|
a) “Punëdhënës” quhen të gjithë personat fizikë e juridikë, që punësojnë persona të tjerë me ose pa kontratë.
Cilat janë detyrimet si punëdhënës:
a) Në mbështetje të Kodit të Punës punëdhënësi është i detyruar të nënshkruajë një kontratë pune me punëmarrësit, me kohë të plotë ose të pjesëshme;
b) Punëdhënësi duhet të mbajë regjistra për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara për çdo punëmarrës, me kohë të plotë ose të pjesëshme;
c) Të bëjë sigurimin e çdo punëmarrësi, me kohë të plotë ose të pjesëshme, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës ose në aktin e emërimit;
d) Të bëjë llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, brenda afateve të përcaktuara për çdo punëmarrës.Mbi ç’pagë duhet të llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo punëmarrës:
Paga bazë minimale mujore për punonjësit për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në shkallë vendi është 21 000 lekë (VKM nr. 445, datë 11.07.2012); ndërsa paga maksimale është 91 475 lekë (VKM nr. 414, datë 27.06.2012).
Ku dhe si mund të rregjistrohesh për të filluar një veprimtari ekonomike:
Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, së pari bëhet rregjistrimi në Qëndrën Kombëtare te Regjistrimit. Dy ditë pune pas rregjistrimit në QKR, dorëzohet pranë organit tatimor lista e të punësuarve, me pagën përkatëse,
sipas formularit E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe të larguarve nga puna”
Cila është procedura dhe afatet për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore:
a) Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi sipas afateve të përcaktuara me ligj. Dokumentat bazë për pagesën e tyre janë bashkangjitur në Aneksin e këtij Manuali;
b) Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur. Listëpagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë, për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar;
c) Punëdhënësi, i cili nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë 10 000 – 20 000 lekë për çdo rast;
d) Punëdhënësi duhet të dorëzojë rregullisht sipas afatit të caktuar listëpagesat, të cilat janë i vetmi dokument, që vërteton pagesën e kontributeve për çdo punonjës;
e) Listëpagesa është dokumenti bazë për dhënien dhe llogaritjen e përfitimeve për çdo punonjës, si dhe vërtetimeve të kërkuara prej tyre.
Si bëhet pajisja e punëmarrësve me librezat e kontributeve:
a) Instituti i Sigurimeve Shoqërore pajis punëdhënësit me librezat e kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, sipas kërkesave që bëhen pranë këtyre organeve;
b) Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, dhe e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore.
Si duhen trajtuar përfitimet afatshkurtra:
a) Mbështetur në Ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësit duhet të llogarisin dhe të paguajnë për punëmarrësit e tyre përfitimet afatshkurtra, si për sëmundje ashtu edhe për barrëlindje;
Kur punëmarrësi është i sëmurë ose përkujdeset për fëmijën e sëmurë, që ka në ngarkim, të vërtetuar me raporte mjekesore, kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore deri në ditën e 14 me raport mjekësor deklarohen njëlloj sikur punëmarrësi të mos jetë i sëmurë dhe paguhen sipas përcaktimit në Kodin e Punës, ndërsa nga dita e 15 e raportit mjekësor punëmarresi i siguruar ka të drejtë të marrë përfitime për paaftësi të përkohëshme nga fondet e sigurimeve shoqërore.
Ç’duhet bërë për të filluar një biznes të ri?
Ku duhet të rregjistrohem nëse filloj një biznes të ri?
a) Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, fillimisht, ju duhet të regjistroheni në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Më pas, ju duhet të paraqisni pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore kopjen e certifikatës së identifikimit të personit të tatueshëm. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore, mbështetur në këtë dokument, realizon regjistrimin tuaj në organet e sigurimeve shoqërore.b) I vetëpunësuari, dy ditë pas regjistrimit në QKR, duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e punonjësve të papaguar të familjes, me të cilët punon e bashkëjeton, formularin E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”.
Si bëhet llogaritja e kontributeve?
a) Të vetëpunësuarit dhe personat e papaguar të familjes që ushtrojnë veprimtari ekonomike, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor;
b) Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes, mbi 16 vjec, që punojnë e jetojnë ligjërisht, llogariten mbi bazën e pagës mujore minimale, e cila duke filluar nga data 01.07.2012 e në vazhdim është 18 295 lekë në muaj;
c) Për kontributet e sigurimeve shoqërore ju paguani 23% të pagës minimale mujore prej 18 295 lekësh, e barabartë kjo me 4 208 lekë në muaj;
d) Për kontributet e sigurimeve shëndetësore ju paguani 7% të pagës minimale mujore prej 18 295 lekësh, pra 1 281 lekë në muaj.
