Kryetari i Këshillit Administrativ të ISSH-së, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, propozoi sot z. Hado si kreun e institucionit që menaxhon sistemin e sigurimeve shoqërore, propozim i cili u miratua me unanimitet nga të gjithë anëtarët e Këshillit Administrativ. Prej 9 vitesh, z. Astrit Hado ka mbajtur postin e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe zëvendëson në këtë detyrë znj. Vjollca Braho, që u zgjodh në fund të dhjetorit 2015 si kreu i i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).

Z.Hado, është diplomuar në Ekonomi dhe ka kryer “Master në Administrim Publik” në Universitetin e Tiranës në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës dhe është në proces doktorature për “Menaxhimin e Sigurimeve Shoqërore” në Universitetin e Tiranës.

Z. Hado, është një nga hartuesit e reformës së pensioneve, e cila nisi zbatimin më 1 janar 2015, reformë e cilësuar e suksesshme edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Gjatë periudhës si zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Hado ka qenë pjesë e grupit negociator për arritjen e marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes shoqërore.