Ligji Nr.7703, datë11.05.1993,“Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka të shprehur në përmbajtjen e tij normat e vendosura nga aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga RSH, si parimin e trajtimit të barabartë për çdo individ që i nënshtrohet këtij legjislacioni, përfshirë edhe shtetasit e huaj.

Neni 7, i këtij Ligji, lidhur me mbrojtjen për shtetasit shqiptarë jashtë shtetit dhe shtetasit e huaj përcakton se:

“Sigurimet shoqërore iu japin mbrojtje edhe:

a) shtetasve shqiptarë dhe personave pa shtetësi, ish-shtetas shqiptarë, që janë jashtë shtetit, në përputhje me konventat, marrëveshjet dypalëshe dhe Rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore;

b) shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi, që punojnë në Shqipëri”.

Mbulohen me sigurim shoqëror të detyrueshëm të gjitha kategoritë e përcaktuara në Ligj dhe përfitojnë nga skema të gjithë personat, pa dallim gjinie. Kriteret e përfitimit janë unike për të gjithë pjesëmarrësit në skemën e sigurimeve.

Skema e sigurimeve të detyrueshme shoqërore në Shqipëri është një skemë e bazuar në parimin kontributiv, ku përfitimet janë të lidhura drejtpërdrejtë me kontributet. Të gjithë personat e punësuar ose të vetëpunësuar janë të detyruar të paguajnë kontribute.

Për personat e punësuar (përfshirë edhe shtetas të huaj) legjislacioni i sigurimeve shoqërore detyron punëdhënësin të mbajë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të bëjë derdhjen e tyre në llogari të administratës tatimore.

Në rast të mospagesës së kontributeve, legjislacioni i sigurimeve shoqërore parashikon sanksione.

Bazuar në nenin 13, të Ligjit nr. 7703/1993, të ndryshuar:

1. Kontributet do të paguhen nga personat e siguruar;

2. Kontributet e personave të punësuar nën një kontratë pune do të ndahen ndërmjet personit të siguruar dhe punëdhënësit të tij, në përputhje me dispozitat e këtij Ligji dhe do të derdhen nga punëdhënësi;

3. Personat e detyruar për derdhjen e kontributeve janë përgjegjës për llogaritjen dhe pagesën e tyre. Punëdhënësi është i detyruar të mbajë nga paga e të punësuarve kontributet dhe t’i derdhë ato në llogari të administratës tatimore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me Ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;#8230;.”

Bazuar në nenin 3, të Ligjit nr. 7703 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe Rregulloren Nr. 4, datë 25.05.2009, “Për sigurimin vullnetar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore”, parashikohet mbulimi me sigurim shoqëror vullnetar.

Kanë të drejtë për sigurim vullnetar shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension, sipas nenit 92, të Ligjit nr. 7703/1993, ndërsa personat që ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjnë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri më datën kur kanë lënë shtetësinë.

Shtetasve të huaj që kanë punuar në Shqipëri dhe që janë subjekt i marrëveshjeve dypalëshe në fuqi, në fushën e sigurimeve shoqërore, ju garantohet e drejta për përfitime nga legjislacioni shqiptar nëse plotesohen kushtet nga bashkimi i periudhave të sigurimit të realizuara në të dy shtetet.

Sipas llojit të përfitimit të caktuar, kryhet eksportimi i përfitimeve nga Shqipëria në shtetin e huaj dhe anasjelltas, pa kufij dhe pa zbritje.

Transferimi i përfitimeve të dhëna në përputhje me legjislacionin shqiptar (përfitime për pension pleqërie, familjar apo invaliditeti), nënkupton që pagesa i dërgohet përfituesit atje ku ai banon, në atë vend, në territorin e shtetit tjetër kontraktues ose edhe në një shtet të tretë ku ai ka vendbanimin e përhershëm, qoftë ky shtetas shqiptar apo i huaj.