Cilat janë afatet e pagesës së kontributeve?
a) Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore paguhen çdo tremujor, brenda datës 20 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra jo më vonë se datat: 20 Prill, 20 Korrik, 20 Tetor, 20 Janar.
b) Kujdes, nëse kontributet nuk paguhen në kohë, zbatohen penalitete.
Ku dhe si mund të paguhen kontributet ?
a) Ju mund t’i paguani kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në filialet e bankave të nivelit të dytë ose të postës shqiptare sha;
b) Pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju dhe pjestarët e familjes me të cilët ju punoni do të pajiseni nga Agjensia e Sigurimeve Shoqërore me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Baza ligjore mbi të cilën paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëmarrësit:
- Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
- Ligji nr. 7870, datë 13.10.1994 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
- Ligji nr. 9136, datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i ndryshuar;
- Ligji nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
- VKM nr. 285, datë 04.05.2007;
- VKM nr. 1251, datë 10.09.2008;
- VKM nr. 1114, datë 30.07.2008 "Për disa çështje në zbatim të ligjeve nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, nr. 9136, datë 11.09.2003 "Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, dhe nr. 7870, datë 13. 10. 1994 "Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.
I ndryshuar me:
- VKM nr. 1477, datë 12.11.2008;
- VKM nr. 376, datë 08.04.2009;
- VKM nr. 700, datë 18.06.2009;
- VKM nr. 1206, datë 11.12.2009;
- VKM nr. 477, datë 30.06.2010;
- VKM nr. 541, datë 27.07.2011.
- VKM nr. 414, datë 27.06.2012.
- VKM nr. 445, datë 11.07.2012.
- Udhëzim i Ministrit të Financave, nr. 26, datë 16.04.2009, i ndryshuar.
Llojet dhe përqindjet e kontributeve që duhet të paguhen për punëmarrësin:
Në përqindje

Dokumentat që nevojiten për pagesat e kontributeve:
Për të realizuar pagesën e kontributeve, fillimisht duhet të merrni dhe të plotësoni formularët tip, që janë:
1. “Listëpagesa e sigurimeve shoqërore, shëndetësore, dhe tatimi mbi të ardhurat nga punësimi”,- E-SIG 025/a2, e cila vendoset vetëm në faqen e prapme të kopjes së tretë, të formularit të plotësuar të deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore.
2. “Formular i deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore”, - E-SIG 011-012/a, i plotësuar në tri kopje.
3. Këto formularë mund t’i tërhiqni, pas datës 5 të muajit që pason mbylljen e çdo tremujori kalendarik, në organin përkatës tatimor. Së bashku me formularët janë edhe udhëzimet për plotësimin e tyre (pra, udhëzimi për plotësimin e listëpagesës dhe udhëzimi për plotësimin e formularit të deklarimit dhe të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore. Fillimisht do të plotësohet listëpagesa dhe më pas mbështetur në të dhënat e saj do të plotësohen tre formularët e deklarimit.
Për subjektet e biznesit te madh:- Formulari E-Sig 025/a.1 – “Listëpagesa e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore dhe Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi”, i cili dorëzohet në organin tatimor, jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës.
- Formulari E-Sig 027/a – “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë e atyre rishtazi, si dhe të larguarve nga puna”, i cili dorëzohet në organin tatimor, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës së të punësuarve, që fillojnë punë për herë të parë, apo janë të punësuar rishtazi, si dhe brenda 10 ditëve për të larguarit nga puna.
- Formulari E-SIG 011-012/a “Formuar i deklarimit të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” i plotësuar në dy kopje dorëzohet në bankë ose në postën shqiptare sha, pasi konfirmohet shuma e paguar, nje kopje banka ia dorëzon tatimpaguesit dhe kopjen tjetër ia dërgon organit tatimor.
Për subjektet e biznesit të vogël:
- Formulari E-Sig 025/a.2 – “Listëpagesa e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore dhe Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi” e vendosur në faqen e prapme të kopjes së tretë të formularit të deklarimit, dorëzohet në bankë ose në postën shqiptare sha, jo më vonë se data 20 e muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra jo më vonë se datat 20 Prill, 20 Korrik, 20 Tetor, 20 Janar.
