Miratimi i Reformës së Pensioneve dhe tejkalimi historik i të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore kanë qenë dy ndër arritjet më të mëdha të punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore gjatë vitit 2014. Këto dy pika ishin dhe kryefjala e analizës vjetore të punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që u mbajt më datë 20 mars 2015 në ambjentet e Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore në Lundër.

Në prani të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj dhe anëtarëve të Këshillit Administrativ të ISSH-së, Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho, ka bërë publike disa nga arritjet dhe sfidat me të cilat përballet  skema e sigurimeve shoqërore, si një fushë me efekte shumë të gjera sociale, ku preket thuajse çdo familje shqiptare. Kreu i ISSH-së ka veçuar rëndësinë e madhe që merr për çdo qytetar hartimi dhe miratimi i Reformës së Pensioneve, si një nga reformat më të qenësishme dhe të suksesshme në vitet e fundit. “Kjo reformë u udhëhoq nga Qeveria dhe ishte prioriteti më i rëndësishëm i Ministrit tonë, për rritjen e qëndrueshmërisë financiare të skemës dhe garantimi i pensioneve të të gjithë qytetarëve kontribues. Konstatoj me kënaqësi që ky prioritet i Qeverisë u realizua me sukses në një kohë rekord dhe me pranueshmëri të lartë nga publiku”, deklaroi Braho, duke theksuar faktin se roli i Institutit në këtë reformë ka qenë i rendësishëm dhe kualitativ, që në fazën e parë të studimit të situatës të skemës, hartimit të dokumentit të politikave, studimeve të dy opsioneve të paraqitura, parashikimeve afatgjata deri në vitin 2080, draftimin e ligjit të ri, mbrojtjen e tij me grupet e interesit dhe grupet parlamentare, hartimi i të gjithë akteve nënligjore në zbatim të reformës dhe më e rëndësishmja jetësimi i tij në praktikë. “Ekspertiza teknike e ofruar nga ana jonë në të gjitha etapat e mësipërme ka qenë në nivelin më të lartë dhe e vlerësuar nga të gjithë aktorët dhe Banka Botërore”, theksoi ajo.

Duke vazhduar fjalën e saj në analizë, kreu i ISSH-së, Vjollca Braho sqaroi edhe përfitimet që vijnë nga aplikimi I kësaj reforme, ku ndër më kryesorët është bërja e mundur e uljes së deficitit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe për rrjedhojë rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës, lidhja e masës së pensionit me kontributet e paguara gjatë gjithë jetës, duke e çuar hakën tek i zoti, eliminimin e tavaneve për masën e pensionit, duke rritur incentivat për pjesëmarrje në skemë dhe formalizim të tregut të punës, si dhe eliminimin e privilegjeve për kategori të ndryshme.

Kreu i ISSH-së ka bërë publike dhe një nga rezultatet nga të ardhurat e kontributeve të sigurimeve shoqërore, ku viti 2014 ka qenë historik përsa i përket nivelit të realizimit të tyre. “Si rezultat i miratimit të Ligjit për faljen e kamtëvonesave dhe gjobave për kontributet e papaguara për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe punës së madhe të bërë nga të gjithë punonjësit e sigurimeve shoqërore, u arrit të mblidheshin 5,917.9 milionë lekë më shumë se planifikimi ose  318.7%. Kjo arritje nuk vlen vetëm për sasinë e parave të futura në fondin e sigurimeve shoqërore, por edhe për rritjen e numrit të qytetarëve me mbrojtje shoqërore dhe pension të garantuar në vitet e pleqërisë. Edhe nga organet tatimore plani i të ardhurave u realizua në masën 101.3%, me nje tejkalim prej  673 milionë lekë”, theksoi Braho. Ky realizim të ardhurash është rrjedhojë veç të tjerave edhe i rritjes së numrit të personave të siguruar në skemë, duke e rritur këtë numër krahasuar me vitin paraardhës me 93,392 persona. Kjo rritje sinjifikative e të siguruarve përmirëson normën e varësisë së sistemit, garanton pension në të ardhmen për ta dhe ul subvencionin e buxhetit të shtetit për të mbuluar deficitin e skemës.

