Praktikat e bashkëpunimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore me Patronatet në Itali, lidhur me mbulimin me sigurim shoqëror të emigrantëve, përmes skemës së sigurimit vullnetar, vlerësohen me çmim nga Organizata Botërore e Sigurimeve Shoqërore, ISSA. Çmimi “Çertifikatë e Meritës për Praktikat e Mira”, akorduar për ISSH-në iu dorëzua drejtoreshës së ISSH-së Evelina Koldashit në mars, në Varshavë të Polonisë, në Forumin e Pare Rajonal për Europën për Sigurimet Shoqerore.
Sipas zyrës së shtypit në ISSH, mësohet se, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, u nderua me çmim, me projektin e saj “Mbulimi me sigurim shoqëror i emigrantëve, përmes skemës së sigurimit vullnetar”. Juria e çmimeve për praktikat më të mira, që përbëhej nga kryetari i bordit editorial të Revistës “International Social Security”, Ish Presidenti i ISSA-s dhe një përfaqësues i ILO-s, e konsideroi praktikën e mbulimit me sigurim shoqëror nga skema e sigurimit vullnetar, si një praktikë e re për të gjitha vendet që kanë emigracion dhe nuk kanë realizuar marrëveshje bilaterale mes tyre.
Vlerësimi ndërkombëtar lidhet me praktikat që ka ndjekur ISSH në asistimin ndaj emigrantëve shqiptarë, duke bashkëpunuar me patronatet kryesore në Itali, të cilët shpërndajnë informacione falas për të gjithë emigrantët lidhur me sistemin e sigurimeve shoqërore në Shqipëri dhe përfitimet që vijnë nga ky sistem. Marrëveshjet janë me INAS, ACLI, ACAI, të cilat kanë zyrat e tyre në të gjithë territorin italian dhe në disa vende të tjera të botës, dhe kanë në fokusin e tyre komunikimin me emigrantët lidhur me dokumentat e ndryshme për të cilat aplikojnë emigrantët.
Në këtë konkurim morën pjesë 19 intitucione të sigurimeve sociale, nga 16 vende të Europës, me 32 projekte. “Ky çmim më bën mua dhe stafin tim edhe më të ndërgjegjshëm, për të menduar çdo ditë se, një punonjës i Sigurimeve Shoqërore duhet të jetë menaxher për institucionin dhe punonjës social për qytetarin. Ndaj, me lejoni ta konsideroj këtë çmim, si një porosi që duhet ta mbajmë mend çdo ditë në punën tonë, ku na duhet që t’i shërbejmë çdo qytetari, vendas apo të huaj, kur ai ka derdhur sigurime shoqërore”, tha për mediat drejtoresha e ISSH-së, Koldashi pas kthimit nga Varshava.
Praktika e vlerësuar
Një ndër sfidat e reja me të cilat u përball shoqëria shqiptare dhe skema e sigurimeve shoqërore në tranzicion ishte numri i madh i shqiptarëve, që emigruan. Një problem për skemën ishte mbulimi i shtetasve shqiptarë, në emigracion, nga skema e mbrojtjes shoqërore, duke patur parasysh shkallën e ulët të përfshirjes së tyre në skemat e mbrojtjes sociale të vendeve ku ata punojnë. Për të rritur hapësirat e mbulimit nga sigurimet shoqërore, për këtë kategori u shfrytëzua skema e sigurimit vullnetar, si një skemë selektive, e lirë, për raste të caktuara dhe për periudha kohe të shkëputura nga puna për shkaqe të ndryshme. Skema vullnetare ka ekzistuar që nga viti 1993, me hyrjen në fuqi të Ligjit për Sigurimet Shoqërore, megjithatë kuptim dhe praktikë kjo skemë, përfshi edhe për efekte reale përfitimi, mori me rastin e përfshirjes së emigrantëve shqiptarë me banim në vende të ndryshme të botës, kryesisht në Itali e Greqi. Në realizimin sa më praktik të kësaj pjese të legjislacionit, ISSH realizoi disa ndryshime, infrastrukture që ofrojnë shërbimet pro-klient në situatat migratore, zgjerimin e rrjetit të agjentëve pagues, krijimin e lehtësirave proceduriale për pagesën e kontributeve si dhe informatizimin e skemës, e sidomos krijimin e besimit të emigrantëve në skemën vullnetare. Kjo skemë krijon mundësinë e sigurimit të shtetasve shqiptarë, (duke përfshirë gratë shtëpiake, etj), për të plotësesuar periudhat e sigurimit për të përfituar një pension të pjesshëm apo të plotë. Suksesin e kësaj skeme e tregon rritja e numrit të kontribuesve çdo vit. Aktualisht çdo emigranët që jeton në Itali ka mundësinë e informimit lidhur me sistemin aktual të sigurimeve shoqërore. Natyrisht, që më të interesuarit janë ata emigrantë që kanë patur një historik kontributiv me ISSH-në, por që për arsye të ndryshme nuk arrijnë të përfitojnë pensionin minimal prej 15 vitesh, ose maksimalin prej 35 vitesh.
|