- Formulari E-Sig 027/a – “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë e atyre rishtazi, si dhe të larguarve nga puna”, i cili dorëzohet në organin tatimor të paktën 48 orë përpara fillimit të punës të të punësuarve, që fillojnë punë për herë të parë, apo janë të punësuar rishtazi, si dhe brenda 10 ditëve për të larguarit nga puna.
- Formulari E-SIG 011-012/a - “Formuar i deklarimit të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i plotësuar në tre kopje dorëzohet në bankë ose në postën shqiptare sha. Në kopjen e tretë të formularit të deklarimit, në faqen e prapme të tij, vendoset dhe plotësohet listëpagesa E-SIG 025/a2.- Formulari E-SIG 046/a – “Pasqyrë deklarimi me të dhënat për pagesën e kontributeve të Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi” – dorëzohet vetëm nga subjektet që bëjnë dorëzimin e deklarimeve në format elektronik.
Kujdes! Formulari i deklarimit dhe pagesës së kontributeve, si dhe listëpagesa e pasqyrat e tjera duhet të plotësohen në përputhje me shënimet përkatëse tek secila prej tyre. Kopja e formularit të deklarimit tërhiqet nga subjekti pranë organeve tatimore, ose shkarkohet nga faqja zyrtare e Internetit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve www.tatime.gov.al, për çdo periudhë tatimore, përpara datës së deklarimit.Por këto formularë mund t’i gjeni duke i shkarkuar nga faqja zyrtare e Drejtorise së Përgjithshme të Tatimeve www.tatime.gov.al. Veprimet praktike për të marrë dhe printuar këto formularë janë:
- Fillimisht duhet të futeni në faqen e Tatimeve, sipas adresës së mësipërme, dhe në krahun e majtë do të shihni kuadratin-Shërbimet elektronike, ku ju duhet të klikoni tek shënimi -shkarko deklaratat. Faqja që ju shfaqet kërkon NIPT-in dhe për këtë do të futeni duke klikuar në kuadrat. Pasi të jeni futur në këtë kuadrat, do të rregjistroni NIPT-in dhe më pas do të klikoni në të djathtë në shënjën OK;
- Do t’ ju shfaqet emërtimi “Për të gjithë tatimpaguesit”, dhe ju do të klikoni në të djathtë tek – Deklarata e Sigurimeve, ku do të shfaqet “Formular i deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore”, të cilin duhet ta printoni në tri kopje;
- Në pjesën e pasme të njërës kopje duhet të hidhet listëpagesa, sipas formatit tip, të miratuar;
- Por fillimisht duhet të gjeni formatin tip “Listëpagesa e sigurimeve shoqërore, shëndetësore, dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi”. Për këtë, pasi të keni printuar deklaratën në tri kopje, mbyllet ky dokument dhe jemi rikthyer në faqen e mëparshme “Për të gjithë tatimpaguesit”, ku në fjalinë e fundit të shënimeve do të gjeni fjalën-këtu. Pasi të klikoni në këtë shënim ju shfaqet formati tip “Listëpagesa e sigurimeve shoqërore, shëndetësore, dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi”.
- Kujdes duhet të tregoni në printimin e listëpagesës, sepse kjo, duhet të printohet në pjesën e prapme të formularit të deklarimit. Për këtë formulari i deklarimit do të futet në printerin tuaj me faqen e shkruar lart dhe do t’i jepni print listëpagesës. Kështu ju do të keni një formular deklarimi me listëpagesën nga mbrapa dhe dy formularë deklarimi pa listëpagesë nga mbrapa.
Plotësimi i listëpagesës dhe i formularit të deklarimit.
