet të frenohet emigracioni në drejtim të vendeve të tjera, pasi përgjithësisht emigrojnë të rinjtë dhe forcat aktive për punë.

 Ai thotë se një nga masat parandaluese mund të jetë stimulimi i lindshmërisë, duke rritur shpërblimet, subvencionet e familjeve me shumë fëmijë, njohje ose dhurim të periudhave të sigurimit për çdo fëmijë ose kohës së kujdesit ndaj fëmijës. Disa vende kanë aplikuar rritjen e moshës së daljes në pension, duke e çuar deri në 70 vjet. Hado tha se edhe krijimi i skemave private të pensioneve janë një zgjidhje.

A është plakja e popullsie një shqetësim që duhet marrë në konsideratë qysh tani?

Kur themi që popullsia po plaket kemi parasysh që rritet mosha mesatare e popullsisë, si rezultat i rënies së numrit të lindjeve dhe rritjes së jetëgjatësisë së qytetarëve. Plakja e popullsisë mund të perceptohet edhe si rritje e peshës specifike që zë grupmosha mbi 65 vjeç ndaj totalit të popullsisë. Plakja e popullsisë nuk është një fenomen që ndodh menjëherë ose brenda një periudhe të shkurtër kohore, por është një proces i vazhdueshëm. Edhe efektet që plakja e popullsisë jep në jetën ekonomike e shoqërore janë afatgjata dhe me trend rritës të tyre. Për të ardhur te pyetja juaj, a duhet marrë në konsideratë që sot, përgjigjja është se jemi të vonuar. Jemi të vonuar pasi çfarëdolloj mase të parashikohet apo merret nuk jep efektin e menjëhershëm por do kohën e vet të maturimit dhe dhënies së efekteve. Çdo incentivë për rritjen e lindshmërisë nuk jep efektin brenda muajit apo vitit, pasi përveçse ligjësitë e natyrës nuk e lejojnë një gjë të tillë, edhe vendimmarrja individuale është proces që kërkon kohë dhe analizë të të gjithë faktorëve që mbështesin një vendim të kësaj natyre. Sistemet e pensioneve kanë një periudhë të gjatë të maturimit të produkteve që ofron pra, pensionet dhe si të tillë duhet që masat të merren përpara se fenomeni i plakjes të japë efektet e plota.

  •  test
  •  

Në kuadër të vazhdimit të bisedimeve për marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës për pension, në datat 8 dhe 9 gusht 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Tiranë, u zhvillua takimi ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies të Republikës së Kosovës, dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë.

Gjithashtu në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe në frymën e bashkëpunimit konstruktiv.

  •  test
  •  

Në  datat 6 – 8 shtator 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, u zhvillua takimi përfundimtar me homologët austriakë, për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren gjatë implementimit të Marrëveshjes në fushën e mbrojtjes shoqërore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë.

Si rezultat i kësaj Marrëveshjeje do të mundësohen përfitimet nga skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, për gëzimin e të drejtave të fituara nga personat që kanë jetuar dhe punuar në Republikën e Austrisë dhe anasjelltas, me qëllim që asnjë kontribut të  mos humbasë, por të merret në konsideratë, në mënyrë që të sigurohet e drejta për përfitim, në interes të qytetarëve.

Marrëveshja kuadër është miratuar ditën e djeshme nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 637, datë 07.09.2016, dhe së shpejti do të nënshkruhet nga ministrat homologë të të dy vendeve.

  •  test
  •  

Në datën 15 shtator 2016 në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zhvillua analiza 8-mujore e punës me drejtorët e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, mbi realizimin e detyrave për periudhën janar – gusht 2016.

Gjatë këtij takimi theksi u vu në zbatimin me korrektësi të ndryshimeve në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, të ndryshuar dhe akteve normative në zbatim të tij.

U diskutua mbi përgatitjen e dokumentacionit për zbatimin e procedurave të faljes së detyrimeve të ushtarakëve, si dhe të kthimit të lekëve të mbajtura, menjëherë pas miratimit nga KM.

Gjithashtu vend të veçantë në diskutimet nga të pranishmit zuri dhe zbatimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave për rastet e periudhave të sigurimeve shoqërore të evidentuara me laps para vitit 1993, si dhe zgjidhjeve të problemeve përsa i përket mangësive në rregjistrat e ndërmarrjeve.

  •  test
  •  

Në kuadër të Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin nr. 23/2016, datë 10.03.2016, në datat 20-21 shtator 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u organizua takimi për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren në implementimin e kësaj Marrëveshjeje. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues nga institucionet përkatëse të të dy vendeve.

Nga zbatimi i kësaj marrëveshje do të mundësohet njohja dhe mbrojtja e kontributeve të paguara nga shtetasit që kanë qenë subjekt i legjislacioneve respektive në të dy vendet, duke bërë të mundur që asnjë kontribut i tyre të mos humbasë, por të merret në konsideratë në llogaritjen e vjetërsisë në punë për efekt pensioni.

Kjo Marrëveshje është e një rëndësie të veçantë për arsye të numrit të madh të shtetasve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë pranë shtetit gjerman, duke bërë të mundur garantimin e të drejtave të tyre, pa i humbur ato për arsye të lëvizjes dhe punësimit të lirë.