Ndërkaq, nga Braho, është evidentuar fakti se, problem vazhdon të mbetet mosdërgimi i listëpagesave nga autoritetet tatimore në kohë, pasi sjell vonesa në dhënien e përfitimeve dhe sorrollatje të qytetarëve, por që me implementimin e sistemit të ri të informacionit nga ana e Tatimeve shpresohet që ky problem të zgjidhet. Sipas të dhënave të analizës, rezulton se për vitin 2014 janë caktuar 39.072 pensione të reja. Krahasuar me vitin 2013, ky numër është 14.5% më i lartë ose 3.017 pensione më shumë. Pavarësisht këtij fluksi të madh, rezulton se afatet e caktimit të pensioneve në shkallë vëndi janë më ulëta se parashikimi ligjor prej 60 ditësh dhe më kontretisht është 31 ditë. “Krahas këtij procesi është bërë një punë e mirë edhe në uljen e numrit të invaliditetit me 585 invalidë të rinj më pak se 2013, theksoi Braho, por përsëri problematika është prezente dhe kryesisht lidhet me dokumentat mjekësore që ofrohen nga spitalet publikë”.

Një punë e madhe është bërë në luftën kundër informalitetit si në fushën e të ardhurave ashtu edhe në fushën e përfitimeve. “Kjo është arritur nëpërmjet zbatimit të programeve informatike të krijimit të bazës së të dhënave të përfituesve e kontribuesve, lidhjes së tyre me Regjistrin e Gjendjes Civile dhe databazat e sistemeve të tjera, përditësimit të të dhënave, si dhe vënies në dispozicion të inspektorëve dhe kontrollorëve të të dhënave, të regjistrave të vjetërsisë në punë në ish-kooperativat dhe ish- ndërmarrjet shtetërore, kontrolleve të auditit dhe njësisë së çertifikimit të pensioneve”, deklaroi Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho. Gjatë 2014 janë konstatuar dëmtime të fondeve të sigurimeve shoqërore në masën 500 milionë lekë, si rezultat i certifikatave false që janë gjendur në dosjet e vjetra dhe kalimit nga pension fshati në pension qyteti ndër vite. Gjithashtu, gjatë vitit 2014 janë rekuperuar rreth 400 milionë lekë nga debia e krijuar ndër vite si rezultat i abuzimeve.

Ndërsa, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, gjatë analizës së punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2014 theksoi se “Kostoja e buxhetit të shtetit për të subvencionuar pensionet ka qenë 450 milionë dollarë, ndërsa falë reformës kemi patur një rritje të të ardhurave nga sigurimet me afro 100 milionë dollarë. Ç’ka do të thotë, më pak subvencion nga shteti dhe më shumë para për shkolla, për kopshte dhe rrugë”, tha Ministri Veliaj. Ai konfirmoi se në 2014, falë ndërgjegjësimit të bërë nga Qeveria për zbatimin e Ligjit, u bë e mundur që në rregjistrat e ISSH-së të kishte një rritje me 93.392 persona më shumë të deklaruar si të punësuar dhe që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore. “Askush nuk është naiv që të thotë se këto janë të gjitha vende të reja pune. Disa janë vende të reja pune, të tjerat janë vende pune që janë zbardhur nga puna në të zezë”, shtoi z. Veliaj. Heqjen e tavanit të pensionit deri në 240 mijë lekë, Ministri Veliaj e cilësoi si një nga arritjet më të mëdha të reformës në pensione. “Ndaj viti 2014 do të mbahet mend si viti i suksesit për pensionet sepse bëri të mundur që falë skemës së re të kemi një rritje të pensioneve me mbi 340 mijë lekë ose deri në 40 për qind më shumë”, tha z. Veliaj.

Fjala e plotë e Drejtores së Përgjithshme të ISSH-së, Zj. Vjollca Braho, në analizën vjetore të punës, të Institutit të Sigurimeve Shoqërore

I nderuar Zoti Ministër

Të nderuar kolegë

 Jemi mbledhur sot për të analizuar punën e institucionit tonë për vitin 2014 dhe shpreh kënaqësinë time që në këtë analizë merr pjesë edhe zoti Veliaj, Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

Viti që lamë pas, me plot gojën mund të them që ka qënë viti i sigurimeve shoqërore. Dhe këtë konstatim nuk e mbështes mbi emocionet e mia apo faktit që jam drejtuese e ISSH-së. Kemi shumë arsye për këtë konstatim, por arsyeja kryesorë është se në këtë vit u diskutua, u hartua, u miratua reforma e pensioneve, një nga reformat më të qënësishme dhe e suksesshme në vitet e fundit.