Mbani listëpagesën përpara,
ndërkohë që lexoni këto udhëzime për plotësimin e saj:
- Të dhënat në këtë formular do të plotësohen me dorë. Në krye të listëpagesës, sipas rradhës, do të plotësohen vizat që janë lënë bosh duke filluar me NIPT-in e tij, emrin dhe mbiemrin, vitin dhe tremujorin, statusin që është Person Fizik pa punëmarrës, veprimtarinë që në shumicën e rasteve është Aktivitet shitje dhe rrethin ku ushtroni aktivitetin;
- I vetëpunësuari, në kolonën me numër 5) Numri i Sigurimit Shoqëror do të hedhë Numrin e Sigurimit Shoqëror, që ndodhet në kartën e identitetit të tij;
- Në kolonën me numër 6) Emri mbiemri hedh emrin dhe mbiemrin e tij;
- Në kolonën pa numër Detyra, funksioni, profesioni, apo puna që ka kryer do të hidhet shënimi “I vetëpunësuar”;
- Në kolonën me numër 7) Numri i kategorisë të të punësuarve për kontributet do të shënoni numrin “6”, i cili është numri që përfaqëson personin fizik;
- Kolona me numër 8) Ditë kalendarike pa punuar gjatë muajit ka lidhje me punëmarrësit dhe nuk plotësohet për personin fizik të vetëpunësuar, i vetëm;
- Kolona me numër 9) Ditë kalendarike të punuara tek subjekti gjatë muajit ka lidhje me punëmarrësit dhe personin fizik të punësuar në subjektin e tij, ku duhet të vendoset numri i ditëve të muajit, duke zbritur ditët e diela;
- Në kolonën me numër 10) Paga bruto - Gjithsej do të shënoni shifrën 18 952, që i përgjigjet pagës minimale mujore prej 18 952 lekësh në muaj për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që ka hyrë në fuqi më datë 01.07.2012;
- Në kolonën me numër 11) Paga bruto - Mbi të cilën llogariten kontributet shënoni përsëri 18 952, pasi në rastin e të vetëpunësuarit këto dy kolona kanë të njëjtin kuptim;
- Kolona me numër 12) Kontributet për sigurimet shoqërore - Gjithsej është shuma e kolonave që vijojnë me numër 13, 14 dhe 15, por në rastin e të vetëpunësuarit kjo kolonë është e barabartë me kolonën që vijon me numër 13;
- Ndërsa në kolonën me numër 13) Punëdhënësi, do të shënoni kontributin e sigurimit shoqëror për veten tuaj, të barabartë me 4 208, që është shumëzimi i pagës minimale 18 952 x 23%;
- Kolonat 14 dhe 15 nuk plotësohen;
- Kolona me numër 16) Kontributet për sigurimet shendetesore
- Gjithsej do të shënoni kontributin e sigurimit shëndetësor për veten tuaj, të barabartë me 1 281, që është shumëzimi i pagës minimale 18 952 x 7%;
- Kolonat 17 dhe 18 nuk plotësohen, pasi i vetëpunësuari nuk paguan tatim mbi të ardhurat nga punësimi.
Listëpagesa ka tre muaj të njëpasnjëshëm të tremujorit, të cilat plotësohen njëlloj si në muajin e parë.
i formularit tip
“Formular i deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore ”.
Duhet të keni përpara listëpagesën dhe formularin e deklarimit për të bërë plotësimin e tij.
Formulari i deklarimit bëhet pasi plotësohet listëpagesa, sepse të dhënat që do të hidhen në këtë formular merren nga listëpagesa. Plotësimi i tij fillon pas shënimit Deklarim përmbledhës, pra nga pika 9 e këtij formulari.
- pika (9) Totali i pagave mbi të cilën paguhen kontributet është 52 620 dhe merret nga kolona nr. 11 e listëpagesës - Totali për tremujorin;
- pika (10) Kontributet për sigurimet shoqërore nga punëdhënësi është 12 103 dhe merret nga kolona nr.13 e listëpagesës - Totali për tremujorin;
- pika (11) dhe pika (12) do të shënohen zero “O”;
- pika (13) Kontributet për sigurimet shoqërore gjithsej është 12 103 dhe merret nga kolona nr.12 e listëpagesës - Totali për tremujorin;
- pika (14) Kontributet për sigurimet shëndetësore gjithsej është 3 683 dhe merret nga kolona nr.16 e listëpagesës - Totali për tremujorinë
- pika (15) Totali për t’u paguar është 15 786, si shumë e pikave 13 dhe 14 e këtij formulari;
- pika (16) Numri gjithsej i personave që duhet të paguajnë kontribute sipas listëpagesës ështe 3, sepse listëpagesa dhe formulari i deklarimit është për periudhën tremujore;
- pika (17) Numri i personave që paguajnë kontribute në nivelin e pagës minimale sipas listëpagesës është 3, sepse listëpagesa dhe formulari i deklarimit është për periudhen tre mujore dhe ju i paguani kontributet në nivelin minimal;
- Kini kujdes të vendosni datën, emër mbiemër dhe firmën, me shkronja të vogla dhe dukshëm mbi vizën e përcaktuar për këtë qëllim.
- Më poshtë, në pjesën e pagesave, nuk duhet të hidhni të dhëna apo të plotësoni kuadratin shuma e paguar. Këto shënime bëhen nga punonjësi i bankës apo i postës në të cilën kryhet pagesa.
|